Një përgjigje e detyruar për personat që gëzohen nga situata e Opozitës (2)

Një përgjigje e detyruar për personat që gëzohen nga situata e Opozitës (2)

16:41, 21/05/2023
A+ Aa A-

Nga Andi Mustafaj

Vijim i analizës së datës  17/05/2023

Vitet e basketbollit kanë qenë vite të shtrenjta për mua. Ato më kanë dhënë disa nga shokët më të mirë të jetës, disa nga trajnerët që më kanë frymëzuar më shumë, një disiplinë dhe një mentalitet të fortë.

Në këtë periudhë të turbullt më kujtohen veçanërisht mësimet që kam marrë në lidhje me gjuajtjet e lira. Përpara se të gjuaje, duhej rregulluar fryma, qetësuar stresi dhe mbi të gjitha duhej shuar zhurma që të rrethon në mënyrë që të ishe i saktë në gjuajte.

Ditët që kanë pasuar zgjedhjet e 14 Majit kanë qenë disa nga ditët më të zhurmshme që kam parë në jetën time të shkurtër politike. Nga formula magjike në formulë magjike, një numër i madh personash kanë përmbytur hapësirën publike. Secili prej tyre e din se çfarë duhej të bëhej dhe se çfarë duhet bërë.

Unë nuk kam formulë magjike për të propozuar sepse nuk besoj se në politikë një gjë e tillë ekziston. Nuk besoj gjithashtu se vendime duhet të merren nën emocionin e madh që na ka mbërthyer. Emocioni është forcë motorë në kohë fushate por në kohë të tilla, ku humbja e njollosur nga mekanizma të gjithanshme manipulimi na ka çoroditur, pres nga drejtuesit gjakftohtësi, largpamësi dhe frymëzim.

Përpara se një sistem autokratik të rrëzohet duhet në radhë të parë që të krijohet besimi brenda qytetarëve që ai mund të rrëzohet. Është një etapë e pashmangshme, është një rrugëtim shpirtëror. Përbindëshi duhet të plagoset që njerëzit ta shohin se mund të vritet.

Unë mendoja se dinamika që Partia Demokratike ka njohur në mbi një vit, nëpërmjet Foltores, Kuvendit, Referendumit, Rithemelimit dhe Primareve ishte e një natyre të tillë që ta krijoi atë besim. Kundër shtetit, gjykatave dhe manipulimeve të mëdha të një grupi oportunistësh, ne arritëm të rrëzojmë në mënyrë demokratike Kryetarin në detyrë të opozitës. Një simbol i madh ky i forcës qytetare.

Fatkeqësisht, rrënjët e së keqes ishin të groposura më thellë në tokë. Në këto kushte opozita kishte dhe ka nevojë për simbole pozitive mbi të cilat mund të ndërtojë dhe të frymëzojë. Dhe simbole pozitive kemi pasur në këto zgjedhje. Vlerësoj me rëndësi ti kujtojmë dhe të ndërtojmë rreth tyre.

Në radhë të parë këto zgjedhje kanë mundësuar daljen e një brezi të ri opozitarësh. Si asnjëherë më parë, kandidatët e opozitës së bashkuar dhe ekipet e tyre kanë bërë fushatë kundër të gjithë mjeteve që imagjinata fatkeqësisht e shfrenuar e Edi Ramës ka prodhuar.

Fakti që shumë prej tyre nuk kanë fituar nuk do të thotë që ata nuk vlejnë apo nuk kanë prodhuar politikë. Unë jam i bindur që shumë prej tyre kanë formësuar një karakter të fortë dhe kanë përfituar një eksperiencë të madhe. Ata duhet të jenë në qendër të emërimeve dhe misioneve të reja që do vendosen

Në radhë të dytë këto zgjedhje kanë prodhuar dy fitore shumë simbolike, nga ato simbole që shkojnë përtej një njeriu apo një qyteti. Duke qenë simbole pozitive të Partisë Demokratike, Rilindja do bëjë çdo gjë që ata të dështojnë.  Si rrjedhojë, Fisnik Qosja në Kavajë dhe Albert Mëlyshi në Mirditë duhet të jenë fokusi kryesor i veprimtarisë sonë politike.

Qytetet që ata tashmë drejtojnë duhet të kthehen në Laboratorë Suksesi të Partisë Demokratike. Duhet imagjinuar mënyra që burimet njerëzore të investohen në mënyrë masive, që idetë të vërshojnë dhe të tregojmë që jemi në lartësinë e duhur. Është jetësore që jo vetëm programet mbi të cilat ata janë zgjedhur të realizohen por edhe të shkohet përtej tyre.

Departamenti Brain Gain që drejtoj ka filluar tashmë të mendoj rreth kësaj çështje por që Kavaja dhe Mirëdita të transformohen në Laboratorë Suksesi duhet një angazhim gjithëpërfshirës.

Vijon...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco