KAFE SHQETO/ Arjan Hoxha: Votuesit në Kamëz i kanë rrahur tastierat kot, rezultati ishte i programuar!

10:47, 18/05/2023
A+ Aa A-

“E ftova operatorin dhe i thashë unë dua të votoj "Arjanin".  Ajo shtyp “Rakipin”!  I them pse e bëre këtë?! – Po hajt se s’ka gjë, se një votë është”!!!

"Ka qenë një votim i programuar në ato “derexhetë” që sollën në Kamëz, në ato me demedek votim elektronik.  Ai ishte votim i programuar!"

"50% e votuesve në shumicën e qendrave të votimit janë me shoqërim nga aktivisti, patronazhisti, punonjësi i administratës publike."

"Edhe motra ime ka shkuar tek qendra e votimit dhe e ka gjetur të paprintuar fletën, e kishte selektuar “Arjan Hoxha” dhe e ka gjetur të paprintuar.  Ka njoftuar dhe ata e kanë anuluar.:

Arjan Hoxha, kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” në bashkinë e Kamzës,  nënvizoi sot se do të bëjnë ankimimet në institucionet përkatëse për votimin e programuar në pajisjet elektronike të Kamzës, që i dhanë një fitore të paperceptueshme rivalit socialist Rakip Suli: “Edhe në ëndrrën më të mirë të çdo socialisti të thekur nuk mund të ndodhte që të përmbysej një rezultat në mënyrë kaq drastike, kaq të thellë”, theksoi ai.

Nga intervista me z. Arjan Hoxha sot në emisionin KAFE SHQETO në SYRI TV me gazetarët Flavio Qarri dhe Ola Bregu.

Kafe Shqeto: Si paraqitet situata sot, z. Hoxha?

Arjan Hoxha: Përveç përgjegjësisë që ndiejmë para votuesve, qytetarëve të Kamzës... Çdo ditë pas datës 14 maj që unë i takoj, janë vërtet të habitur, të shokuar dhe nuk arrijnë ta perceptojnë në mendjen e tyre  se si një proces zgjedhor, se si Kamza më datë 14 maj u kthye në një skenë të vërtetë krimi elektoral, të makinerisë kompjuterike shtetërore kriminale që deformoi në mënyrë masive, në mënyrë konsistente, pa asnjë bazë statistikore, rezultatin e zgjedhjeve, ndryshoi vullnetin e qytetarëve.

Sot po të shkosh në të gjitha kafenetë, rrugët apo ambientet publike në Kamzës është një heshtje shokuese, situatë e paperceptueshme nga qytetarët e Kamzës, a  thua se në Kamëz ka ndodhut një fatkeqësi e vërtetë. Fatkeqësi është të deformosh, po fatkeqësi e paparashikuar, fatkeqësi natyrore po themi... A thua se erdhi Rakip Suli, erdhi një gjë e paparë në Kamëz, e paperceptueshme, një alien e bëri këtë ndryshim epokal!!! Edhe në ëndrrën më të mirë të çdo socialisti të thekur nuk mund të ndodhte që të përmbysej një rezultat në mënyrë kaq drastike, kaq të thellë!!! Unë i ftoj të gjithë komisionerët ta kundërshtojnë këtë që po them unë: në orën 18:00 të asaj dite, për shkak të pjesëmarrjes sepse atje e njohin shumë mirë njeri-tjetrin, ata ishin të demotivuar, ishin gati të linin edhe komisionet sepse ishin të bindur në fitoren time, në fitoren e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Ndërkohë, Suli që një orë përpara kishte bërë gati dajret, tallavatë dhe kishte vendosur altoparlantet, që në orën 17:00 në qendër të qytetit sepse vetëm ai e dinte rezultatin e orës 19:00!!! Pra, ka qenë një votim i programuar në ato “derexhetë” që sollën në Kamëz, në ato me demek votim elektronik, po që votim elektronik ai nuk ishte. Ai ishte votim i programuar! Njerëzit atë ditë kanë shkuar dhe kanë rrahur tastierat kot sepse rezultati ka qenë i çerfitikuar paraprakisht dhe nuk ka asnjë bazë.

Ka qenë një anomali statistikore dhe nuk ka ndodhur jo vetëm në historinë e zgjedhjeve vendore apo të përgjithshme në Kamëz, po në të gjthë Shqipërinë, edhe në rang ndërkombëtar nuk ndodh që në çdo qendër votimi të ketë humbje me 30-40% . Duhet të kishte një zonë, një bastion tonin që të paktën ne të dilnim fitues dhe ai të na gënjente me këtë pjesë. Pra, kanë bërë një vjedhje aq të trashë në anën logjike (sepse po të kishin zgjedhur 10-15-30 në rrethinat... bastipnet e veta t’i kishin thelluar edhe mund të hahej një çikë...

Kujtojmë Rrogozhinën, që e fitoi me të burgosurit kur të burgosurit janë gjithmonë antipod, sepse si do ta votojë atë që e ka burgosur?! Me të drejtë apo pa të drejtë, ai ka një reaksion, aciditet ndaj tij. Pra, qenkan aq të lumtur sa i ka futur në burg dhe e votojnë!!! E njëjta situatë.

Kafe Shqeto: Kur e kuptuat që kishte diçka që nuk shkonte me garën dhe procesin e votimit?

Arjan Hoxha: E kam kuptuar atë ditë në mëngjes. Pse? Kam shkuar e kam votuar bashkë me familjen time, me bashkëshorten në qendrën e votimit afër banesës dhe pastaj kam dalë në dy- tre qendra votimi. Në disa prej tyre unë po pengohesha të hyja brenda thjesht për t’i përshëndetur, t’i përshëndetja nga dera ata komisionerë,  “punë të mbarë”, t’iu kërkoja të zbatonin detyrimin e tyre institucionale, të mbanin paanësi e kaq. Sa për t’i uruar, por po pengohesha që të hyja në ato qendra votimi. Po më pengonin të gjithë, aktivistët, patronazhistët, administrata që ishte turrur e tëra; në çdo qendër votimi kishte  nga 50 deri në 100 me drejtorë drejtorish, me nënkryetarë etj.... Unë kam një listë. Ishte një ushtri, një armatë e tërë që ishte turrur dhe unë kuptova që “OK, një pjesë e deformimit të votës do të ndodhte, sepse do ta merrnin me dorëzim të kontrolluar siç quhet në gjuhën teknike: kur bën ngarkesa të dyshimta, bën dorëzim të kontrolluar nga personi A te personi B, te C derisa votonte.

Kishte denoncime të herëpashershme të qytetarëve që thoshin se unë nuk arrij ta shtyp butonin e printimit. Tentonte ta shtypte butonin e printimit dhe nuk printohej!!! Kur pyeste operatorët, i thoshin “ke mbaruar punë, vazhdo!”

Disa prej tyre kanë shkuar dhe kanë gjetur të paprintuar fletën time. Edhe me motrën time ka ndodhur ajo. Ka shkuar tek qendra e votimit dhe e ka gjetur të paprintuar, se e kishte selektuar “Arjan Hoxha” dhe e ka gjetur të paprintuar. Ajo ka njoftuar dhe ata e kanë anuluar, është rast konkret. Nuk them vetëm brenda familjes. Ka me dhjetëra, qindra raste të tilla.

Ka denoncime të tjera që thoshin “unë shtypa “Arjan Hoxhën” dhe më doli “Rakip Suli!” I kam dhe mesazhet të shkruara. Kam raste të tjera që thoshin, ishte moshë e vjetër “e ftova operatorin dhe i thashë unë dua të votoj Arjanin.  Dhe ajo shtyp “Rakipin”, ajo. I them pse e bëre këtë?! – Po hajt se s’ka gjë, se një votë është”!!!

Me qindra raste. 50% e votuesve në shumicën e qendrave të votimit, 50% janë me shoqërim nga aktivisti, patronazhisti, punonjësi i administratës publike, nënkryetarja e bashkisë. Unë kam shkuar dhe i kam denoncuar me emra. Kam marrë edhe mediat, edhe shefin  komisariatit duke i thënë se kryetari i njësisë administrative p.sh. në Bathore, ai nuk lëvizte nga qendra e votimit! Nga mëngjesi deri në darkë, duke ua kujtuar nderet apo qokat që i kishte bërë votuesit të asaj njesie, të asaj qendre votimi, duke i pritur, duke i takuar, duke i orientuar të votojnë, duke i takuar sërish në dalje. Vetëm votim që nuk ka qenë në Kamzë.

Përveç këtyre anomalive, përveç blerjes së votës, përveç asfaltit elektoral , përveç asaj që kanë bërë atë ditë, absolutisht aty ka një anomali statistikore të pajustifikueshme në asnjë logjikë politike, në asnjë palë zgjedhje nuk mund të ndodhë. Edhe sikur unë të kisha kryer vepra të rënda penale, sikur Kamza mua dhe njerëzit e mi t’i refuzonte masivisht, nuk mund të ndodhte që të bëhej një përmbysje e tillë: për një vit, nga 10 mijë vota minus, Rakip Suli të dilte sot me 22 mijë vota plus!!!

Kafe Shqeto: Kjo është një ndër arsyet që thoni se nuk do ta njoh këtë rezultat. Çfarë nënkuptoni me këtë, çfarë do të bëni?

Arjan Hoxha: Ne do të bëjmë ankimimet në institucionet përkatëse, që realisht dhe për fat të keq janë po ato që kanë instaluar dhe këtë do ta gërshetojmë me reagime publike deri në protesta sepse Kamza është rast “sui generis” në gjuhën juridike, e pa ndodhur ndonjëherë në historinë politike shqiptare, në historinë e zgjedhjeve vendore apo të përgjithshme. Nuk mund të ketë një rast të ngjashëm mendoj as në rang ndërkombëtar. Nëse hetohet Kamza, nëse hetohet sinqerisht dhe nëse ka minimumin e transparencës, në qoftë se ato pajisje do të sekuestrohen në gjendjen aktuale ku janë...

Që në fillim ato kanë qenë të programuara dhe ka qenë e planifikuar çdo veprim i mëtejshëm. Edhe në gjendjen që janë, se serverat i ruajnë në trurin e tyre elektronike të dhënat  dhe nuk është bërë akoma as krahasimi i të dhënave elektronike me fletët në kuti që është minimumi. Nëse ndërhyrja, siç ka shumë gjasa të jetë kjo, të jetë bërë e paraprogramuar, ajo nuk do të japë të dhëna, por nëse “truri” hetohet do të dalë përqindja e paracaktuar e fituesit.

Një gjë tjetër që të gjithë qytetarëve u ka bërë përshtypje është se kur shtypej numri 3, emri im, vonohej. Ndërsa kur shtypej nr. 1, fluturonte! Vepronte me të parë, sepse i ka dashur të përpunojë. Nuk e di a e kanë programuar me përqindje apo e kanë programuar me numër shkrepjeje, që do të thotë se nëse tri herë shtypet “Arjani”, një prej atyre shkon tek “Rakipi” te numri 1, pra aty duhet një hetim i hollësishëm./ar/sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco