Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

INTERVISTA/ Fredi Beleri: Rama është i bindur për humbjen në Himarë, PS nuk ka as fletëpalosje, as program!

INTERVISTA/ Fredi Beleri: Rama është i bindur për humbjen në Himarë, PS nuk ka as fletëpalosje, as program!

12:37, 11/05/2023
A+ Aa A-

Fredi Beleri: "Dy- tre gjëra që nuk duan shumë investime mund t’i bëjmë që këtë sezon në Himarë. Një pikë informacioni për turistët, se nuk ka. Do të zhbllokojmë të gjitha plazhet private, ku bashkia e Himarës edhe sot ua ka ndaluar aksesin qytetarëve të thjeshtë. Sot në të gjtihë territorin e Himarës ka vetëm një plazh publik, në qendër.

E dyta shumë e rëndësishme, menjëherë do të vëmë transport urban për të lidhur të gjitha fshatrat e Himarës dhe plazhet me qendrën e qytetit, gjë që mungon.

Guidë për promovimin e Himarës në website e bashkisë. Guida e fundit turistike në Himarë është botuar në 2011-ën. Një turist, një vizitor i Himarës vendas ose i huaj sot nuk di ku të vejë."

Z. Fredi Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për Himarën, është ftuar sot për intervistë në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV. Çfarë premton t’i afrojë ai Himarës?

Kafe Shqeto: Z. Beleri, zgjedhjet do ta kalojnë shumë shpejt, e diela është te dera. Si do të jetë ky sezon turistik për Himarën, për zërin më të rëndësishëm ekonomik në këtë bashki?

Fredi Beleri: Besojmë që sezoni turistik të jetë i mbarë, sepse Himara është një nga destinacionet më të mira në Shqipëri, me gjithë problemet që ka. Njerëzit po bëhen gati, ata që merren me biznesin e turizmit presin që të mbarojnë zgjedhjet dhe të merren me fushën e tyre.

Kafe Shqeto: Z. Rama ka pasur një fushatë që është etiketuar si pozitiviste, por në fakt ka folur vetëm negativisht kudo ku ka shkelur. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Himarë.  Cila është përshtypja juaj, se nuk besoj se prisnin të tilla deklarata nga kryeministri i vendit?

Fredi Beleri: Unë prisja që kryeministri i vendit të sillej si kryeministri i të gjithë shqiptarëve dhe jo si kryetari i Partisë Socialiste! Edhe pse ne jemi në fushatë, para zgjedhjeve, besoj se i ka kaluar të gjitha caqet dhe për dy arsye: nga besimi i tij i plotë se Himara humbet, se në Himarë do të kemi ndryshim. Nga ana tjetër e kuptoi vonë zgjedhjen e tij, ja ku vjen me një njeri që në Himarë nuk ka afruar asgjë për himariotët, ka punuar vetëm për miqtë e tij partiakë dhe miqtë e tij biznesmenë.

Nuk i prisja tonet aq të ashpra, besoj se i ka ikur situata nga kontrolli. Një arsye tjetër është mungesa e programit. Në Himarë, tri ditë para zgjedhjeve nuk ka një fletëpalosje, nuk ka as poster të kandidatit, nuk ka një program se çfarë duhet të bëjë  Partia Socialiste dhe z. Goro në katër vitet e ardhshme.

Kafe Shqeto: Në gjykimin tuaj, si ka shkuar kjo fushatë elektorale në rang vendi?

Fredi Beleri: Unë besoj se kandidatët e pozitës janë munduar të shpalosin programin e tyre, kanë ruajtur etikën, kurse nga ana tjetër nuk ka ndodhur kjo. Besoj se z. Berisha, në 2-3 takimet që i kam ndjekur edhe unë, fliste për gjëra konkrete, për hallet e popullit dhe si ato do të zgjidhen, kurse nga ana tjetër kishte shpifje. U mundua pala kundërshtare të marrë ndërkombëtarët me vete e të bëjë zërin e ndërkombëtarëve, një gjë që nuk e ka autorizim nga asnjë. Edhe pse ishte e qetë dhe nuk kishte incidente, ishte një nga fushatat elektorale më të gabuara, në drejtim jo të mirë, sepse nuk u sqaruan qytetarët. Qytetarët nuk e dinë alternativën e Partisë Socialiaste; jam i bindur se kjo do të pasqyrohet edhe në rezultatet e 14 majit.   

Kafe Shqeto: Po për kandidatët e koalicionit “Bashkë fitojmë”, keni një koment, për programet, mënyrën si e kanë zhvilluar fushatën? A keni një të preferuar nga kandidatët?

Fredi Beleri: Një e kam, po. Në qarkun e Vlorës, besoj se kandidati i Sarandës bëri një fushatë të mirë dhe do të jetë fituesi. Dua t’i uroj fitore. Kam qenë në fushatë dhe nuk i kam ndjekur shumë kandidatë të tjerë, por dhe në Tiranë, mënyra sesi z. Këlliçi u afrohet qytetarëve, ua shpalos programin e vet, ishte shumë e mirë. Dua t’i uroj të gjithëve të fitojë për të mirën e të gjithë qytetarëve, pavarësisht se çfarë votojnë ata, ndryshimi.

Amerika që z. Rama e mban në gojë si aleat strategjik, edhe presidentin nuk e lë më shumë se 8 vjet; në Shqipëri, ata kryebashkiakë, atë që dinin të bënin, pse nuk e bënë për tetë vjet?! Pse duan më kohë, ndërkohë që nuk na thonë se çfarë duan të bëjnë?!

Kafe Shqeto: Cili do të jetë impakti që do të ketë bashkia e Fredi Beleri në qytetin e Himarës që këtë sezon veror? A keni një plan për të ndikuar që në këtë verë?

Fredi Beleri: Po, dy- tre gjëra që nuk duan shumë investime e janë të thjeshta, mund t’i bëjmë.  Do të bëjmë një pikë informacioni për turistët, se nuk ka. Do të zhbllokojmë të gjitha plazhet private, të cilat në mënyrë të paligjshme, bashkia e Himarës edhe sot ua ka ndaluar aksesin qytetarëve të thjeshtë. Do të zbatojmë ligjin, domethenë 60% duhet të jenë plazhe private dhe 40% plazhe publike. Sot në të gjtihë territorin e Himarës ka vetëm një plazh publik, në qendër të Himarës. Pra, do të zbatohet ligji.

E dyta shumë e rëndësishme, menjëherë do të vëmë transport urban për të lidhur të gjitha fshatrat e Himarës dhe të gjitha plazhet me qendrën e qytetit, gjë që mungon.

Dy-tre gjëra të tjera kanë të bëjnë me promovimin e Himarës se si në website e bashkisë të kemi një guidë turistike. Jemi gati. Guida e fundit turistike në Himarë është botuar në 2011-ën. Një turist, një vizitor i Himarës vendas ose i huaj, nuk di ku të vejë.

E dimë shumë mirë që nuk mund t’i bëjmë këto brenda dy muajsh, se sezoni pothuajse ka filluar.

Guida do të përfshijë të gjitha monumentet e kulturës në Himarë që janë të rralla, do të përfshijë shtigjet malore, do të përfshijë bizneset, plazhet, eksplorimin e Himarës; janë njëmijë e një gjëra që tani nuk mund t’ua them, por ne jemi gati./ar.sh/SYRI.NET

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco