Buzëqesh, një brez i ri ka ardhur, mësimi i parë i fushatës zgjedhore të 14 Majit

Buzëqesh, një brez i ri ka ardhur, mësimi i parë i fushatës zgjedhore të 14 Majit

23:00, 10/05/2023
A+ Aa A-

Nga Andi Mustafaj/

Në pamje të parë, jeta e një njeriu është një përsëritje e fundme ngjarjesh të njëjta. Ushqehemi, punojmë, flemë, argëtohemi në mënyrë ciklike deri sa gjumi i fundit mbyll sytë tanë. Por nëse shohim me kujdes, njëtrajtshmëria e përsëritjes fsheh një larmi veçorish ku secila mund të ndikoj në mënyrë të pakthyeshme dhe të fortë mbi rrjedhën e ngjarjeve të jetës së një njeriu.

Këtë ndjenjë pata përpara disa ditësh teksa po bisedoja me një mik rreth zgjedhjeve vendore të 14 majit. “Ja ku jemi përsëri” më tha ai. “Kush nuk po vjen me na kërkuar votën. Na lodhën, kudo kthejmë kokën veç politik”. Të jem i sinqertë u stepa pak. Edhe pse ai “nuk e kishte me mua” siç u nxitua të saktësoi nuk munda të mos mendoj për situatën që ai po përshkruante.

I lodhur në fakt isha sidomos unë. Si shumica e anëtarëve të Partisë Demokratike, angazhimi im është vullnetar, ai vjen dhe ushqehet mbi kohën që mund të përdor për të luajtur me djalin, për tu argëtuar apo mbi të gjitha për të pushuar nga lodhja që më shkakton puna.

A jemi përsëri aty ku kemi qenë? Pra, a janë këto zgjedhje të rëndomta, të radhës në jetën politike të vendit dhe a po i lodhim ne, personat që merren sado pak me politik, qytetarët shqiptarë?

Në pamje të parë mund të mendohet kështu. Propaganda e Rilindjes i mëshon fortë idesë se këto janë zgjedhje të radhës ku qytetarët shqiptarë duhet të votojnë Partinë Socialiste që ajo të vazhdoj punën e saj në qeverisjen e vendit.

Por po të shohim me vëmendje, zgjedhjet e 14 majit nuk janë zgjedhje të radhës dhe nuk mund të kuptohen si një moment i veçuar. Për të mbërritur deri këtu dhe për ti dhënë mundësin e zgjedhjes shqiptarëve, që mos të përfundojnë të mbërthyer tërësisht në botën imagjinare të Edi Ramës, opozita e bashkuar i ka bërë ballë sulmeve të panumërta dhe gjithmonë e më çuditëse të qeverisë.

Në momentet e vështira dallohet karakteri i njeriut dhe momente të vështira kemi kaluar pa fund prej një viti e gjysmë. Kjo garë na ka munduar shumë. Gjatë rrugës kemi humbur edhe miq, edhe njerëz që donim apo që respektonim. Parimorët e djeshëm u kthyen papritur në oportunistët e sotëm, gati të përthyejnë çdo rregull moral e ligjor për t’ja arritur qëllimit të tyre. Me një trishtim të madh kemi vërejtur persona me të cilët kemi bërë një copëz rruge politike të ktheheshin në shkopin me të cilin na godiste Edi Rama apo në megafon me të cilin na shurdhonte.

Por pak e nga pak, ai trishtim u shndërrua në një forcë të çuditshme dhe në një vendosmëri të hekurt. Dhe ky është mësimi i parë i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve. Ato kanë prodhuar një brez të ri opozitarësh me lëkurë të fortë e zemër të zjarrtë, një brez i cili në një hark kohor të shkurtër ka parë të lëshohen kundër tij mjete që vetëm imagjinata e shfrenuar e Edi Ramës mund të prodhonte.

Të pamposhtur, të patrembur, kandidatët e opozitës së bashkuar gjenden akoma në këmbë përballë qytetarëve shqiptarë. Ata i japin atyre mundësin të zgjedhin. Është një mundësi të cilën qytetarët shqiptarë duhet të trajtojnë me respektin më të madh sepse nesër, ajo mund të mungoj dhe të bëhet si uji që i mungon udhëtuesit në mes të shkretëtirës.

Është në nderin e tyre që i kanë bërë ballë sulmeve të pareshtura të një grupi individësh të gjetur në të gjitha skutat e përdorimit të pushtetit ndërkohë që kundërshtarët e tyre lëviznin të pa bezdisur, porsi kloun argëtojnë popullin larg problemeve të tyre dhe larg lartësisë që kërkon detyra e tyre.

Në momente provash ndërtohen gjenerata politike dhe përgatitet e ardhmja e një populli. Dashamirësit, militantët dhe kandidatët e opozitës së bashkuar e kanë bërë detyrën e tyre. Të dielën, e kanë radhën qytetarët shqiptarë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco