Avokati i Popullit: Qeveria ka 860 mln euro borxh ndaj pronarëve

Avokati i Popullit: Qeveria ka 860 mln euro borxh ndaj pronarëve

14:04, 08/05/2023
A+ Aa A-

Qeveria shqiptare ka rreth 860 milionë euro borxhe të papaguara ndaj pronarëve, të cilëve u është njohur me vendim kompesimi financiar për pronat e konfiskuara nga regjimi komunist. Fatura që është sa 4.5 për qind e PBB-së së Shqipërisë, është zbuluar nga institucioni i Avokatit të Popullit.

“Referuar të dhënave të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, numri i vendimeve të vlerësuara për kompesim është 26.092, në një vlerë të përgjithshme prej 857.068.720 Euro,” thuhet në raportin që AP i ka dërguar Parlamentit.

Por për të marrë këtë kompesim pronarëve do t’u duhen të presin dhe shumë vite të tjera. Avokati i Popullit thotë se qeveria po refuzon të paguajë pronarët sipas parashikimeve të ligjit, që ka miratuar vet.

“Numri vendimeve për të cilat është kryer pagesa e kompesimit për periudhën 2018-2022 është gjithsej 398 nga 26.092 të tilla,” thuhet në raport.

Sipas ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompesimit” të miratuar nga Parlamenti në vitin 2015, afati i kryerjes së pagesës për të gjitha vendimet përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kompesimit duhet të përfundojë brenda 10 viteve nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit. Por ndonëse afati i ligjit përfundon vitin tjetër, qeveria ka shlyer pagesat vetëm për 1.5 për qind të vendimeve.

Megjithatë kategoria e pronarëve, nuk janë shtresa e vetme që janë shkelur nga qeveria. Një tjetër kategori, sipas Avokatit të Popullit, është ajo e ish të përndjekurve politikë.

“Institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se përqindja e planifikuar çdo vit në buxhetin vjetor për  dëmshpërblimin  e  ish-të  përndjekurve  politikë  rezulton  në  nivel  të  pamjaftueshëm  për përfundimin e këtij procesi brenda një kohe optimale, por do të vijojë të zvarritet në vite, duke mos u realizuar brenda afateve të arsyeshme,” thuhet në raport.

Vitet e fundit, fondi i parashikuar për kompesimin e ish të përndjekurve politikë është ulur nga viti në viti duke u përgjysmuar krahasuar me 5 vjet më parë. “Për këto arsye, paraqet domosdoshmëri rishikimi i këtij fondi për vitet buxhetore në vijim,” thuhet në rekomandimet e raportit të zyrës së Avokatit të Popullit drejtuar Parlamentit./oligarkia.al/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco