INTERVISTA/ Evdar Kodheli i sjell Fierit, planin e kombinuar bujqësi - bregdet dhe zgjimin kulturor - sportiv

INTERVISTA/ Evdar Kodheli i sjell Fierit, planin e kombinuar bujqësi - bregdet dhe zgjimin kulturor - sportiv

12:45, 08/05/2023
A+ Aa A-

Evdar Kodheli: "Jemi nëvitin 2023 dhe në shumë njësi administrative diskutohen çështje shumë jetësore, siç janë kanalizimet e ujërave të zeza, siç është mungesa e transportit për shumë fëmijë të shkollave që në kushte atmosferike të vështira, ecin dhe 2-3 km në këmbë pa kujdesin prindëror deri tek shkolla më e afërt." 

"Nuk kemi ambiente sportive, terrene sportive në administrim të bashkisë"

"Fieri ka vijën bregdetare më të gjatë pas Vlorës ose Fieri ka vijën bregdetare njëlloj sa Sllovenia sot dhe turizmi në Fier është shumë pak i zhvilluar, pothuajse aksidental."

"Uunë bashkë me stafin kemi përgatitur një program për të ngjallur jetën kulturore, sportive, artistike në qytetin tonë, pra t’i japim zhvillim jetës duke përkrahur të rinjtë, që janë promotori i zhvillimit dhe i jetës në një bashki."

Intervistë me z. Evdar Kodheli, kandidat i koalicionit “Bashkë fitojmë” për kreun e bashkisë së Fierit, i ftuar sot në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV nga gazetarët Flavio Qarri dhe Ola Bregu.

Kafe Shqeto: Z. Kodheli, ç’ju shtyu që të garonit për kryetar bashkie në qytetin e Fierit?

Evdar Kodheli: Ka shumë arsye, ndër të cilat do të veçoja se Fieri ka nevojë për shumë ndryshime, shumë ndryshime në jetën tonë të përditshme, shumë ndryshime në aspektin social, ekonomik, kulturor, sportiv. Fieri ka qenë ndër qytetet me rininë më të madhe dhe sot shikojmë se rinia sot është ajo që ka ikur e qyteti është i zbrazët. Në ora 8 e 9 të darkës, qyteti është i zbrazët. Ne duhet të japim kontributin tonë në mbajtjen afër dhe në krijimin e kushteve që kjo rini të mos largohet. Ka edhe aspekte të tjera, si gjendja ekonomike në qytet. Fieri ka qenë ndër qytetet më me zhvillim dhe me mirëqenien më të lartë krahasuar me shumë qarqe të tjera të republikës së Shqipërisë, ndërsa sot, çfarë ndodh?! Një fukarallëk ekstrem. E them me plot gojën, fukarallëk ekstrem. Është fshirë gara gjithandej, shumë biznese janë mbyllur dhe jeta jonë sa po vjen po bëhet më e vakët. Një qytet ku mungon rinia, ku mungon aktiviteti i zhvilluar ekonomik, një qytet ku nuk ka një aktivitet sportiv, ku zhvillohen aktivitete artistike vetëm me raste fushatash ose zgjedhjesh, ku nuk ka një kinema. Këto janë disa nga arsyet pse unë mora këtë përgjegjësi para qytetarëve të mi, që të shpalos mendimet tona, programet tona se si mund ta zhvillojmë Fierin dhe ta ngremë në një nivel që e meriton.

Kafe Shqeto: Cili është raporti me kundërshtarin tuaj? Do të doja një koment edhe në nivel qarku.

Evdar Kodheli: Nuk e kuptoj dot se si pala kundërshtare e “rilindjes” vazhdon dhe i gënjen qytetarët fierakë, pasi ka 25 vjet në drejtimin e bashkisë së Fierit pa shkëputje dhe Fieri është në këtë gjendje, që çdo ditë vjen e varfërohet. Jemi në shekullin XXI të vitit 2023 dhe në shumë njësi administrative diskutohen çështje shumë jetësore, siç janë kanalizimet e ujërave të zeza, siç është mungesa e transportit që shumë fëmijë të shkollave që në kushte atmosferike të vështira të shkojnë; shumë fëmijë në njësitë administrative ecin 2-3 km në këmbë pa kujdesin prindëror deri tek shkolla më e afërt e tyre.  Pra, jemi në një situatë që politikisht nëse do të kishim pak moral qoftë politik, po edhe njerëzor, pala kundërshtare e “rilindjes” është shumë dobët  në këtë aspekt dhe unë e ndiej veten shumë lart në aspektin e përgatitjes së një programi tepër cilësor dhe gjithëpërfshirës për gjithë bashkinë e Fierit, pasi bashkia e Fierit është një ndër më të mëdhatë.

Kafe Shqeto: A keni ju në vizionin tuaj, për një Fier pak më atraktiv?

Evdar Kodheli: Ne kemi një program shumë të detajuar, gjithëpërfshirës e tepër të saktë për ta bërë Fierin jo pak, por shumë atraktiv. Fieri ka nevojë për një mirëmenaxhim të jetës së tij, por edhe të të gjithë sipërfaqes së bashkisë. Ka një sipërfaqe prej 694 km katrorë. Fieri ka sipërfaqen e tokave të punueshme më të madhen se çdo bashki tjetër në republikën e Shqipërisë.

Fieri ka vijën bregdetare më të gjatë pas Vlorës ose Fieri ka vijën bregdetare njëlloj sa Sllovenia sot dhe turizmi në Fier është shumë pak i zhvilluar, pothuajse aksidental. Gjithashtu Fieri ka qendrën arkeologjike të dytën më të madhe në republikë, që është qendra e Apolonisë pas Butrintit.

Pra, me përkujdesje të detajuar, programi ynë do të sjellë zhvillim për bashkinë të kombinuar si në aspektin bujqësor, në aspektin e turizmit, por edhe në aspektin e jetës social-kulturore në qytet.

Ne i kemi kombinuar fare mirë me stafin tonë, që është përgatitur nga specialistët më të mirë të bashkisë, specialistë që janë privatë dhe unë jam krenar që i kam pjesë të ekipit tim program që e nxjerr nga kjo krizë e thellë bashkinë tonë në aspektin social, kulturor, artistik por edhe sportiv. E cilësoj gjithmonë “sportiv” sepse Fieri ka qenë ndër bashkitë me ekipet më cilësore dhe sportistët fierakë kanë qenë talentuar dhe elitarë në Shqipëri në të gjitha llojet e sporteve; do të theksoja këtu futbollin apo volejbollin e femrave, basketbollin, çiklizmin, boksin dhe sporte të tjera që janë lënë sot totalisht në harresë. Nuk kemi ambiente sportive, terrene sportive në administrim të bashkisë  dhe gjithë të rinjtë, në këtë fukarallëk që ka zaptuar gjithë jetën tonë, janë detyruar ata pak që kanë ngelur, të venë nëpër ambiente sportive private. Apo familjarët që kanë fëmijë, për të luajtuar fëmijët e tyre, shkojnë nëpër lokale që kanë lojëra për fëmijë, sepse këndet publike të lojërave mungojnë totalisht në bashkinë tonë. Kur flas për në qytet, llogarit që në njësitë administrative as nuk mund të përmenden gjëra të tilla. Prandaj edhe unë bashkë me stafin kemi përgatitur një program që i përfshin këto pika në mënyrë të detajuar për të ngjallur jetën kulturore, sportive, artistike në qytetin tonë, pra t’i japim zhvillim jetës duke përkrahur të rinjtë, që janë promotori i zhvillimit dhe i jetës në një bashki.

Kafe Shqeto: Z. Kodheli, ju jeni  një ekspert ekonomie. Në syrin e një profesionisti, sa kohë do t’i duhet bashkisë së Fierit pët t’u ringritur dhe për të marrë veten?

Evdar Kodheli: Dëshira dhe mirëmenaxhimi i fondeve të bashkisë, qoftë i taksave lokale! Sidomos gjatë tetë viteve të fundit e jam gati ta sfidoj kundërshtarin politik në drejtimin e partisë së “rilindjes”, janë 3-4 fishuar taksat lokale, madje në disa raste edhe janë 5-fishuar - ç’ka do të thotë mirëmenaxhimi i këtyre taksave, që ne, stafi ynë dhe programi ynë ka përfshirë ulje të taksave dhe tarifave vendore, por mirëmenaxhimi dhe profesioni që unë kryej për një kohë të gjatë në qytetin tim por edhe edhe në mirëmenaxhimin e shumë aktiviteteve që janë edhe jashtë bashkisë sonë si një menaxher i mirë, administrator -  pra bashkia ka nevojë për një administrator të mirë, ka nevojë për një specialist i cili duhet të dijë ku t’i drejtojë sipas prioriteteve shpenzimet e bashkisë dhe jo të fryjë administratën publike.

Të paktën për bashkinë Fier, që unë e kam mirëstudiuar, ka rënë ai ligji i ndarjes së re administrative, pasi qëllimi i reformës territoriale administrative ishte që të uleshin të punësuarit dhe të rritej shërbimi, por ka ndodhur e kundërta: është dyfishuar, nëse marrim të gjitha komunat dhe bashkinë që ishte në Fier, pra njesitë administrative në varësi të bashkisë, gjithë stafin e tyre, është dyfishuar numri i administratës dhe janë ulur shërbimet që u afrohen qytetarëve.

Sot duhet të vesh te dera e bashkisë që biznesi t’i marrë në mënyrë selektive taksat por edhe t’i tërheqë vetë, kur është detyrë e bashkisë t’i njoftojë të gjitha bizneset me dokumentacionin përkatës dhe t’ua dërgojë në derën e biznesit. Ndërsa sot edhe këta do të cilësoja meqë jemi edhe në fushatë, nuk ka asnjë lloj shërbimi tek bashkia Fier. Vete biznesi në derën e bashkisë për t’i paguar taksat, sepse duhet të ishin  paguar brenda datës 30 prill, ndërsa sot jemi në 8 maj dhe asnjë biznes nuk ka marrë njoftim për taksat lokale, por shkon biznesi dhe kur shkon i thonë që nuk ka personel t’i përgjigjet ose nuk është këtu X punonjës apo Y punonjës. U zgjata pak për të thonë që mirëmenaxhimi dhe administrimi i saktë i fondeve të bashkisë nëpërmjet taksave dhe tarifave vendore, por edhe i transfertave të kushtëzuara e të pakushtëzuara nga qeveria do të sjellin realizimin e të gjithë projekteve që ne kemi në programin tonë. Është program cilësor dhe 100% i realizueshëm dhe realizimi i tij do të sjellë tjetër frymë në biznesin tonë.

Është fshirë gara e ndershme në punët publike të bashkisë. Unë kam bërë dy tre denoncime që edhe gjatë kohës së fushatës, edhe 3-4 ditë më përpara për punët publike të baskisë, që nuk ka një informim, nuk ka tabela për fondin limit, kush i kryen punimet. Unë kam dërguar disa video por nuk e kuptoj pse ato nuk janë publikuar në disa media, të cilët janë dhe në formë denoncimi. Është fshirë gara, jemi në terr informativ, por programi ynë përmban transparencë për qytetarët madje kemi në program që do të jenë qytetarët që do të ngrenë prioritetet investimeve të tyre nëpërmjet vënies në punë të të gjithë personelit administrativ të njësive administrative të bashkisë.

Kafe Shqeto: Edhe para denoncimeve tuaja, kundërshtari juaj i ka bërë disa udhëtime drejt SPAK-ut, dyerve të drejtësië. A keni diçka për t’i thënë atij, një mesazh?

Evdar Kodheli: Përsa i përket problemeve me drejtësinë, le t’i zgjidhë drejtësia. Nuk janë çështje të miat apo të stafit tim, absolutisht. Ne do të flasim pasi të shprehet përfundimisht drejtësia, por unë kam për t’i bërë një mesazh publik kundërshtarit tim në këtë garë për t’i thënë “mos intimido personelin e administratës, kryej punimet konform ligjit, ligjeve në fuqi dhe mos shantazho asnjë të punësuar dhe lëri qytetarët e lirë, lëre administratën të lirë”, në mënyrë të atillë që edhe këta pak persona që kanë mbetur në Fier të bëhen të dobishëm për shoqërinë dhe të mos ndihen të trysnuar si njerëz që u mungon liria dhe demokracia.

Për qytetarët: votoni numrin 1 tek fletët e votimit! Votoni numrin 1 - numri i shpresës, numri i ringritjes dhe i sjelljes së rinisë në qytetin tonë. Votoni “Bashkë fitojmë” sepse janë programe krahasimisht të lehta, që bëjnë dallimin dhe do të sjellin ndryshimin në bashkinë tonë. /ar.sh/SYRI.NET

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco