'O ti që vjen të martën'

'O ti që vjen të martën'

12:51, 08/05/2023
A+ Aa A-

Nga Luçiano Boçi 

12.000 frymë që punojnë në sektorin fason në Elbasan rrezikojnë të humbin punën, nëse qeveria nuk ndërhyn për të normalizuar kursin e monedhës Euro. Rënia e Euros i ka shkaktuar këtij sektori vitin që shkoi 225 milion euro humbje.

Rënia e Euros ka ulur eksportet. Kjo gjendje kërcënon 12.000 vende pune në Elbasan, ose gati 25% të familjeve të bashkisë.

Kjo çështje është shumë alarmante!

Për ata që nuk e dinë, përfshi ty që vjen të martën - sektori fason në Shqipëri është punëdhënësi i dytë më i madh pas shtetit. Dhe është sektori më i rëndësishëm në sjelljen e valutës së huaj në vend. Në këtë vend, i cili varet thellësisht nga importet dhe nga mallrat që blihen jashtë, ardhja e valutës është jetike për të ruajtur ekuilibrin e kostos së jetesës.

Euro është ulur me qëllim nga Banka e Shqipërisë për t’i lejuar qeverisë mundësi për të marrë borxh të freskët. Qeveria këto para i çon tek klientët e saj.

Kompanitë e këtij sektori (por jo vetëm ato) e kanë përballuar këtë borxh, i cili prodhon flamuj të kuq tenderash dhe flamuj të zinj varfërie anembanë Shqipërisë.

Rënia e euros ka zhvlerësuar të gjitha kontratat e kompanive fason. Në të njëjtën kohë, ato do arkëtojnë më pak dhe duhet të paguajnë më shumë – qoftë në rroga, qoftë në kosto të tjera. Sipas operatorëve të sektorit, që nga fillimi i pandemisë, kostot indirekte të këtyre bizneseve janë rritur dyfish.

Në fakt – falë numrit shumë të madh të punonjësve - ky biznes mbajti barrën kryesore gjatë pandemisë, kur qeveria ju dha punëtorëve vetëm një rrogë mujore dhe bëri 20 muaj propagandë, ndërsa kompanitë paguanin rrogat e tjera çdo muaj.

Propaganda nuk është ushqim. Nuk konvertohet në asgjë përveçse në hi syve.

Do të kisha propozuar me shumë dëshirë ngritjen e zonës së lirë ekonomike/tregtare në Elbasan. Por ti që vjen të martën e konsideron armik Elbasanin dhe banorët e tij.

Ti që vjen të martën nuk ke asnjë lidhje me fatin e shqiptarëve.

Ti flet për Ballkanin e Hapur, por Serbia dhe Maqedonia e Veriut e kanë ngrirë Euron në vlerë këmbimi (prej vitesh tashmë) për të mbrojtur ekonomitë e tyre. Ti po e përdor atë si instrument për të vjedhur qytetarët dhe bizneset e tyre.

Shkupi ka dy zona të lira ekonomike. Beogradi gjithashtu. Përfund edhe Prishtina apo Tetova kanë dizajnuar zonat e tyre të lira (ekonomike). Ne nuk kemi asnjë. As në Tiranë, e aq më pak në Elbasan.

Ndërkohë unë kam përmendur se do të krijojmë Markën tonë “Made in Elbasan” dhe do të përfshijmë aty edhe prodhimet fason.

Duhet të krijojmë një produkt të pavarur dhe të integruar shqiptar të veshjeve dhe të këpucëve. Përvojën e kemi. Guximin e kemi. Dhe na mjafton vullneti politik për të nisur një proces rrënjësor ndryshimesh.

Ftoj qeverinë që – meqë uli Euron, të ulë edhe çmimet e atyre produkteve që vijnë nga jashtë dhe blihen me euro.

Shqiptarët kanë nevojë për mbështetje, jo për propagandë.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco