‘Situata alarmante e pesticideve në prodhimet ushqimore’/ PD: Paaftësi e Ministrisë së Bujqësisë

‘Situata alarmante e pesticideve në prodhimet ushqimore’/ PD: Paaftësi e Ministrisë së Bujqësisë

12:43, 08/05/2023
A+ Aa A-

Partia Demokratike reagoi sot zyrtarisht për situatën alarmante sa i përket pesticideve në prodhimet bujqësore. Kreu i Departamentit të Bujqësisë, Gjok Vuksani, tha se gjithçka vjen nga paaftësia e Ministrisë së Bujqësisë.

DEKLARATA E PLOTE

Bashkimi Evropian në të gjitha direktivat e tij përcakton domosdoshmërinë e reduktimit të rreziqeve të përdorimit të pesticideve në shëndetin e njeriut dhe mjedis.

Këto direktiva duhet te zbatohen edhe nga vendi ynë, por qeveria është vite drite larg standardeve që mbrojnë jetën e qytetarëve.

U desh alarmi i emisionit Alert që, për herë të parë konsumatorët të njiheshin me shifrat alarmante të mbetjeve të antibiotikëve dhe pesticideve në produktet bujqësore dhe blegtorale. Sa për dijeni, institucionet e kanë detyrim ligjor informimin e publikut për sigurinë e produkteve ushqimore të hedhura në treg.

Bazuar në informacionin zyrtar të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe AKU, gjatë vitit 2022 janë kryer 1958 analiza për produktet ushqimore me origjinë shtazore dhe 471 analiza për frutat dhe perimet.

Rezultatet e analizave për VEZET dëshmojnë se 9.6 % e tyre kanë pasur mbetje antibiotikësh mbi normat maksimale të lejuara. E thënë më thjeshtë, 1 në çdo 10 vezë që konsumojnë fëmijët tanë është me mbetje antibiotikësh shumë të rrezikshëm për shëndetin e tyre.

Gjithashtu, nga analizat zyrtare të MJALTIT, ka rezultuar se rreth 11% e mostrave kanë mbetje antibiotikesh mbi normat maksimale të lejuara nga legjislacioni shqiptar.

Po kështu nga të dhënat zyrtare te Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për monitorimin e mbetjeve të pesticideve në fruta dhe perime, në rang kombëtar, 11.5% e mostrave kane rezultuar me mbetje pesticidesh mbi normat maksimale të lejuara.

Pra, 1 në 10 fruta apo perime që konsumojnë çdo ditë shqiptarët, ka mbetje pesticidesh të rrezikshme për shëndetin.

Rrezikshmëria e mbetjeve të pesticideve te perimet dhe frutat rritet për faktin se ato konsumohen të freskëta dhe me sasi të mëdha.

Gjendja është ALARMANTE, por Ministria e Bujqësisë dhe institucionet përgjegjëse për sigurinë ushqimore, si pjesë përbërëse e sigurisë kombëtare, janë kthyer në operatorë Facebooku me like dhe share.

Gjendja alarmante ka ardhur si rezultat i paaftësisë së Ministrisë së Bujqësisë, duke planifikuar marrjen e mostrave për qershinë në muajin mars/prill kur nuk ka prodhim apo duke mos planifikuar analiza për karotat gjatë muajve janar, shkurt, mars kur është piku i prodhimit.

Gjithashtu perime të tilla si qepa, prasi, lulelakra , fasulja, brokoli, bizelja etj nuk janë përfshirë fare në Planin Kombëtar të Monitorimit, megjithëse janë produkte bazë të konsumit të përditshëm.

Me gjithë gjendjen katastrofike të mbetjeve të antibiotikëve në produktet me origjinë shtazore për vitin 2022, Ministria e Bujqësisë ka ulur me 25% numrin e analizave të planifikuara për vitin 2023. E thënë ndryshe: nëse ke dështuar në planifikim, ke planifikuar dështimin.

Ministria e Bujqësisë, AKMVB dhe AKU bëjnë ping-pong me njëri- tjetrin duke e lënë gjurmueshmërinë e produktit jetim dhe duke mos marrë asnjë masë për garantimin e shëndetit të konsumatorit.

Mbetjet e antibiotikëve dhe pesticideve mbi normat e lejuara janë substanca shumë të rrezikshme për shëndetin, pasi shkaktojnë që nga deformimi i fetusit deri te sëmundjet kancerogjene me pasojë vdekjen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco