Katastrofike/ Laboratori italian: Tirana me ajër kancerogjen!

09:58, 07/05/2023
A+ Aa A-

Përtej propagandës së mbjelljes së pemëve dhe vip-ave që pozojnë me lopata përkrah kryebashkiakut, ndotja e mjedisit në Tiranë është në nivele alarmante. Pikërisht për këtë arsye, një vit pasi Erion Veliaj zbarkoi në bashki, ose më mirë në 2016, kur u miratua edhe plani urbanistik, që i hapi udhë betonizimit përfundimtar, Agjensia Kombëtare e Mjedisit i ka dhënë fund matjes së cilësisë së ajrit në kryeqytet. Qëllimi është lehtësisht i kuptueshëm: Të vazhdohet me ndërtimet, betonierat shkatërrimin e parqeve dhe publiku mos e kuptojë krimin e përditshëm që ndodh në dëm të tij.

Por, me një investigim profesional, të denjë për një lloj gazetarie që duhet duartrokitur, emisioni “Piranjat” ka vendosur të zbardhë përmasat e kësaj katastrofe. Shifrat janë të frikshme. Gazetarët e Piranjave kanë kontaktuar laboratorin e specializuar ‘Neotes’, në Salerno të Italisë, për të mundësuar matjen e nivelit të ndotjes në Tiranë. Specialistë nga ky laborator zbarkuan në kryeqytet dhe në 20 pika nevralgjike (në ‘Unazën e Re’, pas 15-katëshit, tek ish-Stacioni i Trenit, tek ura e Drejtorisë së Policisë, te Brryli, pranë ‘Gardës’, te rruga ‘Don Bosko’, te Rruga e Elbasanit, Rruga e Kavajës, Kopshti Botanik, Tregu Industrial ‘5 maji’, Astir, 9-katëshet, Kombinat, Katedralja Katolike) instaluan aparaturat matëse. Rezultatet tregojnë se ndotja e ajrit është katërfish më e lartë se mesatarja e vendeve evropiane. Më i rrezikshëm është përqëndrimi i dy përbërësve kimikë, dioksidit të azotit dhe benzenit.

Kështu, mesatarja e prezencës së benzenit në Tiranë është 21.3 mikro gramë nga 5 mikrogramë që është në Itali shpjegojnë specialistët nga ky vend. Madje ka edhe zona ku ajo arrin në shifra alarmante në 101 mikrogramë për metër kub. Shiko tabelën më poshtë me matjet në të 20 pikat.

Image

Image

Koncentrimi i Benzenit në 20 pikat e matura për llogari të emisionit Piranjat me pajisje “Radielo” të teknologjisë së lartë te cilat u lanë në ambient të hapur për 8 ditë nga data 28 mars 2023 deri më 5 prill 2023

Për të kuptuar se ç’efekte ka kjo lëndë mbi jetën e qytetarëve të Tiranës duhen parë studimet e shkenctarëve që merren me kancerin. Sipas tyre, benzeni është klasifikuar nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC) si “kancerogjen për njerëzit”, bazuar në prova të mjaftueshme që benzeni shkakton leuçeminë akute mieloide (AML). IARC thekson gjithashtu se ekspozimi ndaj benzenit ka qenë i lidhur me leuçeminë limfoide akute (ALL), leuceminë limfocitare kronike (CLL), mielomën e shumëfishtë dhe limfomën. Efekte të tjera të ekspozimit kronik ndaj benzenit janë dëmtimi i indeve kockore dhe pakësimit të qelizave të palcës kockore.

Po ashtu në përmasa alarmante është edhe përqëndrimi i dioksidit të azotit. Në tabelën e mëposhtme të hartuar për “Piranjat” nga laboratori italian ‘Neotes”, shihet se ka pika ku ai arrin në shifra 9-fish më të larta sesa mesatarja e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Image

Ekspozimi afatshkurtër ndaj dioksidit të azotit (NO2) shton vdekshmërinë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, sipas një studimi të fundit të publikuar në BMJ. Ndërsa ekspozimi i zgjatur ndaj përqendrimeve të larta të NO2 mund të kontribuojë në zhvillimin e astmës, të rrisë rrezikun e infeksioneve të frymëmarrjes dhe sëmundjeve kronike të mushkërive (kollë, frymëmarrje, vë shtirësi në frymëmarrje, ulje të nuhatjes, etj.). 

Pikërisht kjo është ajo që u fshihet qytatarëve të kryeqytetit. Çmimi që paguajnë me shëndetin e tyre dhe prandaj investigime të tilla gazetareske janë shumë më të vlefshme sesa çdo retorikë propagandistike./Lapsi.al/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco