SYRI TV/ Erion Veliaj dështoi me planin për ujë 24-orë në ditë, rriti vetëm çmimin me 44 përqind

13:17, 04/05/2023
A+ Aa A-

Erion Veliaj ka prezantuar pak ditë më parë planin 5-vjeçar për furnizimin me ujë të kryeqytetit. Por teksa prezantonte planin, kryebashkiaku harroi pa përmendur dështimin me planin e fundit 5-vjeçar të prezantuar në vitin 2017. Veliaj premtoi 24 orë ujë në kryeqytet, e me këtë premtim rriti çmimin me 44 %. Por teksa këtë fushatë elektorale prezantohet plani i ri 5-vjeçar, nga dështimi i planit të vjetër, e vetmja pikë e realizuar ishte rritja e çmimit për qytetarët, por jo cilësia e furnizimi me ujë

SYRI TV

Me premtimin se për pesë vitet e ardhshme Tirana do të kishte 24 orë ujë të pijshëm, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj justifikonte rritjen e çmimit të ujit në 25 korrik të vitit 2017. Por, kur kanë kaluar jo pesë, por gjashtë vjet, Tirana nuk ka 24 orë ujë të pijshëm.

Pak muaj pas kësaj deklarate, Enti Rregullator i Ujit pranoi kërkesën e Bashkisë së Tiranës për të rritur me 44 përqind çmimin e ujit për abonentët familjarë në Tiranë, pikërisht se me këtë rritje do të justifikohej investimi për furnizimin 24 orë ujë për kryeqytetin.

Mirëpo si qëndron situata sot? Vetë Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve, në raportet e saj vjetore të analizës së ujit, ka pranuar dështimin e furnizimit të kryeqytetit me 24 orë ujë. Në një takim për prezantimin e Planit Strategjik 5-vjeçar për Ujësjellësin, të zhvilluar në 11 prill 2023, Veliaj u justifikua me faktin se, për shkak reformën administrative të vitit 2015, territori i Tiranës u rrit ndjeshëm dhe rrjedhimisht, u shtua edhe numri i qytetarëve që kanë nevojë për furnizim me ujë të pijshëm. Në raportin e publikuar marsin e këtij viti, Enti i Ujit është kujdesur të mos përmendë qytetet që ofrojnë shërbim të plotë, me shumë mundësi për të mbrojtur imazhin problematik të Bashkisë së Tiranës dhe Erion Veliajt para zgjedhjeve lokale.  Gjithsesi, të dhënat për ujësjellësit me performancë pozitive furnizimi 24 orë në 7 ditë të javës gjenden në raportin e vitit 2021 të Entit Rregullator të Ujit, ku shkruhet e zeza mbi të bardhë se në Tiranë ka rreth 17 orë ujë në ditë.

Pra, thjesht kur ende nuk është publikuar raporti për vitin 2022, duket qartë se Erion Veliaj ka mashtruar qytetarët duke mos arritur të mbajë premtimin për 24 orë ujë, për të cilin sot një familje e Tiranës paguan gati dyfish më shumë tarifë seç paguante më parë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco