Rritja e rrogave, kafshatë që nuk do mund të kapërdihet

Rritja e rrogave, kafshatë që nuk do mund të kapërdihet

11:16, 01/05/2023
A+ Aa A-

Nga Ted Kopliku dhe Gledis Muhametaj*

Kjo fushatë është gjithçka përveçse fushatë ku përballen programe për administrimin e qytetit. Kampi qeveritar, në vend që të zbriste në terren për te bëre bilancin e një menaxhimi total të territorit që nga 2019, ka zgjedhur ta kalojë këtë me kërcime tallava dhe kërcënime nëse votohen kandidatët e opozitës, a thua se kryeministri e ka buxhetin e shtetit për të shpërndarë lëmoshë prej xhepit të tij. Në këto kushte debati mbi programe është i pamundur. Megjithatë, bashkë me orkestrën e dajreve, përfaqësuesit e qeverisë kanë nje premtim për shqiptarët, atë të rritjes me 30 % të rrogave. Edhe pse kjo është e ndaluar me ligj përgjatë fushatës elektorale, qeveria po hap thesin për shqiptarët.

Një rritje është aplikuar duke filluar nga 1 prill 2023. Çdo biznes duhet të paguajë më shumë rrogën minimale të punëtorëve, e cila rastësisht është rritur këtë muaj në 40 000 lekë. Ambiciet e qeverisë janë ta rrisin rrogën minimale,në pranverë të 2025 (edhe ky muaj elektoral), në 45 000 lekë dhe mandatin tjetër të arrijë në 60 000 lekë. Nuk ndalen vetëm me kaq premtimet, por ata përcaktojnë edhe rrogën mesatare në 900 € (edhe më e pakuptueshme llogaria).

Disa pyetje lindin. Ku gjenden këta lekë? Çfarë do të prodhojnë në ekonominë shqiptare? Pse tani dhe pse këto shifra në kaq pak kohë?

Emigracioni masiv i shqiptarëve reflektohet ne xhirot e bizneseve. Më pak blerës, më pak lekë. Rritja e çmimeve nga ana tjetër ja ka rritur kostot. Gjithashtu, fuqia blerëse e shqiptarëve ka rëne dhe biznese mbyllen çdo ditë.  Në këto kushte qeveria i detyron t'i rrisë edhe pagat punëtorëve. Përveç bizneseve, qeveria do i rrisë rrogat edhe administratës. Pyetjes ku gjenden këta lekë kryeministri i përgjigjet duke shpjeguar arkëtimet shtesë që shteti shqiptar ka vjelur falë rritjes së çmimeve. Çmime më të larta, taksa më shumë për arkën e shtetit.

Pa u futur në hipoteza që ky do të jetë mashtrimi i radhës, e marrim të mirëqenë faktin që kjo rritje do realizohet sipas planit të qeverisë. Edhe pse në 10 vite nuk ka pasur asnjë rritje të përfillshme rrogash, brenda pak muajsh do kemi rritje progresive të saj. Por rritja e rrogave duhet të lidhet domosdoshmërisht me disa parametra të ekonomisë që lidhen me rritjen ekonomike të vendit, inflacionin ndër vite, rritjen e produktivitetit dhe efiçencës falë teknologjisë apo me investimet e huaja. Tek asnjë nga këta parametra nuk është mbështetur premtimi per rritje pagash të menjëhershme.

E vetmja e vërtetë në këtë histori është rritja e arkëtimeve falë rritjes së çmimeve apo kursit ë këmbimit të lekut me euron e zhvlerësuar nga paratë e drogës. Nëse kjo justifikon rritje të përkohshme të rrogave në administratë ajo nuk mund të jetë një burim i besueshëm për vitet që vijnë. Rritja e çmimeve e ardhur në kushtet e COVID-19 apo luftës në Ukrainë nuk mund të vazhdojnë në përjetësi. Arkëtimi nga rritja e çmimeve nuk është karakteristikë e ekonomisë por situatë e imponuar e përkohshme.

Problemi i mos gjetjes të një burimi të përhershëm nuk është i vetmi. Rritja e rrogave në formë artificiale rrit automatikisht çmimet, duke mos rritur fuqinë  blerëse. Do të ketë nje kërkesë të përgjithshme për më shumë konsum dhe zhvlerësim të lekut. Bizneset që prodhojnë brenda vendit do të përballen me vështirësinë e prodhimit të njësive shtesë apo me kostot operacionale (pagesa e rrogave), ndërkohë që biznesi që prodhon për tregun e huaj do përballet me koston shtesë për shkak të zhvlersimit të lekut ndaj monedhave të huaja.

Sigurisht, këto premtime dhe pretendime vijnë ne një kontekst fushate elektorale ku qeveria nuk ka asnjë bilanc për të paraqitur, por përveç kësaj kjo rritje rrogash është një mollë e helmuar. Një instrument i pastrimit të parave të krimit të hedhura në industrinë e ndërtimit.

Dhjetëra mijëra apartamenteve stok në Tiranë do u shtohen 12 000 të tjera në Durrës apo mijëra të tjerë nga projektet në marinën e Sarandës dhe Vlorës që priten të ndërtohen. Rritja e rrogave, sipas të gjitha eksperiencave të studiuara, krijon efektin psikologjik që mundet dhe duhet të blejnë, kryesisht në pasuri të paluajtshme. Nga ana tjetër bankat do kenë lehtësime për huamarrës me rroga më të larta.

Efekti i parë i kësaj rritje do jetë pasurimi i ushtrisë së administratës në shërbim të pushtetit e cila fryhet çdo ditë dhe pasurimi i oligarkëve rreth Edi Ramës në mënyrë legale. Lekët e shqiptarëve në këtë formë futen në ciklin e pastrimit të parave të krimit.

Efekti i dytë janë dy skenarë, ose recesion, ose hiperinflacion. Duke pasur një rritje rrogash jashtë çdo lloj parametri logjik të ekonomisë, të konkurrencës së lirë, dhe jo nga rritja e produktivitetit, progresit teknologjik apo specializimi të krahut të punës, do kemi, ose zhvlerësim të të gjitha aseteve dhe rënie ekonomike, ose rritje e pakontrolluar e çmimeve. Kjo situatë do të kushtëzojë aksesin e shtresës së mesme dhe të ulët në produktet e shportës apo do bëjë të pamundur  shlyerjen e kredisë e shtëpisë. Efekti nuk do kursejë as bizneset. Bizneset e vogla dhe të mesme janë viktimat e para, duke rrezikuar mbylljen, ndërkohë bizneset e mëdha për arsyet që përmendëm më lart do humbin miliona. 

Rritja e rrogave e Ramës në kaq pak kohë jo vetëm është një masë populiste, por edhe e rrezikshme. Pastrimi i parave, fuqizimi i pushtetit, kolapsi i bizneseve dhe shkatërrimi i ekonomisë do bëjnë Shqipërinë nje shtet të falimentuar, me një grusht të vogël njerëzish në krye, të cilët kanë akumuluar pasuri në shpinë të shqiptarëve.

"Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi" thoshte Migjeni. E tillë do të jetë edhe molla e helmuar që Rama i ofron shqiptarëve të kafshojnë, për të mos dhëne llogari për dështimet e tij.

Sot rrezikohet demokracia në kuptimin e parë të fjalës dhe e drejta e parë që kemi humbur është e drejta për të konkurruar me programe apo për të folur për ekonomi dhe çështje të tjera që shqetësojnë shqiptarët dhe do duhej të shqetësonin edhe qeverinë. Demokracia është burimi i vetëm i funksionimit të një shoqërie që pretendon se e ka kapërcyer fazën feudale e diktatoriale të organizimit. Mbrojtja e saj fillon me ndërgjegjësimin e shoqërisë për gravitetin e aventurave si kjo me rritje rrogash, pa plotësuar asnjë parametër që do ta justifikonte.

*Autorët janë anëtarë të Departamentit Brain Gain në Partinë Demokratike

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco