Lajmi i fundit

‘Vjedhjet’ me ‘5D’, opozita vijon protestë sot te bashkia e Tiranës

Të rimarrësh vendin tënd

Të rimarrësh vendin tënd

20:15, 30/04/2023
A+ Aa A-

Nga Pranvera Shehaj*/

A thua ta marr avionin e të shkoj? Të shkoj sa t’i them ndërgjegjes sime se vendin nuk e lashë, më përzuri. Më përzuri, zemrën ma shtrydhi e trupin ma degdisi ku desha e ku deshi, përpos gjithë përpjekjeve të mia për ta dashur mes varfërisë ku u rrita e mes meskiniteteve që pashë qysh kur isha fëmijë .

I bukuri vendi im, më mësoi qysh fëmijë, se meritokracia është prostitutë që blihet dhe shitet me kostum e pak miliona. Ma mësoi kur nuk i dhimbsesha të bukurit vendit tim ndërsa ndrydhja lotët kur titujt sot m’i jepnin e nesër m’i merrnin. Ma mësoi kur nuk e dëgjonte tim atë ndërsa më thoshte “Mëso për vete, se kaq fuqi kemi”. Dhe mendja ime e vogël sa një fëmijë, e madhe sa një shpirt i vrarë, luftonte me absurdin e pyeste veten “Fuqi për çfarë, kur bota ime e vogël më dukej po aq e pandalshme sa një uragan?” Të voglat ngacmime në zemër s’më kishin lënë plagë as kur kostumet e mia nuk ishin në standardin e atyre që më rrethonin. Plagë kishte lënë vetëm vrasja e besimit në sytë e shkruar të një vajze të vogël, plagë që teksa rritej, në anë të botës si e marrë kërkoi ta shëronte.

M’i mësoi rrugët vendi im qysh fëmijë, ashtu si më mësoi se turpi zë shkollimin, punën, moralin dhe drejtësinë. M’i mësoi qysh fëmijë, i bukuri vendi im, ashtu si më mësoi se aty nga vij netët pa gjumë drejt ëndrrave të mëdha janë gënjeshtër që përpin të mundurit, janë komedi që gajas të shkathtit, janë baltë ku shkelin injorantët. Më mësoi vendi im që nga diku në botë sot të shoh se sa qindra e mijëra si unë, e mbyllën derën e Shqipërisë pas vetes e lejuam së bashku që ai vend të jetë parajsa në tokë e mëkatarëve. Pse mëkatarë? Se burim i gjithë mëkateve është injoranca. E të mbeturit aty sot, në të bukurin vendin tim, dëshirën për ta ndërtuar jetën e kanë vetëm ata, mëkatarët.

Rebele në heshtjen time sot, po aq sa isha e ashpër ndaj absurdeve që shihja qysh fëmijë, kthej përgjigje ndaj kujtdo që shitet e blihet si patriot me alibinë se në të bukurin vendin tim ende jeton. Prej Gushtit 2013, s’jam më patriote? Si ka mundësi kur zemra më rreh po aq fort sa fëmijë për vendin tim? Si është e mundur kur shije të idhta në mendjen dhe zemrën time, mpleksen aq vrullshëm me një ndenjë përkatësie, trashëgimnie e dashurie të pakonsumuar mjaftueshëm për vendin tim? Si është e mundur të mos jem patriote kur gati një dekadë jashtë Shqipërisë, nuk mundi të shkulë nga subkoshienca ime asnjë grimcë melankolie për vendin tim, ndërsa mendjen ma kthjelloi për ta lexuar si kristali mjerimin, trishtimin, dëshpërimin, depresionin, braktisjen që ka fashitur sot vendin tim? Jam patriote se jam e lirë të shoh me sytë e të vërtetës se Shqipëria e fëmijërisë dhe adoleshencës sime nuk ishte e drejta absolute, madje ishte ajo që plagë të vogla shënjoi tek unë në çdo hap të rritjes, por kurrë, kurrë s’më ishte dhimbsur më shumë se sot, kurrë nuk e kisha parë më të pashpresë se sot, më të shkretë se sot, më të huaj se sot, më të tallur e të pa identitet sa sot.

Shqiptari im, si patriote zgjedh ta marr avionin e sa herë shansi më vjen në duar, gurin tim të vogël, të dobët, të padukshëm mbase, në kontribut të ideologjisë dhe besimit tim social, politik dhe ekonomik, ta vendos! Të vij e të të them ty se në gushtin e dhjetë viteve më parë nuk ika që vota jote Shqipërinë tonë ta kthejë në cirk të të paaftëve që kanë hedhur rrënjë, e letrat e zyrave i trashëgojnë ndër breza. Ika se jetën time në pazar të ideologjisë majtiste që konkretizon paralajmërimet e Orwell nuk e lija dot. Ika se të ardhmen nuk e përfytyroja dot me çizmen e ngjeshur në fytyrën time, si në 1984-ën e Orwell, si në Shqipërinë tonë sot.

Shqipëria është imja po aq sa jotja e për më tepër që e imja është pa i marrë as vend pune, as korrupsion, as tendera, as poste, asgjë në këmbim. Se në fakt kurrë nuk m’i dha e kurrë nuk ia kërkova. Imja është pa më dhënë asgjë, e duke më dhënë gjithçka: identitetin. Si patriote, vij të të them ty, ty që mjerimi shpirtëror e intelektual të bën të besosh se vendi ynë është mirë, se vdekjet e zgjatura nuk bëjnë kurrë zhurmë. Të të kthjelloj se vendi ynë po vdes e thikën ngadalë ia rrotullon në zemër verbëria jote ndaj një mëkati që po mallkon breza me radhë. Unë, ne, fatkeqësisht shumë më shumë se ju ende brenda kufirit, kemi vite që vdesim në turma e turma duke humbur identitetin në cdo skaj të globit.

E megjithatë, ashtu si lutja në prag dëshpërimi, lutem e besoj se fundi nuk ka ardhur. E di se nëse do të vijë, do të thotë se Shqipëria u është kthyer shqiptarëve!

*Politologe; Doktoreshë e Shkencave Ekonomike

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco