SYRI TV/ Rama: Blejmë energji se na duhet, raporti i ERE e nxjerr zbuluar: Kompensim humbjesh

16:10, 30/04/2023
A+ Aa A-

Por teksa Kryeministri Edi Rama thotë se blejmë energji për shkak të nevojave, e vërteta duket ndryshe. Në vitin 2022, Shqipëria bleu 1.4 milion megavat orë energji elektrike duke shpenzuar plotë 503 milionë euro. E gjithë energjia e blerë, duket se ka shkuar për të kompensuar humbjet në rrjetin e shpërndarjes, të cilat janë gjithashtu 1.4 milionë megavat orë në vit. Në raportin e ERRE-s për energjinë për vitin 2022, theksohet gjithashtu se Shqipëria ka blerë me rreth 70 për qind më shtrenjtë energjinë nga sa e ka shitur.

Syri tv

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të diel nga Kopliku, se një pjesë e buxhetit të shtetit shpenzohet për të blerë energji, për shkak të nevojave që ka vendi. Sipas kreut të qeverisë, këto nevoja nuk plotësohen nga prodhimi vendas. Por në fakt, duket se e vërteta është ndryshe. Pak ditë më Parë, Enti Rregullator i Energjisë, ka depozituar për miratim në Kuvend raportin e Energjisë Elektrike në vend për vitin 2022. Sipas Raportit, rezulton se Shqipëria ka blerë rreth 1.4 milionë Mega vat orë energji elektrike, për një shumë totale prej rreth 503 milionë euro me TVSH. Nga raporti, rezulton se Shqipëria ka shitur rreth 195 mijë mega vat orë energji për një shumë totale prej 38 mijë eurosh, apo dhjetëra herë më pak sesa janë shpenzuar për të blerë.

Duke mbetur te këto Shifra, rezulton se sipas ERRE, Shqipëria ka blerë Energji elektrike 304 euro për mega vat orë mesatarisht, ndërsa e ka shitur shumë herë më pak, me rreth 180 euro për megavat orë mesatarisht. Por, ky duket se nuk është i vetmi problem, që del nga të dhënat e ERRE, ku vendi ynë ka blenë më shtrenjtë se sa shet. Një tjetër detaj, që rrëzon argumentet e Kryeministrit Edi Rama, është fakti se Shqipëria vijon të ketë humbje të mëdha në rrjetin e shpërndarjes së energjisë.

Sipas raportit, vetëm gjatë vitit 2022, Shqipëria ka humbur në rrjetin e shpërndarjes rreth 1.4 milionë megavat orë energji elektrike, apo rreth 20 përqind të sasisë së energjisë së hyrë në rrjetin e shpërndarjes. Humbjet në rrjet, janë të barabarta me sasinë e energjisë së blerë nga jashtë. Pra, vetëm gjatë vitit 2022 humbjet e energjisë në rrjetin e shpërndarjes, u kanë kushtuar qytetarëve shqiptarë plotë 503 e milionë euro, të cilat nëse do të ishin investuar për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes, do të uleshin jo vetëm humbjet e energjisë në rrjet, por njëkohësisht do të kurseheshin edhe para.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Noc rroku30/04/2023 17:26

Kujdes shifrat 195 mijë MW për 380mijë euro.

Shto koment

Denonco