Rama mbron Vuçiçin/ Analisti: Po lobon për njeriun e Millosheviçit

Rama mbron Vuçiçin/ Analisti: Po lobon për njeriun e Millosheviçit

08:23, 28/04/2023
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama bëri sërish dje avokatin mbrojtës të Serbisë, teksa ditët e fundit është shtuar presioni ndaj Beogradit nga BE dhe SHBA për respektimin e marrëveshjes së Ohrit.

Rama deklaroi në një intervistë për emisionin “Porta a Porta”, se “duhet ta mbajmë Serbinë shumë pranë dhe duhet të bëjmë gjithçka që të jemi të bashkuar politikisht”. I pyetur nëse Shqipëria i frikësohet një zgjerimi të mundshëm të Bashkimit Europian që përfshin Serbinë, në një kohë kur Serbinë e shohim shumë pranë Rusisë, Rama tha se “jo, vetëm që nuk i trembemi kësaj, por jemi një zë mjaftueshëm i dalluar në Ballkanin Perëndimor që thotë se duhet ta mbajmë Serbinë shumë pranë dhe duhet të bëjmë gjithçka që të jemi të bashkuar politikisht”.

“Nga ana tjetër, sigurisht që ka dallime sepse Serbia nuk e ka sanksionuar Rusinë për arsye të qarta që në një moment duhet kuptuar se ato janë arsye të natyrës politike dhe historike, por edhe të natyrës pragmatike”, shtoi kryeministri.

Duke folur mbi ndikimin e luftës në Ukrainë në Ballkan dhe në veçanti në Shqipëri, Rama tha se “duhet të bëjmë gjithçka për të shmangur që pasioni luftarak, të mos na përfshijë edhe ne në krijimin e mosmarrëveshjeve mes vendeve anëtare të NATO-s dhe pro NATO-s në Ballkan dhe mes Serbisë dhe komuniteteve që i përkasin një bote sllavo-ortodokse, që është e lidhur ngushtë me Rusinë”.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit, Rama theksoi se nuk mund të mendohet një Bashkim Europian që përfshin Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit, pa Serbinë. Rama foli edhe për luftën në Ukrainë, ndërsa theksoi se, “mundësia më e madhe është që ky është një nga konfliktet e ashtuquajtura të ngrira, por me një dimension mjaft mbresëlënës që mund të marrë peng jo vetëm Rusinë dhe Ukrainën, por të gjithë botën për një periudhë të gjatë kohore. Dhe, nëse rusët kanë qenë gjithmonë luftëtarë mjaft të ashpër, ukrainasit janë të njëjtë. Kështu të thuash që këtu mund të vendoset pa ata, më duket mjaft e vështirë”.

Analisti polak, Jakub Bielamowicz, ekspert në çështjet e integrimit europian, reagoi pasi kryeministri Edi Rama mbrojti sërish Serbinë dhe Aleksandër Vuçiç, duke thënë se nuk ka integrim të Shqipërisë në BE pa Serbinë.

“Pavarësisht nga probabiliteti i ulët që ndonjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohet në BE së shpejti, është sërish e habitshme të shohësh kryeministrin shqiptar, Edi Rama, duke lobuar për anëtarësimin e Serbisë në BE, të cilin lidershipi aktual post-Millosheviçit e ktheu në shtetin kandidat më pak të përshtatshëm për anëtarësim”, shkruan ai.

Kujtojmë se Rama ka lobuar vazhdimisht për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Në jo pak momente ka arritur deri aty sa ka sulmuar Bashkimin Europian dhe vendet perëndimore dhe ka mbrojtur Beogradin. E bëri këtë kur SHBA dhe BE vendosën sanksione për Rusinë, gjë të cilën Serbia i refuzoi dhe menjëherë Rama bëri zëdhënësin e qeverisë serbe, duke thënë se Vuçiç duhet mirëkuptuar. Rama mendon më shumë për Serbinë dhe popullin e saj sa për qytetarët e vendit të tij. Dhe këtë e tregoi edhe në intervistën e dhënë për ‘Associated Press’, ku këshillon BE-në që të mbajë afër Serbinë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco