INTERVISTA/ Ismail Uka: Projekti famëkeq i Skavicës zhduk 33 fshatra, Edi Rama e shpërbën totalisht Dibrën!

INTERVISTA/ Ismail Uka: Projekti famëkeq i Skavicës zhduk 33 fshatra, Edi Rama e shpërbën totalisht Dibrën!

10:56, 27/04/2023
A+ Aa A-

Ismail Uka:  Rilindja ka zgjedhur simbolikën e mbjelljes së pemëve, kur Dibra nuk vuan  për mbjellje pemësh. Në Dibër për 8 vjet, 10 vjet në qeverisje, Rilindja mbolli varfëri, mbolli largimin e të gjithë dibranëve."

Aktualisht në Dibër rezulton se është instaluar ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, znj. Belinda Balluku me të gjithë drejtorët e përgjithshëm në varësi dhe kërkon me çdo kusht të imponojë rezultatin e zgjedhjeve. Në fakt nuk ka hallin e kandidatit të saj, të Rilindjes, për ta bërë kryetar bashkie, por për një projekt, hidrocentralin e Skavicës.

Ismail Uka, kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Dibrës, dha një intervistë sot në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV me gazetarët Flavio Qarri dhe Ola Bregu.

Kafe Shqeto: Z. Uka! Kreu i PD i ka cilësuar këto zgjedhje për pushtetin vendor si zgjedhje të jetës, që do të përcaktojnë fatin e vendit. Për ju, ç’tregojnë këto zgjedhje në 14 maj?

Ismail Uka: Ajo çfarë tha z. Berisha është tepër e vërtetë, por unë do t’i konsideroja këto zgjedhje në fakt si referendum. I tejkalojnë pritshmëritë e zgjedhjeve administrative për rëndësinë që kanë në aspektin edhe administrativ, edhe në aspektin politik, për shkak të dy sfidave me të cilat bashkia e Dibrës aktualisht përballet. Këto zgjedhje, për nga mënyra se si po zhvillohen në bashkinë Dibër, kanë një rëndësi të veçantë, konsiderohen si referendum midis asaj çfarë duhet të vendosin qytetarët e Dibrës: duhet të vendosin për sfidën e shpopullimit, duhet të vendosin  për sfidën e Skavicës apo të vendosin për ndryshimin, duhet të vendosin për një të ardhme ndryshe.

Kafe Shqeto: Po ndërkohë, Dibra përballet me rrezikun e disa veprave që nuk duhet të bëhen. Nëse vini në pushtet dhe fitoni më 14 maj, cilat do të jetë ato sipërmarrje që do të bëhen?

Ismail Uka: Ne vijmë nga një tur takimesh dhe e vijojmë turin e takimeve dhe të ballafaqimeve me të gjithë zgjedhësit dibranë. Kemi shkuar kudo dhe kam prezantuar platformën time si kandidat i koalicionit “Bashkë fitojmë”. Në fakt ne po bashkëbisedojmë dhe po vendosim një urë komunikimi me të gjithë zgjedhësit ndërkohë që e kundërta ndodh në kampin e Rilindjes, e cila për dy mandate në bashkinë e Dibrës rezulton se ka eksperimentuar gjashtë kryetarë bashkish. Ajo duhet në fakt të ballafaqohet me zgjedhësit, t’u japë llogari atyre për gjithë premtimet që iu ka bërë në këto tetë vite, sidomos në mandatin e fundit, të ballafaqohet me sfidat dhe problematikat e tyre. Po nuk ka zgjedhur këtë rrugë. Ata kanë zgjedhur rrugën, që sikurse edhe ju si TV e pasqyroni në mënyrë të përditshme, rrugën e patronazhimit; kanë zgjedhur rrugën e simbolikës së mbjelljes së pemëve; Dibra nuk vuan  për mbjellje pemësh, por në Dibër për tetë vite, dhjetë vite në qeverisje qendrore të vendit, Rilindja mbolli varfëri, mbolli largimin e të gjithë dibranëve.

Po jap disa shifra që janë tronditëse. Rezulton se bashkia e Dibrës ka gjithsej 73 348 banorë dhe vetëm në dhjetë vitet e fundit të paktën sipas të dhënave ët INSTAT rezulton se janë larguar, janë fshirë nga bashkia Dibër, 21.7%, janë larguar nga vendi pa kthim mbrapa.

Pra, shpopullimi është një nga sfidat kryesore dhe jemi bashkia e dytë në vend pas Kukësit që kemi përjetuar këtë dramë. Është aktualisht vendi më i pashpresë për shkak të varfërisë, për shkak të keqmenaxhimit, keqadministrimit, jemi bashkia që jemi lënë në harresë.

Edhe në kohën e diktaturës kemi qenë, por edhe pas viteve ’90, me thënë të drejtën, bashkia Dibër është konsideruar si një “xhep” i Shqipërisë. Këto janë në tërësi sfidat me të cilat ne përballemi sot, por sfida më e madhe për dibranët është ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës.

Aktualisht në Dibër rezulton se është instaluar Zv.Kryeministrja dhe njëkohësisht Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, znj. BelindA Balluku me të gjithë drejtorët e përgjithshëm në varësi dhe kërkon me çdo kusht të imponojë nëpërmjet mënyrës së imponimit apo ndikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Në fakt nuk ka hallin e kandidatit të saj, të Rilindjes, për ta bërë kryetar bashkie, por bëhet fjalë për një projekt, hidrocentralin e Skavicës, që e kanë parashikuar në mandatin e ardhshshëm për ta ndërtuar, pasi më datë 7 prill 2021 ka hyrë në fuqi ligji për pikën e kontratës, fazën e parë të fizibilitetit, një studim, që ka një vlerë prej 500 milionë eurosh, ndërkohë që projekti parashikon që të ndërtohet me një shumë ose investim prej 3 miliardë lekësh.

Ky projekt është shumë famëkeq dhe unë i kam sensibilizuar të gjithë qytetarët në takimet me ta që ta kundërshtojnë në mënyrë kategorike. Përfundimisht, unë do ta quaja këtë projekt një spastrim etnik të Dibrës.

Shkon përtej investimit ose pritshmërive të dibranëve. E quaj spastrim etnik sepse zhduk 33 fshatra dhe banorët e  33 fshatrave i përmbyt ky projekt. Ka një kuotë prej 443 metrash, përmbyt 16 mijë ha tokë. Nga ana tjetër zhduk një trashëgimi kulturore prej 3 mijë vjetësh, historinë e tremijë viteve të dibranëve. Nga ana tjetër zhduk edhe identitetin edhe nga ana e gjendjes civile. Pra, ky projekt nuk ndikon vetëm në zonat e përmbytura, po për shkak edhe të ndikimit që do të ketë në mjedis, për shkak të mjegullës, për shkak të lagështirës e bën të pabanueshme edhe pjesën e mbetur të Dibrës, një pjesë të së cilës e ndan përmes.

Pjesa matanë, siç e themi ne,  e lumit Drini i Zi, do të ngelet, do të kalohet sipas Edi Ramës nëpërmjet gomoneve, siç i shikojnë dibranët nëpërmjet Kanalit të La Manshit për në Angli. Ndaj thirrja ime është për të gjithë dibranët që t’i dalin zot me votën e tyre, që t’i dalin zot familjes së tyre, fëmijëve të tyre, t’i dalin zot pronës së tyre, t’i dalin zot gjithë Dibrës sepse në rast të kundërt, ata janë gjahu i radhës. Përfundimisht, Dibrën, me këtë lëvizje, Edi Rama e shpërbën totalisht.  

Kafe Shqeto: Z. Uka, ju përmendët togfjalëshin “spastrim etnik”. Duket se ky plan është gatuar më herët, veçanërisht me ndërhyrjet dhe dosjen e famshme të abuzimti me zgjedhjet, Dosja 184.

Ismail Uka: Dosja 184. E njoh atë dosje për shkak të profesionit se jam avokat.

Kafe Shqeto: Çështja është, ky imponim, ky angazhim për të manipuluar vullnetin e zgjedhësve dibranë, a do të ndodhë më 14 maj dhe a e keni adresuar çështjen e mbrojtjes së votës?

Ismail Uka: Sikurse e parashtrova më sipër, e konsideroj një projekt që quhet spastrim etnik për një fakt. Nuk e di sa jeni në dijeni të historisë së Dibrës për sa i përket pjesës ku prek hidrocentrali. Unë po sjell në vëmendjen tuaj dhe të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, që të paralindurit tanë kanë luftuar dhe e kanë mbrojtur me gjak pronën  e tyre sepse serbët (por edhe turqit), serbët e kanë kërkuar Dibrën deri në lumin e Drinit të Zi dhe janë bërë shumë beteja për ta mbrojtur vendlindjen, pronën, trojet.

Dhe atë që s’e bëri as Enver Hoxha, qeveria e tij e diktaturës, sot po ua bën dibranëve Edi Rama! Ky projekt nuk është projekt që i shërben në fakt interesit publik. Bëhet fjalë se po bëhet një investim në kushte hidrike, të prodhosh energji nëpërmjet hidrocentraleve në vitin 2023 siç kërkon Edi Rama të prodhojë në Shqipëri, kur teknologjia, alternativat e prodhimit të energjisë alternative janë të shumta. 

Konkretisht, ne i afrojmë edhe një mundësi qeverisë shqiptare nëse ajo kërkon të prodhojë energji, kemi toka inproduktive që mund t’i vëmë në dispozicion  që janë nga inventari i fondit të bashkisë; ia vëmë në dispozicion qeverisë për të investuar nëpërmjet paneleve diellore për të prodhuar energji, e cila ka kapacitete shumë më të mëdhaë.

Përsa i përket ndikimit të qeverisë, presionit të qeverisë në lidhje me manipulimin e zgjedhjeve, natyrisht që unë jam i vendosur, jam ekspert i kësaj fushe po edhe për shkak të profesionit që unë ushtroj në strukturat e PD dhe në koalicionin “Bashkë fitojmë”, me të gjithë dibranët jemi të vendosur dhe  ne i kemi dhënë mesazh edhe gjithë Shqipërisë jo më larg se viti 2021, kur makinat e qeveritarëve me punonjës të saj u kapën në flagrancë, u proceduan dhe janë dënuar sot për vjedhje votash. U u kapën me lista votuesish. Të njëjtën gjë, të njëjtin fat... ndaj unë iu bëj thirrje të gjtiha patronazhistëve që janë angazhuar në këtë proces për llogari të Rilindjes, për llogari të Edi Ramës, për llogari të Belinda Ballukut.

Kafe Shqeto: Në fakt ju i keni drejtuar akuza qoftë kryebashkiakut aktual në Dibër, ku keni thënë se kjo bashki nuk do të vazhdojë të drejtohet më vetëm nga Tirana dhe nga ana tjetër edhe për drejtorin e ARRSH, të OSHEE, të Tatimeve që duket se kanë marrë listat e votuesve dhe kanë dalë nëpër shtëpi për të blerë vota e në rast se këto vota nuk sigurohen ata, nuk do të jenë më në punë më 15 maj. E keni denoncuar, është marrë ndonjë masë ndaj këtyre personave?

Ismail Uka:  Po thjesht një fakt. Ata kanë nënshkruar një deklaratë dorëheqjeje të cilën e kanë nënshkruar para se të vijnë në Dibër.  Në fakt, të gjithë drejtorët që janë në varësi të zonjës Balluku, që ju mund ta investigoni, mund ta shikoni, është një deklaratë dorëheqjeje. Në rast se ata humbin zgjedhjet do të dorëhiqen.

Ne e kemi denoncuar. Unë kam pasur një takim me përfaqësuesit e OSBE/ODIHR ku kam bërë prezent të gjithë problematikën. Nga ana tjetër unë kam ndjekur dhe do të vazhdoj të ndjek, të denoncoj në rrugë ligjore dhe unë po ju them me sinqeritet që beteja ime për votën është një ndër sfidat më të mëdha që kam siç është sfida për shpopullimin, për projektin e Skavicës dhe ndër këto beteja është edhe sfida për votën e lirë. Me gjithë njerëzit që kemi, si në aspektin ligjor, jemi të vendosur që vota dhe vullneti i dibranëve do të respektohet.

Kafe Shqeto: Faktori opozitar veçanërisht në Dibër ka pasur edhe ndarje edhe mospërputhje në mendime. Cili është apeli juaj përbashkues ndaj çdo faktori opozitar?

Ismail Uka: Me këtë rast përcjell mesazhin e bashkimit, pasi sikurse jeni të informuar nga “background” im vij nga fusha e avokatisë, kam edhe atë politik, pasi kam qënë për një periudhë të caktuar drejtues i degës 21 në Dibër; nga ana tjetër kam vite që ushtroj profesionin e avokatit dhe jam njëkohësisht kryetar i Dhomës së Avokatisë në qarkun e Dibrës.

Në procesin e primareve, një ndër pikat e platformës sime ka qenë pikërisht bashkimi i të gjithë demokratëve në një front të vetëm sepse e keqja më e madhe jona nuk është opozita, po është pikërisht kjo qeverisje e Edi Ramës dhe e Rilindjes që sot ka arritur që të largojë 931 mijë shqiptarë, ka arritur ta kthejë vendin në një vend pa shpresë, pa jetë, ku njerëzit largohen çdo ditë e më shumë. Njerëzit janë në një depresion psikologjik, depresion ekonomik, depresion social. Unë me këtë rast i ftoj përsëri të gjithë demokratët pasi ata kanë marrë pjesë në procesin e primareve, kanë qenë 1137 demokratë, simpatizantë të PD, që kanë marrë pjesë në votim, më shumë se disa degë të PD që janë të bashkive të kategorisë së parë dhe unë kam siguruar mbështetje në të dy raundet e zgjedhjeve duke u shpallur fitues e njëkohësisht kam ftuar dhe bërë pjesë të procesit, po jo vetëm kaq. Thirrja ime shkon për të gjithë dibranët, të bashkuar për të përballur të gjitha këto sfida të cilat janë sfida shumë të rëndësishme që shkon përtej rëndësisë që kanë këto zgjedhje, përtej  rëndësisë së zgjedhjeve administrative.

Aktualisht, bashkia Dibër, duke dalë edhe përtej kontekstit të pyetjes, është një bashki e kthyer pa shpresë, një qytet ku në orën një pasdite ose 13:00, pasi largohen furgonët e fshatrave ose të njësive administrative, njerëzit mbyllen  brenda, janë të vetëkarantinuar sepse nuk ka jetë më ky qytet, njerëzit janë pa punë, janë pa shpresë, dyqanet ulin qepenat, pra është një situatë kaotike.

Si rezultat i kësaj keqqeverisjeje të bashkisë Dibër nga Rilindja, vetëm nga fondi i pagave që konsumon ose nga taksat vendore kemi 480 milionë lekë të reja në vit për të mbajtur 394 punonjës.

Nga ana tjetër, kryetari aktual i bashkisë me sjelljen arrogante të tij që ka ndaj administratës dhe mungesë së etikës së komunikimit, e ka degraduar administatën dhe një pjesë e tyre rezulton se ndodhen sot dyerve të prokurorisë e të SPAK për interesa të projekteve që jepen në mënyrë abuzive. /ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco