Kandidati i ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Shijakut: Pushteti i ‘Rilindjes’ nuk ka bërë asgjë tjetër përveç propagandës

Kandidati i ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Shijakut: Pushteti i ‘Rilindjes’ nuk ka bërë asgjë tjetër përveç propagandës

08:37, 26/04/2023
A+ Aa A-

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Shijakut, Rezeart Tusha nuk i ka kursyer ironitë ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me deklaratat e Ramës në takimet elektorale.

Tusha u shpreh se kryeministri Rama e ka kthyer gjithçka në gallatë dhe se nuk ka punuar aspak në shërbim të qytetarëve.

“E shoh që kryeministri shëtit poshtë e lart nëpër Shqipëri. Herë me lopatë, herë me dajre e herë me gallatë, por asnjëherë serioz, dhe asnjëherë nuk e lë pa u marrë me opozitën dhe kandidatët e saj”, është shprehur ai.

Më tej Tusha ka thënë se pushteti i ‘Rilindjes’ nuk ka bërë asgjë tjetër përveç propagandës, pasi sipas tij në Shijak problemet janë të mëdha, duke filluar nga mungesa e rrugëve, apo kanalizimeve.

Fjala e plotë:

Të dashur shijakasit e mi,

Dua t’ju drejtohem sot, juve që jeni këtu dhe atyre që nuk kam patur mundësi t’i takoj këto ditë të fushatës. Disa prej tyre ndoshta nuk do t’i takoj dot as në ditët në vazhdim. Ata mund të jenë të pa parti, apo socialistë të ndershëm. Cilido qoftë angazhimi i tyre politik, unë dua t’u them sot hapur dhe publikisht: të gjithë jemi shijakas, jemi shqiptarë, dhe si të tillë duhet të takohemi më 14 maj.

Kurrë si armiq!
E them këtë sepse e shoh që Kryeministri shëtit poshtë e lart nëpër Shqipëri. Herë me lopatë, herë me dajre e herë me gallatë, por asnjëherë serioz, dhe asnjëherë nuk e lë pa u marrë me opozitën dhe kandidatët e saj. Unë nuk dua të merrem me të, por vetëm dua t’i them: ne në Shijak e vlerësojmë burrin, si nga fjalët ashtu dhe nga punët.

Fjalët që thua për ne mund ti mbash për vete, por sa për punët, unë dhe ju të gjithë që jeni këtu, i dimë fort mirë. Fjalët e tua kanë ardhur këtu në Shijak sepse vijnë çdo ditë nëpërmjet tubave të propagandës së pushtetit, por punët e tua dhe të qeverisë tate, nuk kanë mbërritur hala.

Po e filloj nga një punë me të cilën ti dhe vartësit e tu mburreni: të ashtuquajturin Rindërtim. Nuk është punë burrash që të mburresh çdo ditë për rindërtimin e shtëpive, në të cilat bashkëqytetarëve të mi u duhet të investojnë nga e para për t’i ribërë. Ato shtëpi që thua se ua ke ndërtuar ti me cilësi të lartë, nuk janë banesa për familjet shijakase, por nuska që ti dhe partia jote i keni bërë për fushatë elektorale.

Nuk është punë burrash që një pjesë të banesave, edhe pse janë përfunduar nuk i dorëzon. I mbani peng çelësat, derisa të siguroheni që votat do shkojnë aty ku i doni ju, jo ku dëshirojnë qytetarët.

Kjo është pengmarrje e njerëzve, e të drejtës së tyre për strehim dhe e të drejtës së tyre për të zgjedhur.

Ai flet për rilindje urbane, por ajo që shijakasit shohin, janë mungesa e kanalizimeve dhe kanaleve kulluese. Kjo mungesë bën që, sa herë ka shi të ketë edhe përmbytje në fshatrat e Shijakut. Një shtet i mirë dhe i përgjegjshëm është ai që rregullon gjërat që nuk shihen. Një pushtet si ky i Rilindjes lyen fasadat dhe harron gjithçka tjetër.

Kur shijakasit dëgjojnë për “rilindje urbane” dhe përballen me mungesë rrugësh, me mungesë infrastrukture, në qytet dhe në fshatra, ata habiten dhe durojnë. Por ky durim nuk mund të jetë i pafund. Ata që kanë durim dhe që presin ditën e zgjedhjeve për të thënë të vërtetat e tyre, duhen lejuar që të zgjedhin, jo të shkojnë në votime, siç ndodh prej shumë vitesh në Shijak dhe në Shqipëri.

Të dashur shijakas:

Vera po vjen dhe, siç ndodh prej vitesh, nuk ka rëndësi ku je, në qytet apo fshat, me të vjen edhe thatësira. Jemi një zonë në mes të ujërave që na i ka falë Zoti, por pa ujë të pijshëm. Jemi në vitin 2023 dhe dikujt që nuk ka ujë në rubinet gjatë stinës së thatë, as për gatim, as për tu freskuar, e fyen kur i tregon përralla me “rilindje urbane”.

Këto janë hallet tuaja, hallet tona për të cilat na duhet të gjejmë zgjidhje të gjithë bashkë. Nuk dua të flas vetëm për halle, sepse unë si kandidat i koalicionit “Bashkë fitojmë”, të gjithë ne të dalë nga primaret, jemi në këtë garë jo për të listuar hallet, por për folur për ndryshimin dhe për ta bërë realitet atë.

Ndryshim do të thotë që qendra e Shijakut dhe hyrja e qytetit të bëhen të reja, të sistemohen dhe të hijeshohen siç i ka hije krenarisë së banorëve të zonës sonë.

Ndryshim do të thotë që studentët, bijat dhe bijtë e familjeve tona, që studiojnë në Durrës të pajisen me Kartën e Studentit, dhe të gjitha benefitet që meriton një i ri shqiptar që studion për veten, familjen, Shijakun dhe atdheun.

Ndryshim do të thotë rehabilitimi i lagjeve të brendshme të qytetit, ngritja e mini-parqeve në lagje, dhe një parku brenda qyteti për të vegjlit, nënat e tyre dhe të moshuarit tanë.

Ndryshim do të thotë mbështetja pa rezerva e një tradite të shkëlqyer sportive të Shijakut, ndërtimi i terreneve sportive, krijimi i hapësirave ër sportistët dhe të rinjtë shijakas. Ndryshim do të thotë, që prodhimet e kësaj zone të begatë të jenë epiqendra e programit tonë, nëpërmjet promovimit dhe nxitjes së investimeve në bujqësi. Ndihma e pakursyer, jo vetëm me dëshirë, por edhe me metodë e fermerit shijakas, do të jetë parësore për mua dhe administratën që unë do të drejtoj.

Ndryshim do të thotë që Shijaku të mos mbytet në tymin dhe gazin e mbeturinave të veta, siç ndodh prej vitesh. Djegies së mbeturinave do t’i vijë fundi, ndotjes do t’i vijë fundi, sepse duhet tu japim fund, politikisht, këtyre që u marrin shijakasve dhe shqiptarëve 430 milionë euro për inceneratorë dhe ne vazhdojmë të thithim ajrin kancoregjon që mbulon qytetet tona.

Këtë ndryshim unë nuk e bëj dot i vetëm. As Sali Berisha nuk e bën dot i vetëm. Këtë ndryshim ne e bëjmë të gjithë bashkë. Si shijakas, si vëllezër e motra. Si shqiptarë.

Prandaj kur të takohemi, në Shijak apo nëpër fshatra, kur të shtrëngojmë duart, besojini këtij ndryshimi për të cilin po flas sot. Ai duhet të ndodhë, jo për të më dhënë mua një zyrë dhe një vulë, por për ta kthyer pushtetin e zyrës dhe të vulës në duart tuaja.

Zoti ju bekoftë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco