Qeveria jep 100 milionë euro për investime publike, Danaj: Pazare mes Alibeajt dhe qeverisë

10:42, 21/04/2023
A+ Aa A-

Buxheti i shtetit duket se përfshirë nga 'ethet elektorale'. Të dhënat paraprake nga Ministria e Financave tregojnë se vetëm gjatë muajit mars, qeveria ekzekutoi 100 milionë euro investime publike, çfarë përbën një rekord historik për këtë muaj, që nga koha kur thesari raporton treguesit fiskal.

Vjoldi Danaj ekspert ekonomie, i ftuar në 'Kafe Shqeto' në Syri Tv, u shpreh se kemi të bëjmë me fasada elektorale, të cilat përveç se nuk kanë një efekt pozitiv, ndikojnë negativisht në buxhetin e shtetit.

Këto nuk do i quaja as investime unë por janë thjeshtë disa fasada që ne jemi mësuar prej vitesh tashmë dhe që ndodhin në Shqipëri, gjithmonë në prag zgjedhjesh. Problemi është se duke shpenzuar pa kriter ne po ndikojmë negativisht edhe në buxhetin e shtetit duke përkeqësuar situatën ekonomike, sepse këto janë para që dalin nga buxheti i shtetit dhe nga taksat e qytetarëve dhe lëvizjet që po bën tani qeveria, pra i merr nga njëra anë dhe kërkon t'i fusë gjysmat nga ana tjetër, sepse gjysma tjetër shkon në një tjetër xhep dhe jo për investime, është një dëmtim shuam i madh i ekonomisë  dhe mos të harrojmë që këto lloj lëvizjesh nuk janë afatgjata. Është asfalti që pas një muaji do fillojë të ketë probleme, që do e bëjë rrugën më keq seç ka qenë, janë pemët që nga një shumëfishohen dhe rezultojnë dhjetë të mbjella. Kështu që unë e shikoj si një situatë që tregon atmosferën e zgjedhjeve, tashmë do shikojmë dhe thasët e miellit që do shpërndahen, apo paratë nën dorë që do u jepen personave specifikë në zona të caktuara për t'i shpërndarë. Kështu që ne po abuzojmë dhe po shpërdorojmë paranë publike.

Ndërsa pyetur nga moderatorja Ola Bregu, se pse po përdoren këto para nga shteti dhe jo paratë e dhënë nga KQZ, Danaj u përgjigj se kemi të bëjmë me pazare që 'opozita' që ndodhet pranë qeverisë, ka bërë me këtë të fundit.

Këtu po ndodhin disa lojëra politike dhe normalisht nëse marrim situatën e opozitës e ndarë në dy, pjesa e opozitës që është më afër qeverisë ka nevojë të 'ushqehet' dhe i është bërë një lloj premtimi, dhe ndoshta ato të KQZ janë më pak se pazaret që janë bërë dhe paratë e shtetit mund të ndihmojnë për të rritur këtë nivel dhe për të ndikuar në tjetërsimin e votës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco