SYRI TV/ Bypass i Gjirokastrës, dëmtohet ura e Zerzebilit, SYRI TV e paralajmëroi rrezikun në 2022

12:54, 18/04/2023
A+ Aa A-

Ura e Zerzebilit, monument kulture i kategorisë së parë, dëmtohet nga punimet për ndërtimin e bypass-it të Gjirokastrës. SYRI TV e paralajmëroi një vit më parë rrezikun që i kanosej kësaj ure nga ndërtimi i bypass-i, por në atë kohë drejtues të monumenteve të kulturës jepnin garanci për mbrojtjen e saj. Një vit më pas, përgjegjës të monumenteve në Gjirokastër, i kërkojnë firmës që ndërtoi bypass-in të kryejë edhe restaurimin e urës.

Nga SYRI TV

Fiks një vit më parë, kur sapo kishin nisur punimet për ndërtimin e bypass-it të Gjirokastrës, SYRI TV denoncoi rrezikun e dëmtimit të urës së Zerzebilit, e cila është Monument Kulture i Kategorisë së Parë.

Për këtë situatë kishte reaguar më herët dhe UNESCO, duke kërkuar ndryshim të projektit për të mos dëmtuar monumentet e kulturës që prekeshin nga ndërtimi i bypass-it.

Ndryshimin e projektit e paralajmëroi dhe drejtoresha e Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër, Pezana Rexha, e cila në 3 maj të vitit 2022 deklaroi në SYRI TV se rekomandimet e UNESCO-s do të merreshin parasysh.

Por, tashmë që bypass-i ka përfunduar, ura e Zerzebilit duket se jo vetëm nuk u mbrojt, por tashmë ka pësuar dhe dëmtime. Këtë e konfirmon dhe përgjegjësi i sektorit pranë drejtorisë së monumenteve në Gjirokastër, Vaso Polo, i cili shprehet se firma që ndërtoi bypass-in duhet të restaurojë edhe urën.

Siç shihet dhe nga pamjet, ura është rrethuar nga betoni në skarpatet e përroit të Zerzebilit, ndërsa një pjesë e harkut të gurtë të saj, ka rënë. Tashmë duket se gjithçka do të mbetet në dorën e firmës zbatuese të projektit të bypass-it të Gjirokastrës për të rikonstruktuar edhe një ndër monumentet më të vjetra të Gjirokastrës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco