INTERVISTA/ Hysni Sharra: Rama s'e lejon, por unë e ftoj kundërshtarin të përballemi në Sheshin e Flamurit!

INTERVISTA/ Hysni Sharra: Rama s'e lejon, por unë e ftoj kundërshtarin të përballemi në Sheshin e Flamurit!

11:33, 12/04/2023
A+ Aa A-

Hysni Sharra, kandidati i opozitës për Bashkinë e Vlorës, e ftoi publikisht kundërshtarin socialist në këto zgjedhje vendore të 14 majit, që të debatojnë në Sheshin e Flamurit për zhvillimin e kësaj bashkie, para të gjithë qytetarëve.

Në një intervistë të dhënë sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, z. Sharra shprehur bindjen se vlonjatet nuk do të pranojnë më “një pako” të dërguar nga kryeministri siç ka ndodhur në këto 8 vjet, një kandidat që nuk ka asnjë lidhje me qytetin.

Ai evidentoi faktin se eksperienca e Bashkisë së Vlorës ka treguar se kur pushteti qendror dhe pushteti vendor kanë qenë në drejtime të kundërta, punët kanë shkuar më mirë sesa shkojnë sot.

Hysni Sharra deklaroi se gjëja e parë që do të bënte ai dhe ekipi i tij në krye të bashkisë është të rikthejnë në origjinë, në identitet, Sheshin e Flamurit, duke ndërtuar një kompleks së bashku me Varrezat e Dëshmorëve dhe me Shtëpinë e Pavarësisë.

“Ne mendojmë se do t’i japim fund arrogancës dhe prepotencës së Kryeministrit: tha ai dhe theksoi se nga 60 bashki që Rama sot i ka në dorë, sado që të humbë ai, do të jetë një humbje e pushtetit.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË TË Z. HYSNI SHARRA ME GAZETARËT FLAVIO QARRI DHE OLA BREGU.

Kafe Shqeto: Z. Sharra, jeni prej vitesh pjesë e Partisë Demokratike. Çfarë ju shtyu të ndërmerrnit këtë vendim, të garonit për kryetar bashkie në qytetin e Vlorës?

Hysni Sharra: Kjo ishte një zgjedhje imja personale sepse mendoj se ka ardhur momenti, ose për çdo njeri vjen një moment kur piqen disa kushte. Unë mendoj se kam kontributin e duhur, eksperiencën e duhur dhe ndoshta ky është momenti më i rëndësishëm. Por është edhe një moment i rëndësishëm politik, sepse Vlora sot ka nevojë për më shumë dashuri, më shumë përpjekje dhe Vlora meriton më shumë, nuk e meriton këtë gjendje në të cilën ndodhet.

Kafe Shqeto: Si është situata në terren në Vlorë? Lajmet që vijnë nga Vlora janë  pak kontradiktore, për projekte të lëna rrugëve, për shpenzime të pafundme, pa shumë kuptim ndërkohë Qeveria përpiqet të propagandojë, sidomos deputeti i famshëm i Vlorës, me detyrë kryeministër flet për investime që e kanë bërë Vlorën, “kryeqytetin europian” të turizmit. Si përkojnë këto?

Hysni Sharra: Në fakt, propaganda me realitetin janë shumë larg me njëra-tjetrën, është e vërtetë ajo që raportohet. Situata nuk është ajo që thuhet. Është e vërtetë që projektet nisin dhe nuk përfundojnë kurrë. Ne jemi një qytet ku kjo shkakton edhe atë ndotjen si nga vizuale, por edhe nga ana ambientale. Nga ana tjetër ne pretendojmë për një qytet turistik të zhvilluar. Janë bërë disa hapa por këto nuk kanë të bëjnë me asnjë kontribut apo meritë të qeverisë, por kanë të bëjnë me punën dhe përkushtimin e njerëzve.

Në qoftë se ne duam të flasim për një qytet të zhvilluar, një qytet elitar apo turizëm elitar, ne jemi duke trajtuar probleme të tilla që kanë të bëjnë me nevojat më bazike, me nevojat më kryesore, siç janë ato të furnizimit me ujë të pijshëm, me energji elektrike apo infrastrukturën bazë të ujësjellës- kanalizimeve.

Pra, përtej propagandës dhe asaj që thuhet, realiteti në Vlorë është tjetër, nuk është realiteti që propagandohet nga qeveria. Ne kemi ndërmarrë atë që quhet “operacion sinqeriteti”, pra duke u shpjeguar njerëzve realitetin në të cilin ndodhen; duke ofruar zgjidhjet alternative dhe projektet tona për ta zhvilluar qytetin e Vlorës por edhe pjesë të tjera të tij sepse që prej vitit 2015, me të famshmen Reformë Territoriale, Vlorës i janë bashkangjitur edhe katër njesi vendore të cilat kanë specifikat e tyre, por në fakt ato janë pjesë e bashkisë së Vlorës vetëm në letër dhe trajtohen si të tilla vetëm në letër.

Kur ne flasim për mungesë investimesh në zonat periferike të qytetit, imagjino çfarë mund të bëhet në pjesët rurale. Kështu që, ai që ne e quajmë “kryetar” të  bashkisë së Vlorës, me ekipet e tij që vijnë herë pas here  shpallin programe të mëdha,  por ato mbeten vetëm në letër dhe të papërfunduara. Gjithçka që është arritur në Vlorë është meritë e investimit dhe e përkushtimit, e punës së njerëzve.

Kafe Shqeto: Cila do të jetë qasja që do të ketë mazhoranca ndaj Vlorës ndërkohë që e ka përdorur si thes votash, pa ia përkthyer në shërbime e madje ka pasur edhe konfliktin Leli-Rama, Ahmetaj që u ngatërrua një çikë në Vlorë…

Hysni Sharra: Pjesë e propagandës së tyre është dhe fakti që mundohen t’u thonë njerëzve se si do të bëjmë ne tani që bashkia dhe qeveria do të jenë në drejtime të kundërta. Jo zotëri, eksperienca e bashkisë së Vlorës ka treguar që kur kanë qenë në drejtime të kundërta pushteti vendor me pushtetin qendror, pra në kohën e qeverisjes së PD (në qeverinë vendore) dhe Partisë Socialiste në bashkinë e Vlorës, punët kanë shkuar më mirë sesa shkojnë tani ku si qeveria dhe bashkia janë të të njëjtit drejtim politik.  

Me këtë mundohen t’u turbullojnë mendjen njerëzve duke thënë se nuk shkon që të jenë në drejtim të kundërt politik, pushteti qëndror me atë vendor;  kjo është pjesë e asaj propaganda që bëhet.

Ne nga ana tjetër ua kemi bërë të qartë njerëzve se Rama i ka përdorur kryetarët e bashkive si sejmenë ose si “Yes, man” të tij dhe ju e keni parë që i thërret ata në takime me prepotencë, me arrogancë, pa respektuar atë që në fund të fundit është, se kryebashkiakët janë zgjedhje e popullit dhe marrin vota nga njerëzit.

Kështu që ne mendojmë që do t’i japim fund kësaj arrogance dhe prepotence të kryeministrit dhe propagandës që bëhet edhe për të turbulluar mendjet e njerëzve siç thashë, që qeveria dhe pushteti vendor duhet të jenë në të njëjtin drejtim, sepse ne jemi përballë faktit që nuk shkojnë.

Ne nuk na intereson për çfarë i kanë prishur ata marrëdhëniet e tyre, ne na intereson fakti që në Vlorë nuk shkon mirë asgjë dhe jemi duke bërë përpjekjet tona që të përmirësojmë, të evidentojmë problematikat që janë.

Ne kemi hartuar një program elektoral që nuk do të jetë vetëm elektoral por do të jetë i realizueshëm, i bëshëm dhe me premtime brenda mundësive, sepse Vlora është një bashki që i ka të gjitha resurset dhe të gjitha kapacitetet, edhe njerëzore për ta bërë në qytet më të jetueshëm, një qytet turistik. Të mos harrojmë dhe këtë që Vlora nuk ka vetëm turizmin, por edhe burime të tjera siç është tregtia, ndërtimi dhe bujqësia e tj.

Kafe Shqeto: Z. Sharra, çfarë i mungon sot Vlorës?

Hysni Sharra: Vlora si çdo qytet tjetër ka mangësi në çdo gjë. Ne jemi një qytet turistik dhe prioriteti në mënyrë absolute do të jetë turizmi. Po të mos harrojmë që ë Vlorë, ashtu si në qytete dhe bashki të tjera, duhet bërë çdo gjë dhe nuk them të ecim me mentalitetin që ka Rama, që kur vjen ai kryeministër është viti zero dhe fillon gjithçka nga e para, por duhet të kemi kujdes në menaxhimin e burimeve.

Unë, edhe për shkak të profesionit, mund t’ju them se për çdo familje apo për çdo bashki a qeveri, gjëja më e rëndësishme është si i menaxhon ato të ardhura që ke, jo ato të ardhura që mbledh, sepse është provuar se me nivel taksash të larta, të ulëta, të mesme, të ardhurat janë po ato, sepse me këtë zhvillim ekonomik ky është kapaciteti dhe kjo është mundësia që ka qyteti i Vlorës, por e rëndësishme është si menaxhohen fondet publike. Ne këtu ën Vlorë jemi dëshmitarë të faktit që punët publike bëhen disa herë, sepse bëhen me cilësi ët ulët. Mund t’ju përmend Sheshin e Flamurit të parin, i cili është hera e tretë a e katërt që investohet.

Kafe Shqeto: Ndërkohë qytetarët kanë shqetësimin e madhe se e ka humbur identitetin.

Hysni Shara: Shumë e drejtë,  të gjithë ankohen për këtë gjë, të majtë, të djathtë, qytetarë pa parti. Ata shohin si është shëmtuar ose përçudnuar identiteti historik i Vlorës. Ne kemi thënë që gjëja e parë që do të bëjmë me të fituar bashkinë e Vlorës, me të rikthyer institucionin tek qytetarët, gjëja e parë që do të bëjmë është rikthimi i identitetit historik, sepse Sheshi i Flamurit nuk është vetëm i vlonjatëve por është sheshi i mbarë kombit shqiptar dhe kemi premtuar që do ta kthejmë atë në origjinë, në identitet siç ka qenë por duke ndërtuar një kompleks së bashku me varrezat e Dëshmorëve dhe me Shtëpinë e Pavarësisë. Kjo do të jetë gjëja e parë që do të bëjmë.

Kafe Shqeto: Duket se ia kanë bërë pak më të lehtë kundërshtarit tuaj se kush do të mbajë përgjegjësi për të gjithë keqadministrimin e Vlorës në dhjetë vitet e fundit.

Hysni Sharra: Kjo është strategjia që Rama ka ndjekur sepse pushteti të konsumon dhe është munduar t’u propozojë vlonjatëve për herë të dytë një person që nuk ka asnjë lidhje me qytetin e Vlorës. Këtë ne e kemi theksuar. Me anë të kësaj ai do të shmangë përgjegjësinë që ka për qeverisjen 10-vjeçare në pushtetin qendror dhe qeverisjen 26-vjeçare në bashkinë e Vlorës. Po kjo nuk do të thotë që nëse ti sjell një person që nuk ka konsumuar pushtet në Vlorë, do të thotë që nuk mbahet asnjë përgjegjësi për ato që janë bërë keq apo nuk janë bërë fare.

Kështu që vlonjatët janë të bindur që nuk do të pranojnë me një “pako: ashtu siç u erdhi gjatë këtyre tetë viteve.

Them “pako” në plot kuptimin e fjalës, por vlonjatët do të dinë të zgjedhin dikë që është ditë për ditë me ta dhe i njeh problematikat dhe që ka aftësitë dhe ekipin e duhur për t’u dhënë zgjidhje këtyre problemeve. Nuk do të ecë as kjo propagandë e Kryeministrit.

Kafe Shqeto: Z. Shrra, cilat janë pritshmëritë tuaja për këto zgjedhje të 14 majit, në rang vend?

Hysni Sharra: Unë mendoj se e rëndësishme është që nga 60 bashki që Rama sot i ka në dorë, sado që të humbë ai do të jetë një humbje e pushtetit për të, sepse e kemi thënë edhe herë të tjera, ne jemi si në vitet 1989-1990, jemi jashtë çdo gjëje, jemi jashtë jetës publike në një mënyrë ose në një tjetër, kështu që sado pushtet që të lëshojë Rama, do të bjerë nga ajo maja apo ai maksimumi që ka qenë. Rëndësi ka do të humbë dhe bashki të shumta në numër, por edhe bashki me peshë dhe njëra nga ato do të jetë bashkia e Vlorës dhe unë mendoj se këtu do të jetë një garë e bukur dhe të gjithë do të shohim një rezultat surprizë.

Kafe Shqeto: Një kuriozotet të fundit, a do të ketë një përballje mes jush dhe kundërshtarit tuaj zoti Sharra, publike?

Hysni Shara:  Unë, nën zë, por edhe meditikisht, që përpara fillimit zyrtar të kësaj fushate elektorale, e kam ftuar cilindo që të ishte kundërshtari im që të bënim një debat në Sheshin e Flamurit, siç e thamë edhe më parë, edhe për historinë edhe për gjëra të tjera, por për fat të keq Rama nuk i lejon kandidatët e tij të çdo niveli, si për deputetë dhe për kryebashkiakë, nuk i lejon të zhvillojnë debate me kundërshtarët sepse nuk kanë çfarë t’u thonë njerëzve dhe kjo është shumë e qartë.

Gjithsesi unë po e bëj dhe këtë ftesë publikisht, jam i gatshëm qoftë vetëm qoftë me ekipin të përballem në çdo debat. Por këtë e  kam thënë dhe e them përsëri, në mënyrë simbolike, në Sheshin e Flamurit të zhvillojmë  një debat si venë punët Vlorë dhe cili është vizioni që kemi ne për bashkinë dhe zhvillimin e Vlorës. /ar.sh/SYRI.NET

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco