Gjatë një interviste në edicionin e mesditës në Syri tv me moderatorin Bled Marku deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka lëshuar një sërë akuzash të ashpra në drejtim të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si "bandit" dhe "kriminel". Reagimi i fortë erdhi pas komenteve të kryeministrit në median ndërkombëtare "Financial Times", ku ai përdori një fjalor të paprecedentë ndaj protestuesve shqiptarë.
Deputeti i opozitës u shpreh se kreu i qeverisë nuk duhet trajtuar më si një politikan, por si një individ që mban pushtetin me dhunë dhe bashkëpunon me mafien për pastrimin e parave të drogës. Këto para, sipas raportimit, po pastrohen përmes ndërtimeve dhe kullave të larta në Tiranë. Kjo situatë e ka kthyer kryeqytetin shqiptar në qytetin e dytë më të shtrenjtë në Evropë, duke varfëruar qytetarët e thjeshtë në një model të ngjashëm me Kolumbinë.
Një tjetër pikë tronditëse e denoncimit ishte miratimi i një ligji në parlament, i cili theksohet se u bë ekskluzivisht për të emëruar ish-shoferin e kryeministrit në krye të Gardës së Republikës.
Balliu, gjatë intervistës ngriti shqetësimin e kamerave inteligjente gjatë protestave qytetare. Opozita pretendon se këto pajisje po përdoren në shkelje të plotë të ligjit për të identifikuar dhe frikësuar qytetarët përmes patronazhistëve dhe policisë.
Bled Marku: Kam kënaqësinë të kem në studio deputetin e Partisë Demokratike, zotin Klevis Balliu. Atëherë e nisim menjëherë bisedën me një ngjarje të paprecedentë e cila ka ndodhur ditën e sotme. Në kulmin e protestave, në kulmin e kërkesave për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke i përmendur çdo ditë abuzimet, duke i përmendur çdo ditë mënyrën e keqqeverisjes së vendit në 13 vite, me pasoja shpopullim, tonelata drogë, kokainë nëpër Shqipëri, paratë e pista e të tjerë e të tjerë, kryeministri Edi Rama në Financial Times i kthehet popullit protestues duke i thënë një 'fuck you'. S'po e përkthejmë në shqip pasi të gjithë qytetarët e kuptojnë, e dinë se çfarë do të thotë. Por unë dua të di, çfarë do të thotë një kryeministër që i drejtohet një populli me këtë shprehje?
Klevis Balliu: Çfarë është ai? S'është kryeministër, ai është bandit. Ç'kryeministër? Ky është një kriminel. Ky është një hajdut, një njeri që ka pastruar paratë e drogës nëpër kulla, nëpër ndërtime, nëpër call center-a. Ky s'është kryeministër. S'mund të flasim më për Edi Ramën ne si një kryeministër. Edi Rama tashmë është një kriminel si të gjithë kriminelët e tjerë, trafikant dhe të tjerë. Fatkeqësia jonë kombëtare është që ky është në zyrën që s'i takon atij të jetë, në zyrën e kryeministrit. Po si mund ta trajtojmë më ne atë? Jo si kryeministër jo e jo, po as si politikan.
Ai është një kriminel i cili po sulmon qytetarët e lirë të këtij vendi. Dhe ky njeri gjen kohën të flasë për influencera dhe nuk thotë një fjalë për pastrimin e parave të drogës që po flet e gjithë bota. Çdo raport, Departamenti Amerikan, raportet e antimafies italiane, Europoli, Interpoli, çdo raport serioz institucional i botës...
Bled Marku: Është interesante zoti Balliu, gjeti një kat shtesë siç pretendoi Rama në Durrës apo pranë kalasë, ndërkohë nuk sheh ato kulla që po ndërtohen në mes të Tiranës.
Klevis Balliu: Ai i ka dhënë lejet, ai i ka thënë atyre të bëjnë atë, se i bën vetë ai. I bëjnë dot këto gjëra pa lejen e kryeministrit? Kullat ai i jep firmat, nuk i jep as ti as unë. Po kjo është një ngjarje realisht sinqerisht domethënë është një çmenduri, është shumë e rëndë. Ky nuk ekziston, nuk ka një kryeministër të tillë, se s'mund të jetë një kryeministër i tillë. Prandaj ky nuk është më kryeministër, ky është një bandit, që ka vjedhur një pozicion aty, po e mban atë pozicion me dhunë, me mafiozë dhe me kriminelë të vetët, që ushtrojnë presione nga më të ndryshmet dhe sulmon me një gjuhë barbare, ordinere, prej rrugaçi, fiks siç është ai, qytetarët shqiptarë dhe të rinjtë që po dalin atje. Dhe po ju them, ky gjen kohën, kam parë sot një reagim, pafundësisht ka bërë postime sot për protestuesit, dje, pardje, nuk ka asnjë postim të këtij në lidhje me rritjen e krimit të organizuar, me pastrimin e parave të drogës.
Unë i kërkova interpelancë për këtë çështje dhe ai më akuzoi mua se unë po bëja pis sektorin e ndërtimit me denoncimet e mia në parlament. Unë po e bëja pis. Nuk po e bënin pis këta që kalojnë 50 ton kokainë dhe i pastrojnë paratë. Po e bënim pis ne që e denonconim. Dhe për shkak të këtij pastrimit të parave, të kësaj ekonomie të kriminalizuar, janë rritur çmimet që nxjerrin të gjithë andej, që ne sot jemi vendi i dytë më i shtrenjtë në Evropë. Kryeqyteti i Shqipërisë është sot vendi i dytë më i shtrenjtë në Evropë. Arsyeja është pastrimi i parave të drogës. Se ju kujtohet kur dilnin ato analistët e pavarur të pushtetit që thoshin: po mirë se kështu është bërë në gjithë botën, se janë pastruar paratë, edhe Nju Jorku kështu është bërë. S'është bërë asnjë vend ashtu. Të gjithë vendet ku ka pasur drogë, ka pasur varfëri ekstreme për qytetarët. Shkoni shikoni Kolumbinë. Ka pasur drogë aty, ka qenë Pablo Escobar në kulmin e vet edhe njerëzit kanë vdekur për bukë. Ku është kjo, nga dalin e flasin këta që e quajnë veten analistë e intelektualë? Disa skllevër atje, servila ordinerë që i lëpihen pushtetit. Ky është një monstruozitet, një krim që po i bëhet këtij vendi dhe mungesa e reagimit nga spektri intelektual që pritet të reagojë, është një akt tradhtie kombëtare.
Ajo protesta atje mund të mos të pëlqejë, mund të thuash çfarë të duash për ata. Atje ka rryma nga më të ndryshmet. Ka demokratë, ka socialistë, ka administratë, ka të papunë, ka mjekë, ka futbollistë, ka artistë. Ka pa parti fare. Por çfarë po kërkojnë ata? Që nuk mund të vazhdohet më në këtë formë. Kemi një ligj, e kam denoncuar unë, parlamenti kalon një ligj të tërë për të bërë shef të Gardës, Simonin e Edi Ramës. Kam një muaj që e kam denoncuar brenda në sallë të parlamentit. I thashë ky ligj po bëhet për Simonin dhe ja ku e keni, pas një muaji e emërojnë atë. Është kthyer parlamenti sipas interesave të këtij o zotëri. Sipas interesave të bandave dhe kriminelëve të këtij.
Bled Marku: A është denoncuar ndonjëherë zoti Balliu që parlamenti është thjesht një noter i kërkesave të cilat vijnë nga kryeministri Rama. Po çfarë ndodh me Gardën?
Klevis Balliu: S'ka çfarë ndodh me Gardën asnjë gjë. Garda tashmë është thjesht një strukturë aty ku këta fusin njerëzit e vet. Kaq. Nuk ka asnjë vlerë. U ulën, hoqën kriteret, ulën standardin e kritereve që të futej Simoni. Këtë bënë. Ky ishte ligji i Gardës. Dhe këtë e denoncova dhe u thashë: po e bëni për këtë njeri. Ju ftoj ta rishikoni. Dhe sot është vërtetuar një akuzë që është bërë një ligj, apostafat vetëm për një individ. Kjo është për burg direkt. Të gjithë ata që e kanë votuar duhet të shkojnë në burg. Sepse ke përdorur institucionet e shtetit, ke bërë ligje të njëanshme, kundër interesit kombëtar, kundër interesit të sigurisë, se Garda ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Ti e ke shkelur sigurinë kombëtare dhe çdo gjë tjetër, për të bërë mikun e shoferit të Ramës.
Bled Marku: Zoti Balliu, ju jeni nënkryetar i komisionit të sigurisë. E keni denoncuar. Sigurisht është edhe një shqetësim tjetër, përdorimi i kamerave inteligjente në protestë. Çfarë po ndodh me këto kamera? A po identifikohen protestuesit për t'u shantazhuar siç ndodh rëndom në fakt në Shqipëri, i marrin patronazhistët, drejtorët, u shkon policia i thotë mos dil në protestë. A po shkelet ligji me këto forma?
Klevis Balliu: Patjetër që po shkelet ligji. Po çështja është që ata kanë shpresën t'i frikësojnë. Nuk ekziston më frika te ata…
© SYRI.net