Nga Genc Pollo
Kushtetuta e parë e Shqipërisë së porsa pavarësuar shpallte se “Të gjithë shtetasit shqiptarë janë të barabartë para ligjit” (Statuti Organik, neni 27)
Ky parim u rikonfirmua në të gjitha kushtetetutat e mëvonshme, përfshi formalisht edhe gjatë komunizmit. Në traditën europiane ai shfaqet në fillim të shekullit të 6 para Krishtit në Athinën e lashtë (isonomia) si dhe në Romën antike (aequitas). Po ashtu ai është i rrënjosur në Bibël e Kuran. Që atëhere ky parim juridik e social pësoi ulje e ngritje të imponuara nga historia dhe u konsolidua në tre shekujt e fundit duke u përfshirë në kushtetutat e shteteve europiane. Por njëkohesisht ky parim sfidohet faktikisht herë pas here edhe sot në shoqëritë e lira ku kemi gjithashtu njerëz të pasur e të varfër, persona të pushtetshëm e të zakonshëm.
Duket se javët e fundit ky parim është sfiduar nga SPAKu. Ndër ata që lidhen me çështjen penale kundër kryebashkiakut të Tiranës ka edhe dy persona për të cilët Prokurori i Posaçëm ka paraqitur pretencën.
Personi 1: KB
KB u mor e pandehur në shkurt 2025 pasi kishte intimiduar një dëshmitare që punonte një nga OJFtë e të shoqes së Veliajt, i kishte marrë celularin që të mos binte në dorë të hetuesve dhe i kishte ofruar një celular të ri fringo si dhe “këshilla” se çfarë të thoshte gjatë marrjes në pyetje nga prokurori. KB dyshohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” (Kodi Penal, neni 301, dënimi: gjobë ose deri tre vjet burg). Interesante në rastin KB është se ajo në shkurt 2025 ishte deputete e Partisë Socialiste e zgjedhur në Kuvend për herë të dyte dhe, për ironi, kryetare e Komisionit të Ligjeve. Mbasi marrja e pandehur u bë publike KB nuk dha dorëheqje as si kryetare e as si deputete. PS nuk kërkoi sqarim publik e nuk u distancua nga deputetja e akuzuar; aq më pak i bëri thirrje të dorëhiqej apo mori masa në këtë drejtim. KB ishte sërish kandidate e PS në zgjedhjet parlamentare të majit 2025.
Deputeti opozitar DS në mbledhjen e vetme të komisionit para shpërndarjes së legjislaturës bërtiti në këmbë “jep dorëheqjen” kryetares KB.
KB nuk e ka pranuar akuzën. Në pretencë prokurori kërkoi 400 mijë lekë (afro 4 200 €) gjobë për të.
Personi 2: FB
FB, gardian në burgun e Durrësit, u mor i pandehur mbasi u zbulua se në mars 2025 gjatë trasportimit të të paraburgosurit Veliaj i dha atij celularin e vet kur Veliaj ju lut t’i jepte mundësinë të fliste me të shoqen. FB akuzohet për “Futjen ose mbajtjen e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” (Kodi Penal, neni 324/a, dënimi: gjobë ose deri tre vjet burg).
FB ka pranuar akuzën dhe ka bashkëpunuar me prokurorinë. Në pretencë prokurori kërkoi dënimin e FB me 5 vjet burg, që prej gjykimit të shkurtuar ulet në 3 vjet e 4 muaj dhe që mund të mos ekzekutohet por të kalojë në shërbim prove.
Disa parime të përgjithshme të aplikuara
Sa më i ndërgjegjshëm është i pandehuri se po kryen një vepër penale aq më shumë konsiderohet kjo një rrethanë rënduese për të. Për juristen e kryetaren e Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Republkës besoj është e qartë se e ka ditur mirë se çfarë po bënte. A mund të thuhet kjo për gardianin FB me arsimim e formim më të ulët se KB? Kam dyshime për këtë. Në mendjen e tij FB po jepte mundësi të burgosurit të fliste me të shoqen, të cilën bazuar në rregulloren e burgjeve, ai mund ta takonte perodikisht.
Sa më lart të jetë i pandehuri në pozitë shtetërore e shoqërore aq më shumë konsiderohet kjo një rrethanë rënduese për të. Krahasimi këtu nuk ka dilema: pozita e KB si kryetare komisioni parlamentar është ku e ku më e lartë se ajo e gardianit të burgut FB.
Veprimi i KB duket i qëllimshëm, i mirëmenduar e i planifikuar në bashkëpunim me të shoqen e Veliajt, gjithashtu e pandehur në të njëjtën çështje me kryebashkiakun. Veprimi i FB duket reagim spontan ndaj kërkesës së nje politikani të rëndësishëm, madje kryebashkiak i kryeqytetit. Edhe këtu edhe në bashkëpunimin me prokurorinë rrethanat janë në favor të gardianit FB e në disfavor të deputetes KB.
Ndonjë përfundim në pritje të verdiktit gjyqësor
Prokurori i Posaçëm, i cili duket se është i njëjti për KB e FB, duket se ka gabuar duke lehtësuar në pretencën e tij KB dhe duke rënduar FB. Për vepra penale për të cilat Kodi parashikon dënim pothuaj të njëjta ai don të burgosë (në parim) gardianin e burgut dhe vetëm të gjobisë me rrogën e 5 javëve deputeten/kryetare komisioni. Prokurori ka ende kohë të korrigjojë gabimin e të rishikojë pretencat. Në të kundërt duhet të shpjegojë pse ligji zbatohet pabarazisht. Dhe pastaj i mbetet gjykatës të respektojë parimin e Statutit Organik si dhe të Kushtetutës së Republikës se “Të gjithë janë të barabartë para ligjit”.
Genc Pollo
President i Paneuropa-Shqipëri
11 qershor 2026
© SYRI.net