Meta: Lëmosha e Ramës për pensionistët, shkelje elektorale që nuk e ndryshon humbjen e tij

Meta: Lëmosha e Ramës për pensionistët, shkelje elektorale që nuk e ndryshon humbjen e tij

11:54, 30/03/2023
A+ Aa A-

“Edi Rama, në ethet e humbjes së sigurt të 14 Majit që po afron, ka filluar të hapë përpara shqiptarëve, thesin e gënjeshtrave të përsëritura kaq shpesh e në mënyrë bajate gjatë dhjetë viteve.

Si shpërdoruesi më i madh i parave publike që ka njohur ndonjëherë qeverisja e vendit dhe si shkatërruesi më i madh i çdo interesi publik, pas 10 vitesh në qeverisje, ai doli thjesht dhe vetëm për të manipuluar sërish me premtime boshe qytetarët shqiptarë.”

Kryetari i PL, Ilir Meta e ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama që me dhënien e lëmoshës pensionistëve, me mashtrimin e fundit elektoral, e ka dhunuar sërish Kodin Zgjedhor. Por pavarësisht kësaj, kjo nuk e ndryshon dot humbjen e tij në zgjedhje.

“Pas 10 vitesh në qeverisje, - tha Ilir Meta në një deklaratë për shtyp, -  ai doli sërish me premtime boshe. Ajo që qytetarët shqiptarët kanë provuar është se qeveria Rama ka rritur në mënyrë tronditëse koston e jetesës, kurse pagat dhe pensionet kanë parë rritjen më të ulët ndonjëherë.

Është fakt, e zeza në të bardhë, se ndërsa në periudhën 2005-2013, pensionet në qytet u rritën ndjeshëm deri në 70%, ky që premton dhe mashtron sot, për 10 vite i rriti vetëm 22% në qytet dhe 28% në fshat.

Të gjithë shqiptarët e kanë provuar qeverisjen tij të korruptuar, me rritjen stratosferike të çmimeve që vazhdon.

Pse Rama priti muajin prill për dhënien e lëmoshës për pensionistët?! Kur të ardhurat i kishte që në fund të dhjetorit 2022 dhe duhej t’i shpërndante brenda atij viti.

Edi Rama dhunon hapur Kodin Zgjedhor me këto mashtrime elektorale, por kjo nuk ia ndryshon dot humbjen.

Thyerja e Kodit tregon vetëm dëshpërimin e tij, për dhjetë vite mashtrime e punë të pabëra.

Në rast se Rama do të donte të rriste vërtet pagat ai kishte mundësi që në shtator të miratonte projektligjin e PL për indeksimin e pagave në përputhje me rritjen ekonomike dhe inflacionin.

Në 14 maj jam i bindur se qytetarët do t’i japin ndëshkimin e merituar mashtrimeve të Edi Ramës. Kryeministrit dhe qeverisjes më të korruptuar në Evropë që ka falimentuar në këto vite, që ka i ka pasur 100% të bashkive dhe këshillave bashkiake duke i shkatërruar e falimentuar disa nga bashkitë që duhet të ishin më të pasurat".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco