DASH: Kush kritikon qeverinë, ka pasoja! Disa media të njohura morën pagesa direkte nga inceneratorët

DASH: Kush kritikon qeverinë, ka pasoja! Disa media të njohura morën pagesa direkte nga inceneratorët

18:18, 20/03/2023
A+ Aa A-

Departamenti i Shtetit publikoi raportin vjetor për të Drejtat e Njeriut, duke kritikuar ashpër qeverisjen e Edi Ramës.

Një pjesë e rëndësishme në raport i kushtohet mungesës së pavarësisë së gjyqësorit dhe korrupsionit të shfrenuar qeveritar.

Por SHBA, njësoj si në BE, duken të alarmuara për situatën e lirisë së medias në vend.

“Vazhdon shqetësimi se kritikat e hapura ndaj qeverisë mund të kenë pasoja negative,” thuhet haptas në raport.

Në raport theksohet se disa media dhe gazetarë të njohur kanë marrë pagesa direkte nga inceneratorët.

“Rrjedhjet e të dhënave në lidhje me pagat në dhjetor 2021 dhe janar 2022 sugjeruan se disa gazetarë dhe media të njohura morën pagesa direkte nga kompanita e kontraktuara për ndërtimin e inceneratorëve. Kompanitë e inceneratorëve ishin nën hetim për korrupsion dhe mashtrim të dyshuar,” thekson DASH.

Shembja e ‘Prestige Resort’ ka zënë po ashtu vend në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin e kaluar. Ky sulm ndaj një biznesi përmendet në raport si një trysni mbi mediat.

“Më 4 dhjetor, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit prishi një hotel duke përmendur shkelje të rënda të ligjeve të ndërtimit. Në datën 1 dhjetor, kompania e ndërtimit të resortit kishte depozituar një padi në Gjykatën Administrative të Durrësit, duke kërkuar një vendim në pritje të shqyrtimit ligjor të urdhrit të prishjes së IKMT. Gjykata nuk caktoi menjëherë gjyqtarin dhe IKMT vazhdoi me shembjen. Pronari i hotelit, i cili gjithashtu zotëron disa media dhe biznese të tjera, pretendoi se hoteli i tij u shkatërrua për të mbytur kritikat dhe mospajtimet. Qeveria pohoi se veproi në përputhje me ligjet në fuqi dhe se kjo prishje ishte pjesë e një fushate më të gjerë për të çrrënjosur ndërtimet e paligjshme në vend”, thuhet në raport.

Sipas raportit, vëzhguesit pohojnë se “qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin në media në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente”.

Ka media të lira dhe një përhapje të madhe të organeve të medias, veçanërisht në internet, që përfaqësojnë një spektër të gjerë pikëpamjesh pa përgjegjësi, shpesh pa e atribuar informacionin.

“Megjithatë, janë të pakta mediat e pavarura, pasi shumica e mediave janë në pronësi të biznesmenëve me peshë që kanë interesa të mëdha, të cilët përdorin mediat e tyre për të avancuar interesat e tyre, përfshirë përfitimin dhe nxitjen e interesave që kanë me partitë politike”, thuhet në raport.

Departamentit i Shtetit thotë gjithashtu se ka pasur raporte të besueshme sipas së cilave, përfaqësuesit e lartë të mediave përdornin organet e tyre për të ushtruar shantazh ndaj bizneseve, duke i kërcënuar ato me pasqyrim negativ.

“Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan median e pavarur të shkruar dhe gazetarët thuhet se kanë praktikuar autocensurë”, thuhet në raport.

Po sipas Departamentit të Shtetit, raporti i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve pas zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021 vlerësoi se gazetarët mbetën të pambrojtur ndaj presionit dhe korrupsionit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco