KAFE SHQETO/ 6 kryebashkiakë socialistë të arrestuar, pushteti vendor në situatë kritike

14:08, 17/03/2023
A+ Aa A-

Kryeministrit Edi Rama i janë arrestuar plotë gjashtë kryetar bashkish të zgjedhur prej tij, ndërsa nën hetim janë shumë të tjerë. Lefter Alla, Shpëtim Gjika dhe Fatos Tushe, janë arrestuar në detyrë për korrupsion, ndërsa Shukri Xhelili, Agim Kajmaku dhe Elis Roshi janë arrestuar për shpërdorim detyre, trafik droge apo dhe mashtrim me formularin e dekriminalizimit.

Gjatë 10 viteve që qeveris vendin, Kryeministrit Edi Rama i janë arrestuar dhjetëra deputetë e kryebashkiakë.

Të ftuar ditën e sotme në “Kafe Shqeto” për të komentuar më gjatë lidhur me këtë temë ishin: Shpend Gashi Adriana Kalaja si dhe Endri Shabani.

Diskutimi në studio:

Flavio: Jetojmë në një qytet që prodhon shumë korrupsion, që duket se po kthehet në shije prangash apo janë përpjekje që nuk jua mbushin syrin?

Shpendi Gashi: "Kjo tani është bërë si gjuetia, sa hap televizionin shikon një kryebashkiake dhe kjo na është bërë rutinë. Të gjithë kryebashkiakët, sipas kryeministrit mbajnë përgjegjësi personale.

Unë e shoh që situata është e pashpresë fare sepse përpos gjithë humorit të zi dhe të errët që bëjmë dhe më të drejtë, është për të qarë, por ne qeshim sepse nuk qajmë dot, kjo është idea. Të ketë 6 kryebashkiakë të arrestuar, që në thelb janë kryeministrat e atij qyteti ku janë vendosur do te ketë një abuzim dhe një shpërdorim detyre me tendera, favorizim të miqve dhe në thelb këta janë hiena.

Sot e kësaj dite ne nuk kemi një zyrtarë të lartë që thotë: Unë kam bërë gabime në përzgjedhjen time të burimeve njerëzore, kam gabuar dhe nuk ka gjë të keqe sepse dhe liderat gabojnë edhe të mirët gabojnë.

Por, nëse ti me gjashtë kryebashkiakë të arrestuar ke prap arrogancën të thuash se janë çështje të tyre personale kjo nuk pranohet".

Adriana Kalaja: "Së pari, nuk do të kishim pasur nevojë për kaq shumë raste në një qeveri të përgjegjshme, për një shtet që drejtohet në mënyrë të përgjegjshme e bazuar në dispozita ligjore, një drejtues shteti dhe një politikan me norma minimalisht korrekte duhet të merrte masa dhe jo të bënte atë pasimin që ne rëndomtë po e dëgjojmë se ‘përgjegjësia është personale’.

Por, përgjegjësia penale është personale. Dhe kështu e parashikon edhe Kodi penal.

Përgjegjësia politike është e atij që e ka zgjedhur dhe jo më kot dora e atij kur futet tek ajo shporta, meqë ai i ka qejf ti përmendi mollët e dardhat, dora i ngjit tek ato të kalburat. Pra, kryeministri nuk bën një përzgjedhje sipas dispozitave të 'Kodit Zgjedho'r duke bërë të paktën një sondazh qoftë me strukturat drejtuese të Partisë Socialiste apo më gjerë për personin që gëzon të tilla detyrash në komunitet dhe që nuk ka rekorde kriminale, por zgjedhja bëhet në mënyrë kriminale.

Pra, kryeministri në bashkëpunim me bandën kriminale zgjedh kush është personi kush grumbullon më shumë vota".

Klea Sula/ Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco