Kur takohet budallai me të paaftin, shejtani kur nuk ka ç’bën... pret pemë

Kur takohet budallai me të paaftin, shejtani kur nuk ka ç’bën... pret pemë

16:10, 16/03/2023
A+ Aa A-

Nga Ardian Puka-Urbanist

Është e sigurt se egjiptianët e lashtë linin brenda qyteteve të tyre hapësira të gjelbërta me skulptura dhe zbukurime arkitektonike, vende argëtimi për qytetarët. Po ashtu Romakët krijuan parqe të gjera me kopshte, shatërvane dhe fusha për gjimnastikë dhe lojra. Në Mesjet, mbizotëron më shumë kriteri i mbrojtjes së qytetaëve nga sulmet se sa ai i bukurisë dhe dëfrimit për banorët - nuk ndërtohen parqe publike, kemi kopshte përreth Kështjellës apo Pallatit të Zotërisë. Por vetëm për ata dhe jo për publikun.

Hapësirat e para pa ndërtime, i gjejmë në Angli në shek. 15 kur mbretëresha Elisabetta shpalli të drejtën e qytetarëve për t`u ushtruar në gjuajtjet me hark në disa livadhe rreth Londrës. Në vitin 1605 motrat Mary e Katerine Finnes i lanë trashëgim qytetit pjese nga pasuria e tyre dhe pak vite më vonë trashëgimia mbretërore Hyde Park u hap për publikun.

Image

‘Krasitje’ pemësh në Tiranë

Në SHBA është tendenca karakteristike për të bashkuar parqet dhe zonat e gjelbëruara për përdorim publik me të ashtuquajturat parkëays apo rrugët-park, të cilat sipas përkufizimit të Hubard-it janë ‘parqe të përfituar me një rrugë që kalon përgjatë tyre’. Londra është  qyteti me zona të gjelbra të destinuara për përdorim publik, me një sipërfaqe totale prej 1000Ha, dmth 14% të sipërfaqes totale të qytetit. Në Evropë, Viena rrethohet nga një zonë e gjerë pyjesh dhe lëndinash prej rreth 5000Ha, ndërsa brenda qytetit përveç Prater-it, një park i madh publik me 900 Ha, brezi i gjelbër i Ring-ut

rrethon bërthamën e vjetër nga pjesa tjetër e qytetit. Berlini ka nje park të madh publik me 225 Ha sipërfaqe, që shtrihet në qendër të qytetit dhe bashkë me zonat e tjera të brendshme apo të periferisë së afërt arrin një sipërfaqe prej 450 Ha, apo 10% e sipërfaqes totale urbane. Megjithatë ka qytete me përqindje më të madhe të sipërfaqeve të gjelbra publike, psh Potsdam me rreth 33 m² hapësirë të gjelbër per banor. Kassel me rreth 23.4 m² sipërfaqe të gjelbër për banor. Këln 20m2 për banor, Mynih 16m2 për banor, Karlsruhe me 14m2 për banor.

Ne Itali 31 metra katrorë per banor- mesatarisht kjo është zona e gjelbërimit urban në dispozicion të çdo italiani në qytetet e gadishullit. Asgjë e krahasueshme me gjelbërimin në dispozicion të atyre që jetojnë në zonat rurale, por as një shifër jo shumë kufizuese. Këtë e zbulon raporti i ri i Istat-it 'Të dhënat mjedisore në qytete', një sondazh që kryhet çdo vit për të mbajtur nën vëzhgim cilësinë mjedisore të qendrave italiane. Sipas Istat në 19 qytete italiane zona e gjelbër urbane në dispozicion të qytetarëve nuk arrin 9 metra katrorë, që është kufiri minimal i vendosur me ligj. Media italiane i quan keta 2.2 milionë qytetarë fatkeqë që jetojnë në këto 19 qytete italiane, në kërkim të një zone të gjelbër që tashmë është e humbur dhe e vështirë për t'u rikuperuar.

Ka edhe me fatkeq se sa këta 2.2 milionë italianë që u takon 9m2 sipërfaqe e gjelbëruar. Para disa vitesh deklarohej se banorëve në Tiranë u takonte rreth 2m2 gjelbërim dhe këtu futet parku i vetëm i Tiranës (Liqeni) dhe me shumë gjasa tokë djerrë e paçimentuar në qoshe pallati, ndonjë rrip toke që nuk i ka dalë akoma pronari ose oborret e shtëpive private tiranase dhe parku i stërvitjes se qenve te ish Tajvani. Por tashmë, pas boom-it ndërtimor ramaveliaj, gjendja duhet të jetë përkeqësuar dhe nuk duket se ndalet. Tirana ngjan më shumë me periferitë e qyteteve të lindjes, Afrikës ose Amerikës latine Rezultati është një kulturë e degradimit urban (fizik, shoqëror, kulturor) dhe ajo e bashkëjetesës dhe apatisë qytetare me shëmtimin dhe korrupsionin banal.

Parqe dhe Pemë

Pemët filtrojnë dhe pastrojnë ajrin, thithin gazin karbonik CO2, rregullojnë temperaturën, dhe ofrojnë hije ne muajt e nxehtë për këmbësoret, shërbejnë si mbrojtje nga zhurmat – disa nga përfitimet kryesore që njeriu mund të nxjerrë nga pemët dhe pyjet. Në qytete rregullojnë klimën lokale duke bërë që të kursehen nga 20 deri 50 % të energjisë që përdoret për ngrohje. Duke vendosur pemët në mënyrë strategjike në qytet, gjithashtu lejon te freskosh ajrin nga 2 deri në 8 Gradë, duke zvogëluar me 30% nevojën për përdorim të ajrit të kondicionuar. Pemët dhe në veçanti ato të rriturat, filtrojnë ajrin duke kapur grimcat e imta (PM2.5 që rrezikojnë veçanërisht shëndetin në qytete e mëdha) dhe duke thithur CO2, duke na dhënë një dorë në luftën kundër ndryshimit të klimës. Pyje dhe parqe në qytete thithin zhurmat dhe ofrojnë hapësira për shoqërizim dhe aktivitet sportiv e fizik (individë te shëndetshëm ulin barrën e taksave)

Në Itali ka një listë me rreth 2800 pemë monumente, prej vitit 2013 ka një Ligj për Zhvillimin e Gjelbërimit Urban. Në Gjermani të gjitha a pemët e rritura (private apo publike) janë të kataloguara e të listuara - ato nuk mund të priten për asnjë arsye dhe nuk merr dot leje ndërtimi nëse në oborrin tënd është një pemë e tillë. Përafërsisht kështu duhet të jetë në shumicën e vendeve të Evropës apo në Perëndim.

Image

Prerje e kedrit 90 vjeçar në Tiranë

Pema me sipër ne foto duhet te ishte peme monument-nuk duhet te prekej, por bashkia e preu me pretendimin e pronarit se ajo tundej kur frynte erë ! ! Dikur ne Tirane shihje rëndom peme te tilla (kedri i Libanit) Shumica e tyre janë prere nga entet publike.

Unë jam një qytetar i thjeshtë dhe ndihem mirë për këtë. Udhëtoj në këmbe ose biçikletë dhe për fat të keq ndeshem shpesh dhe shumë më shpesh vitet e fundit me padijen dhe/ose budallallëkun dhe me shtetin e paaftë që këmbëngul të mos ngjitet pak me lart se dy të parët. Sipas nje rituali makabër që përsëritet ngado ne Tirane (dhe jo vetëm) kemi një prerje/krasitje/masakrim te drurëve dhe pemëve ngado ne qytetet. Veçanërisht ne Tirane por duket se modeli është përhapur edhe ne bashki te tjera. Kam pyetur specialistë e dendrologe dhe nuk e dine as ata arsyen se përse shëmtojmë qytetet tona akoma edhe me të shëmtuara se çfarë ato janë. Urojme që drurët nuk priten per zjarr apo për pelet.

Psh; para do kohe bashkia pret rëndshëm pemët e rritura para Maternitetit të ri. Nëse pyet punëtorët me kujdes të thonë se kurorat e rritura të pemëve nuk i donte drejtoria e maternitetit sepse i zinin fasadën!! Ky është idioti ose injoranti i parë dhe pastaj shfaqet i dyti. I paafti ose budallai tjetër- Bashkia dhe pa një pa dy vjen dhe thjesht masakron pemët ! !

Image

Rezultati i pastrimit të fasadës së Maternitetit

Image

Krasitje te Rruga e Kavajës e para disa ditëve.

Ne foto me poshtë psh. krasitja për pemët ne Gjermani. Vetëm aty ku ato janë te ulëta dhe rrezikojnë kalim mjetesh.

Image

Krasitje pemësh dhe sinjalistika ne Gjermani-Kujdes për pemët, Budapest

Është harxhuar pështymë, propagandë, premtime, analiza, diskutime, fjalime mbi nevojën e rigjelbërimit të kryeqytetit - metropoli që ju kërkon dhe ju lutet shqiptarëve të vijnë me vrap për të banuar. Flitet për 1 milionë shqiptarë dhe duket se sipas planeve do të vijnë edhe 1 milionë te tjerë te jetojnë ose të mundohen të mbijetojnë. Plani Rregullues Veliaj ju premton dhe parashikon vetëm e vetëm punë fjetje strehim. Koshere bletësh ose kafaze pëllumbash me kate. Tabelat lajmëruese te kantierit te radhës në Çdo 100m na lajmërojnë për fjetinën e ardhshme 8+10+12 kate dhe 2 kate parkim nëntoke. Propaganda për parqe diku andej nga Farka, Vaqari apo Paskuqani janë propagandë e pastër dhe banale e mërzitshme që përsëritet pa ndalje e me ritëm më të shpeshtë.

Kryetari Rama në krye të Bashkisë dikur hodhi parullën një banor një pemë. Nuk u mboll dot që të kishte banori pemën e tij. Bashën më mirë harrojë fare. Parullën e kapi kryetari Veliaj dhe mbolli vërtet pemë- na thanë për rreth 120 000 mijë pemë të mbjella në vetëm 4 Muaj?? Duket se janë aq shumë sa Kryetari aktual edhe kur nuk ishte në Shqipëri shfaqej ne media duke mbjellë pemët. Pemët mbilleshin Çuditërisht dhe gjithmonë vetëm diku në periferi, nga Liqeni, në Vaqar, nga Unaza, në Farkë.

Për efekt krahasimi, në një program të ngjashëm, Bashkia e Londrës kishte vënë në dispozicion të 29 projekteve lokale mbjelljen e 20 mijë pemëve gjatë sezonit vjeshtë/dimër 2017/18. Njëlloj, në faqen e saj, Bashkia e Parisit angazhohet që deri në 2020, të mbjellë 20 mijë pemë të reja në qytet. Për zgjedhjet e ardhshme bashkiake të Ëienës, kandidati i gjelbër premton 20 000 pemë të reja për cdo vit të mandatit.

Personalisht nuk besoj se janë mbjellë kaq pemë: në lagjet e Tiranes jo e jo. Të vetmet pemë që kam parë të mbillen atje ku unë jetoj ose udhetoj me shpesh ishin selvitë e mbjella ne anë të rrugës 4 Dëshmorët. Qesharake dhe budallëk. Sepse një dendrolog,

Një arkitekt peizazhi, një specialist i fushës nuk do të vinte kurrë selvitë në rrugë qyteti. Qyteti, dhe aq më shumë Tirana e piste ka nevojë për pemë me kurorë të madhe që të kryejë funksionet si me sipërpërmëndur. Dhe është një temë tjetër se sa na ka kushtuar ne taksapaguesve kjo propaganda banale. Një pishë në autostradë na kushtoi 5500 Euro kur në treg e gjeje e shumta 1000 !

Qytetet dhe veçanërisht Tirana ka nevojë për rigjelbërim për gjelbërim të vërtetë, jo për postera me ngjyra. Këtu futen pemë jetëgjata, me kurorë të dëndur, që krijojnë masë biotike të madhe, që nuk sëmuren kollaj, që nuk kanë shumë pretendime për ujë në kushtet e ndryshimeve të klimës, që nuk vuajnë nga i ftohti apo i nxehti ekstrem, jo gjetherënëse (Plan i Peizazhit apo Vlerësim Strategjik duket pak si gjuhë e huaj ?)

Nevojitet qe në Çdo qoshe, në cdo copëz toke bosh, përgjatë rrugëve, në oborre të shtëpive, ne trotuare, ne sheshet, të shqepet betoni, të shtrohet me kalldrëm dhe te mbillet me të vërtetë. Po aq pemët kur janë të reja duan kujdes duke i ujitur dhe plehëruar, duke ju punuar kurorën duke ju hapur sa më shumë vend përreth. Pemët kanë nevojë të marrin ajër dhe ujin e shiut.

Trotuaret dhe rrugët tona janë të asfaltobetonizuara. Gropat e pemëve shërbejnë kryesisht si vende për hedhje mbeturinash nga më të Çuditshmet ose edhe me keq janë te Çimentuara. Fatkeqësisht ne nuk e kemi patur rastin të njohim kulturën e qytetit, të komunitetit, e kujdesit të pemës dhe gjelbërimit, të trotuarit dhe rrugës psh rëndom shkëmbehet akoma piktori me arkitektin: kur i thua dikujt që jam urbanist me profesion këtu punët ngatërrohen edhe më keq.

Mos kishte te drejte ai filozofi i m . . . kur thotë që Çdo popull meriton qeverinë që ka ?

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco