Mustafaj: Isabel Santos e Pr/Rezolutës së ashpër të PE, vjen nga Partia Socialiste

Mustafaj: Isabel Santos e Pr/Rezolutës së ashpër të PE, vjen nga Partia Socialiste

07:52, 15/03/2023
A+ Aa A-

Andi Mustafaj, anëtar i Këshillit kombëtar të PD, analizoi këtë mëngjes, në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, domethënien e Projekt-Rezolutës kritike të Parlamentit Europian nga Shqipërisë, hartuar nga eurodeputetja Isabel Santos.

Z. Mustafaj veçoi faktin se znj. Santos është pjesë e Partisë Socialiste Euopiane.

Raporterja e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Isabel Santos hartoi një nga projekt-rezolutat më kritike të viteve të fundit kundër qeverisë shqiptare, duke kritikuar planet për amnisti fiskale dhe pasaporta të arta, duke shprehur keqardhje për mungesën e progresit në liritë themelore si dhe shqetësimet për mungesën e transparencës dhe të konkurrencës në prokurimet publike apo në koncesione.

Projekt-Rezoluta u publikua javën e kaluar në faqen e internetit të Parlamentit Evropian dhe pritet t’i nënshtrohet procedurave parlamentare në javët në vijim.  

Ajo vëren progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në reformën në drejtësi, ndërsa bën thirrje që palët politike të angazhohen në ndërmarrjen e masave për shqetësimet e lidhura me financimin e partive.

I pyetur nga moderatorja Ola Bregu se çfarë tregon projektrezoluta e Parlamentit Europian nga eurodeputetja Izabel Santos me kritika aq të mëdha për Shqipërinë, z. Mustafaj tha:

“Ajo është në radhë të parë një mesazh diplomatik, një mesazh që vjen nga jashtë dhe është shqetësuese. Vlen të theksohet se të gjitha problematikat që janë përmendur në këtë Projekt-Rezolutë janë të denoncuara prej kohësh nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Në këtë aspekt është një lajm pozitiv që opozita shqiptare e kryen punën e saj, të paktën rolin që ka në ngritjen lart të çështjeve shqetësuese që ndodhin në vendin tonë.

Sa i përket Projek-Rezolutës në vetvete, vlen të theksohet se deputetja Isabel Santos vjen po nga Partia Socialiste, Partia Socialiste Europiane, pra partia simotër e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Ky është një shembull dhe shpresoj një simbol pozitiv për qytetarët shqiptarë që mund të jenë persona nga një grupim i njëjtë partish politike, por që vazhdojnë të kenë bindjet dhe parimet e tyre dhe në një farë mënyrë i bën jehonë, thirrjeve që janë bërë vazhdimisht nga Kryetari i Partisë Demokratike, nga PD, që socialistët e ndershëm të kthehen kundër sistemit që ka mbërthyer Shqipërinë, që nuk është një fatalitet i paluftueshëm.

Projektrezoluta është një fatkeqësi për ne shqiptarët dhe njëherësh edhe gjë pozitive, sepse fatkeqsisht do të flitet edhe njëherë keq në Europë, në Parlamentin Europian dhe kjo nuk është asnjëherë diçka pozitive për t’u gëzuar, por ama është një shans i mirë që shqetësimet e mëdha që nuk kanë gjetur zgjidhje në Shqipëri, pavarësisht punës së opozitës, të trajtohen më lart dhe të kemi mundësi që të jepen jo zgjidhje, por të paktën presione nga partnerë ndërkombëtarë që ato më pas të gjejnë zgjidhje në Shqipëri,” theksoi Mustafaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco