SYRI TV/ Dënohen 23 përkrahës të PD: S'na lejojnë të shkojmë në protestë

11:10, 04/03/2023
A+ Aa A-

Me kërkesë të kryeministrisë, Gjykata e Tiranës dënon 23 simpatizantë të Partisë Demokratike për pjesëmarrjen në protestat e vitit 2019. Andon Gjini, një nga të dënuarit shprehet se vendimi është pa prova, dhe është bërë me qëllim që qytetarët të pengohen të dalin në protesta. Nga ana tjetër, gjykata u kërkon të dëmshpërblejnë kërpudhën e kryeministrit Rama, e cila kushton rreth 20 mijë euro

SYRI TV

Andon Gjini është një nga 23 të dënuarit me shërbim prove nga Gjykata e Tiranës, pasi ka marrë pjesë në protestën e 16 shkurtit të vitit 2019, organizuar nga Partia Demokratike. Ai është dënuar, pas padisë së kryer nga kryeministria, për shkatërrim të kërpudhës dhe thyerjen e disa xhamave. Qytetari nga Divjaka e cilëson këtë vendim si të pabazuar në prova.

Qytetari nga Divjaka shprehet gjithashtu, se vendimi është marrë me qëllim që ai dhe qytetarë të tjerë, të pengohen për të dalë në protestat e opozitës, duke i kufizuar me paraqitje çdo javë në shërbimin e provës.

Por sikur të mos mjaftojnë këto, në vendimin e gjykatës së Tiranës, Andon Gjini së bashku me protestuesit e tjerë të opozitës, ngarkohen me detyrimin për të dëmshpërblyer dëmtimin e kërpudhës së kryeministrit Rama, e cila kap një vlerë prej rreth 20 mijë eurosh.

Lidhur me pretendimet e Andon Gjinit, shërbimi i provës në Lushnje nuk pranoi të japë shpjegime publike, ndërsa jashtë kamerave, thotë vetëm se paraqitja e të dënuarit pranë këtij institucioni çdo javë është detyrim ligjor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco