Lajmi i fundit

Lek me thasë/ SPAK sekuestron bizhuteri, ora Rolex, makina dhe miliona euro

VIDEO/ Mesazhi i plotë i Berishës për britanikët: Rama është arsyeja e shpopullimit masiv!

13:26, 04/11/2022
A+ Aa A-

Kryetari i PD-së Sali Berisha, e ka nisur konferencën e sotme për shtyp me një deklaratë publike në emër të PD-së, lidhur me largimin masiv të shqiptarëve nga vendi, shkaqet që i shtyjnë dhe shkaktarët.

Deklarata e plotë e z. Berisha në vijim:

"Në Britaninë e Madhe në media, Parlament dhe qeveri, ka shqetësime serioze për fluksin e paparë të refugjatëve shqiptarë të cilët kalojnë Kanalin, me shpresën e një jete më të mirë në atë vend. Gjatë këtij viti ky fluks, deri tani ka arritur në 12 mijë shqiptarë, nga 800 që ishte në vitin 2021.

Pa dyshim kjo përbën një situatë serioze për çdo vend dhe polemika lidhur me të është e kuptueshme dhe e pashmangshme.

Duke mos u pajtuar me asnjë etiketim të padrejtë ndaj refugjatëve shqiptarë, nga mediat apo politikanë të caktuar britanikë, Partia Demokratike gjen rastin të falenderojë Madhërinë e tij, Charles i III-të për fjalët dhe ndërhyrjen e tij fisnike në këtë polemikë.

Partia Demokratike hedh poshtë dhe denoncon si të papërgjegjshme, deklaratën e Edi Ramës në të cilën ai fajëson për gjendjen e krijuar autoritetet e Britanisë së Madhe, duke treguar me gisht në mënyrë specifike si fajtorë, konservatorët britanikë.

Partia Demokratike e Shqipërisë, gjithashtu fton qeverinë, Parlamentin, forcat politike të Mbretërisë së Bashkuar të ndalë dhe të analizojnë shkaqet e vërteta të shndërrimit të shqiptarëve në “popull të gomoneve”, nga qeveria aktuale e Edi Ramës, sepse kjo mund t’i ndihmojë në interes të tyre të kuptojnë më mirë se çfarë po ndodh me shqiptarët në Shqipëri.

Partia Demokratike e Shqipërisë deklaron se: Shkaku themelor i shpopullimit me shpejtësi të Shqipërisë, i largimit sipas EUROSTAT nga ky vend, që nga viti 2014 – 2021, vetëm për në vendet e Bashkimit Europian, i 744 mijë e 417 shqiptarëve, apo 26% e popullatës, pa përfshirë këtu ata që kanë shkuar në SHBA, Britaninë e Madhe, Kanada dhe vende të tjera të BE-së, është:

1. Votimi fiktiv i shqiptarëve nga dhunimi masiv i zgjedhjeve nga Edi Rama nëpërmjet vendosjes së sistemit të vjetër të patronazhistëve, përdorimit të shtetit si makineri elektorale, blerjes masive të votave dhe përdorimit të bandave dhe krimit në fushata elektorale.

Me zgjedhjet fiktive, Edi Rama ka vrarë shpresën  te shqiptarët se pushteti mund të ndryshohet me votë. Vetëm gjatë vitit 2022, një vit pas zgjedhjeve fiktive, fluksi i refugjatëve nga Shqipëria në Britaninë e Madhe, u rrit 15 herë krahasuar me një vit më parë. Mbështetja e fitoreve të Edi Ramës nga mafia ndërkombëtare, protezheja e tij, George Soros, ka efekte shkatërruese mbi demokracinë shqiptare.

2. Vendosja në Shqipëri e monizmit absolut apo sundimit të shtetit njëpartiak falë votimit fiktiv. Sot Edi Rama kontrollon të gjitha pushtetet në Shqipëri, pushtetin ekzekutiv, pushtetin legjislativ, institucionet kushtetuese si Presidencën, Shërbimin Informativ Kombëtar etj. Me reformën sorosiane, ai ka nën kontroll të plotë sistemin e drejtësisë. Në fakt ai kontrollon 10% më shumë pushtet se sa diktatori i fundit komunist Ramiz Alia në vitin 1991. Shqipëria për indeksin e zbatimit të ligjit sipas Raportit të fundit të World Justice Project, renditet 4 vende nën Vietnamin komunist.

3. Lidhjet e tmerrshme të Edi Ramës me krimin, drogën dhe zëvendësimin në Shqipëri i shtetit ligjor me narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë. Shqipëria, sipas raporteve të DASH, është shndërruar në qendër operacionale të organizatave kriminale rajonale, europiane dhe botërore.

4. Vjedhja e fondeve dhe pasurive publike, vendosja e sistemit të korrupsionit në vend. Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni kushtetues për kontrollin e shpenzimeve buxhetore ka faktuar se në 7 vite janë vjedhur dhe shpërdoruar 8. 2 miliardë euro, shumë kjo e barabartë pothuaj me 2 buxhete. Kështu, me sistemin korruptiv dhe vjedhje të fondeve publike të vendosur nga Edi Rama, punët publike në Shqipëri kushtojnë 7 deri në 10 herë më shumë se sa në vendet e BE-së, p.sh. 1 km autostradë në fushë në Shqipëri kushton 24 milionë euro kundrejt vetëm 3 milionë euro që kushton në vendet e Bashkimit Europian. Apo ndërtimi i një shkolle me fondet e buxhetit të shtetit në Tiranë, kushton 3 deri në 6 milionë euro, ndërsa ndërtimi i një shkolle të njëjtë me fondet e donatorëve nga UNDP po në Tiranë, kushton gjithsej 680 mijë euro.

5. Vetë Edi Rama mori detyrën si Kryeministër i akuzuar nga prezenca e OSBE-së në Tiranë se ka të fshehura në bankat offshore, 200 milionë euro dhe për këtë akuzë, Edi Rama nuk reagoi kurrë me asnjë formë përgënjeshtrimi. Kryeministër, ai firmosi në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, për ndërmarrje të  vetën, kontratat e ndërtimit të tri djegsave me 430 milionë euro, sot asnjë djegës nuk funksionon.

6. Ndërkohë që shqiptarët janë shndërruar sot në “popull i gomoneve”, Edi Rama jeton si kryeministri më i kushtueshëm në Europë. Ai ka realizuar me charter 137 udhëtime përfshirë këtu, udhëtime për të ndjekur ndeshje të futbollit amerikan në Florida apo vakanca të kushtueshme në Paris, etj. Vetëm këto udhëtime u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë 22 milionë euro. Ai porositi instalacion druri 4 milionë euro në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë që përveç tij dhe rojeve të tij  nuk e shikon njeri.

7. Varfërimi progresiv i shqiptarëve nga korrupsioni i papërmbajtur dhe politikat që ndjek Edi Rama dhe qeveria e tij është shkak tjetër madhor i shpopullimit dramatik të Shqipërisë.  Në vitin 2013 shqiptarët kishin rrogën mesatare më të lartë në rajon, më të lartë se Bullgaria, Rumania dhe vende anëtare të BE-së. Sot pas 9 vitesh të qeverisjes korruptive të Edi Ramës ata kanë rrogën më të ulët në rajon, 15-20% më të ulët se Kosova kurse çmimet e produkteve ushqimore bazë sipas Eurostat, janë 7-10% më të larta se mesatarja e vendeve anëtare të BE-SË.

Nafta në Shqipëri, shitet me çmim pothuaj të njëjtë si në Zvicër dhe Gjermani. Së fundi, një rol të padiskutueshëm në fugën masive të shqiptarëve nga Shqipëria, luan herë-herë edhe korrupsioni ndërkombëtar, politik, monetar dhe erotik i Tiranës zyrtare, për të siguruar mbështetje politike të pamerituar për regjimin monist të saj.

Partia Demokratike i konsideron shqiptarët që largohen nga Shqipëria, viktima të një regjimi që nuk i lejon të votojnë si qytetarë të lirë, që i vjedh dhe i plaçkit ata deri në palcë, që i kanë shndërruar pasuritë e tyre të mëdha publike në një mallkim për qytetarët e këtij vendi dhe ka zëvendësuar shtetin ligjor me narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

PD angazhohet të punojë fort që shqiptarët të votojnë të lirë dhe të shndërrojnë Shqipërinë, vendin e pasurive të mëdha dhe resurseve të pafundme, në vendin ku shqiptarët të ndërtojnë ëndrrat e tyre të bukura, të ardhmen që meritojnë."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco