Paralizë në disa prej universiteteve në vend, pedagogët bojkotojnë, çfarë pritet në vijim nëse qeveria nuk plotëson kërkesat

Paralizë në disa prej universiteteve në vend, pedagogët bojkotojnë, çfarë pritet në vijim nëse qeveria nuk plotëson kërkesat

11:12, 17/10/2022
A+ Aa A-

Ashtu siç ishte paralajmëuar, në pjesën më të madhe të universiteteve të Shqipërisë, sot pedagogët kanë bojkotuar nisjen e vitit të ri akademik.

Pedagogët e universitetit të Korçës, Gjirokastrës, Elbasanit, dhe Tiranës nuk kanë nisur mësimin.

Në Shkodër, rektorja e universitetit, tha se i mbështeste kërkesat e pedagogëve por kishte kërkuar që bojkoti të mos niste ditën esotme. 

Nga ana tjetër Peter Saraçi, kryetar i sindikatës së pedagogëve në Shkodër tha se pjesa më e madhe e tyre kanë bojkotuar dhe se nuk po zhvillohej mësim.

“Pjesa më e madhe e pedagogëve janë në protestë, nuk po zhvillohet mësim. Do vijojmë bojkotin gjatë gjithë orëve të mësimit. Protesta nuk është kundër kryeministrit apo rektores. 3 pika nuk janë realizuar ende.

Protesta mbështetet nga studentët. Ftoj rektoren të na thërrasë në takime, jemi treguar realist në pikat tona”– u shpreh Saraçi.

Ndërkohë në Vlorë, nuk ka patur protestë të pedagogëve, dhe rektori i institucionit u shpreh se nuk ishte njoftuar nga sindikata.

Po ashtu edhe në universitetin e Durrësit, nuk raportohet për bojkot të pedagogëve.

Ndërsa në Tiranë, pedagogët në pjesën më të madhe të fakulteteve, kanë bojkotuar nisjen e vitit të ri akademik duke mos zhvilluar mësim. Ndërsa kanë njoftuar se protestat do të vijonin çdo ditë nga ora 10:00 deri në 12:00 duke sjellë edhe përshkallëzime të mëtejshme.

Përjashtim nga bojkoti, kanë bërë pedagogët e fakultetit të mjekësisë në Tiranë, ku rektori i faktultetit nuk ka pranuar të ketë protestë. Ndërsa kreu i sindikatës, Sandër Kovaçi e cilësoi atë si një “oligark”.

Kërkesa e pedagogëve qëndron në rritjen e rrogës së tyre deri në 50%, ku 30% rritje të bëhej gjatë njërit vit dhe 20% gjatë vitit tjetër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco