SYRI TV/ QKR refuzon aplikimin e 'guackës' së Durrësit, mbahen sekret pronarët e investitorit strategjik

14:33, 05/10/2022
A+ Aa A-

Kompanisë guackë për ndërtimin e portit të jahteve në Durrës I refuzohet për herë të dytë aplikimi për regjistrimin e pronarëve nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Arsyet e refuzimit nuk janë publike, megjithatë sipas një vendimi të qeverisë, ky refuzim bëhet kur nuk janë plotësuar të gjitha të dhënat për pronarët përfitues, ka korrigjime apo mungojnë dokumentet vërtetues. Gjithashtu, kësaj kompanie, qeveria i ka dhënë 100 hektarë tokë publike në Durrës.

Nga SYRI TV

Qendra Kombëtare e Biznesit ka refuzuar dy herë aplikimin për regjistrimin e pronarëve të kompanisë guackë që ka fituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e Portit të Jahteve në Durrës.

Shoqëria, e cila u regjistrua fillimisht si “Symphony Invest Limited”, ndryshoi emrin dhe pronarët në Dhjetor të vitit 2021, duke u quajtur “Eagle Hills Real Estate Development”.

Bazuar në ligjin për pronarët përfitues, brenda 6 muajve nga ndryshimi i pronësisë, kompanitë private duhet të deklarojnë emrat e personave që janë pronarët fundorë.

Kur kanë kaluar 10 muaj nga ndryshimi i pronësisë së guackës së Durrësit, ende nuk dihen përfituesit e vërtetë.

Kompania “Eagle Hill” ka aplikuar dy herë për të regjistruar pronarët, në maj dhe korrik 2022. Por, në të dy rastet, Qendra Kombëtare e Biznesit ka refuzuar aplikimin.

Arsyet e këtij refuzimi nuk janë publike. Megjithatë, një Vendim i Këshillit të Ministrave, miratuar në fund të vitit 2020, rendit rastet se kur refuzohet aplikimi për regjistrimin e pronarëve përfitues.

Sipas vendimit qeveritar, QKR refuzon aplikimet e tilla kur nuk janë plotësuar të gjitha të dhënat për pronarët përfitues apo nëse të dhënat kanë korrigjime, fshirje apo mungojnë dokumentet vërtetues.

Kompania “Eagle Hills Real Estate Development” ka trashëguar statusin e investitorit strategjik, të cilin qeveria Rama ia dha shoqërisë “Symphony Invest Limited”.

Qeveria i dha gjithashtu kësaj kompanie off-shore të drejtën për të përdorur rreth 100 hektarë truall publik në qendër të Durrësit, për të zhvilluar projektin “Durrës Jaht Marina”.

Pavarësisht këtyre dhuratave nga kabineti Rama, opinioni publik ende nuk e di se cilët janë pronarët përfitues të këtij projekti të shumë-debatuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco