Amnistia kriminale/ Dhoma Amerikane i përgjigjet sulmeve të Ramës

Amnistia kriminale/ Dhoma Amerikane i përgjigjet sulmeve të Ramës

09:42, 20/07/2022
A+ Aa A-

Për Dhomën Amerikane të Tregtisë, nisma e qeverisë për Amnisti Fiskale dhe Penale nuk ofron garancitë e mjaftueshme, se përmes saj nuk do të përfitojnë persona të inkriminuar.

Presidenti i AmCham, Enio Jaço, ndërsa renditi risqet që nisma paraqet, u kujdes që të bëjë të qartë se ky nuk është qëndrimi i një individi të vetëm, por e institucionit me strukturat përkatëse.

Veç mungesës së sigurisë për të mos i hapur rrugë legalizimit të parave që vijnë nga bota e krimit dhe trafikut, shqetësim për Dhomën Amerikane të Tregtisë është edhe fakti që Shqipëria është në listën e vendeve gri, pra, me risk të lartë për pastrimin e parave. Në këto kushte, tha Jaço, më mirë të presim të dalim së pari nga kjo listë.

Gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin e organizuar nga “Open Data Albania”, me temë “Pastrimi i Parave në kontekstin e Amnistisë Fiskale”, Jaço renditi si rrezik edhe thellimin e konkurrencës së pandershme. Niveli i taksimit, vuri në dukje ai, është më i ulët për personat që përfitojnë nga amnistia fiskale në krahasim me atë që bizneset e rregullta paguajnë.

“Unë dua të shpjegoj shumë shkurt se ku qëndrojmë ne, sepse mund të ketë pasur edhe ndonjë keqkuptim. Ne kemi pasur tri çështje kryesore. E kuptojmë që ligji mund të ketë një intencion pozitiv, por nga ana tjetër, kemi identifikuar disa risqe. Në opinionin tonë, garancitë e ofruara që persona të inkriminuar nuk do përfshihen në amnistinë fiskale nuk kanë qenë të mjaftueshme.

E dyta, e cila është një nga shqetësimet kryesore të anëtarëve, është rreziku që kjo amnisti mund të thellojë konkurrencën e pandershme dhe mendoj se të gjithë e kuptojnë këtë pjesë. E lidhur me këtë është niveli i taksave, i cili është më i ulët për personat që përfitojnë nga amnistia fiskale në krahasim me atë që bizneset e rregullta paguajnë. Nëse do ishte një normë tatimi më të lartë, në njëfarë mënyre edhe për t’i penalizuar këto subjekte edhe fiskalisht, atëherë do të ishte një situatë tjetër. 

E treta dhe shumë e rëndësishme është pozicionimi i Shqipërisë në lidhje me programet e monitorimit ndërkombëtar. Shqipëria është në procesin e “Moneyval”, ku tashme është në zonën gri të pastrimit të parave. Mendoj që është e rëndësishme të dalim një herë nga kjo listë. Ky ka qenë një shqetësim edhe nga FMN dhe Bashkimi Europian”, tha Jaço duke shtuar më tej se “nëse drafti i ri i adreson këto dhe garanci të mjaftueshme ofrohen nga partnerët ndërkombëtarë, atëherë dua të qartësoj që qëndrimi i AmCham është gjithashtu i adaptueshëm".

"Ky pozicionim është i rëndësishëm për ne sepse është i lidhur drejtpërdrejtë me aftësinë për tërheqjen e investimeve të huaja. Por dua të theksoj se AmCham është një nga grupet e interesit, ne vetëm rekomandojmë me interesin për të përmirësuar ligjin. Ne nuk jemi vendimmarrës. Por mendoj se adresimi i këtyre çështjeve do ishte i shëndetshëm dhe nëse gjendet një zgjidhje do ishte pozitive për të gjithë”, shtoi më tej presidenti i AmCham.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco