VIDEO-SYRI TV/ TAP shpëton Evropën nga Rusia/ Berisha: Qeveria ime kishte rol përcaktues

11:18, 17/03/2022
A+ Aa A-

Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha e quajti historik lajmin që gazi nga gazsjellësi Transadriatik (TAP) ka mbërritur në Europë. Gazi nga Azerbajxhani ka mbërritur në Itali në momente shumë të vështira, kur Europa po kërkon të shkëputet nga varësia ruse e gazit.

Pikërisht në këtë ditë historike, Sali Berisha tha se ai dhe qeveria e tij kanë pasur një rol përcaktues që TAP të shkëpusë Europën nga gazi rus. Berisha tha se fqinjët dhe Rusia lobuan fuqishëm që të kapin linjën jugore të transportimit të gazit drejt Europës, por Shqipëria nuk e pranoi një gjë të tillë.

“Ky është gazsjellësi i parë në Europë pa gazin rus. Është një arritje e madhe për Europën. Shqipëria dhe qeveria që unë kryesova luajti një rol përcaktues. Për të pasur të qartë rolin përcaktues të Shqipërisë, TAP-i mund të ishte TAP vetëm nëse kalonte në territorin e Shqipërisë, territor ku gazi rus nuk mund të kalonte.

Rreth kësaj aksiome u zhvillua një aktivitet i jashtëzakonshëm intensiv disavjeçar. Gjithçka po bëhej që korridorin e jugut ta kapte Rusia. Kundërshti të mëdha në të gjitha vendet ku kalonte gazsjellësi, përveç Shqipërisë, u shfaqën në rritje. Për të eliminuar gazsjellësin TAP u krijua nga tre vendet fqinje një rrjet real dhe virtual që u quajt rrjeti i gazit Itali-Turqi-Greqi. Real sepse ekziston dhe është me gaz rus. Virtual sepse gazsjellësi i Kaspikut kërkonte instalime të tjera shtesë të gazit.

Kështu që mbetej realizimi i qëllimit strategjik të Azerbajxhanit, lidhja me Europën Perëndimore. Prandaj ju thashë se TAP mund të ishte TAP vetëm po të kalonte në territorin e Shqipërisë,” tha Berisha.

Ai rezervoi një mirënjohje për ish-Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton për arritjen e këtij momenti historik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco