Pak ditë para mbledhjes konstituive të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, e parashikuar për t'u zhvilluar në 1 korrik në orën 18:00 është bërë publik një lajm i bujshëm. Edi Paloka, një nga figurat historike dhe me peshë në PD, ka deklaruar publikisht tërheqjen e tij nga çdo post i lartë drejtues brenda partisë, duke refuzuar rikandidimin për kryetar të Këshillit Kombëtar.
Në një deklaratë gjatë një interviste me Arnold Kariqin në Syri tv, Paloka konfirmoi se prej më shumë se një muaji ka njoftuar kryetarin e Partisë Demokratike për këtë vendim. Megjithatë, kjo lëvizje nuk nënkupton një tërheqje nga jeta politike apo nga betejat e ardhshme. Paloka theksoi se impenjimi i tij politik jo vetëm që nuk do të zbehet, por pritet të rritet në një formë tjetër, duke mbyllur kështu çdo spekulim për një largim përfundimtar nga politika.
Arsyeja kryesore pas këtij hapi të papritur është nevoja për t'i hapur rrugë të tjerëve dhe për të krijuar një gërshetim brezash e prurjesh të reja brenda strukturave të partisë.
Arnold Kariqi: Më parë duhet të pyes pak, pasi Partia Demokratike tashmë ka nxjerrë njoftimin se në një korrik në orën 18:00 do të zhvillohet mbledhja konstituive e Këshillit Kombëtar të PD-së me rend dite zgjedhja e kryetarit të Këshillit Kombëtar, zgjedhja e kryesisë së PD-së dhe të tjera, të tjera vendime në rendin e ditës. Së pari, do të rikandidoni për një tjetër mandat në krye të Këshillit Kombëtar?
Edi Paloka: Të pyes, në fakt ishte pyetje drejtpërdrejtë kjo. Mendova mos i jepja përgjigje tani por unë kam kërkuar që mos kandidoj më. Kam mbi një muaj që i kam kërkuar, ose kam njoftuar kryetarin e Partisë Demokratike që do preferoja të mos kandidoja më, as për kryetar të Këshillit Kombëtar dhe as për ndonjë post tjetër drejtues të lartë të Partisë Demokratike.
Arnold Kariqi: Ndani, mendimin që duhet të ketë një, gërshetim emrash pra, afrimesh të tjera përtej grupit parlamentar, që janë pjesë e Partisë Demokratike sigurisht?
Edi Paloka: Unë mund të kem shumë ide, por sigurisht, thënë ajo që thashë pak më parë sepse mund të keqinterpretohet nga dy krahë. E para, absolutisht impenjimi im jo vetëm nuk do të zvogëlohet, por do të shtohet. Unë nuk kam vendosur që me këtë vendim që kam marrë të momentit as të largohem nga politika, nga lufta, përkundrazi, edhe njëherë e them, nuk kam ndërmend as ta mbyll karrierën time politike. Por kam menduar që në këtë moment mbase duhet të provohen dhe të tjerë, të bëhet ajo që the ti, gërshetim midis brezave. Dëgjo, unë gjithmonë kam qenë i mendimit se nuk është posti që e bën asnjë njeri, asnjë figurë. Nuk i ndryshon as vlerat, as gjithë çfarë ka bërë ai njeri në jetën e tij. Edi Paloka nuk ndryshon, as nuk i merr vlerat nga një post, as nuk i humbet vlerat nga një post që le. Sigurisht ai është vlerësim dhe unë e quaj vlerësim sa herë më kanë caktuar në një post të lartë të Partisë Demokratike, por edhe njëherë e them, nuk është posti që përcakton as vlerat, as hedh poshtë sakrificat e dikujt, as vlerat e tij dhe as kontributet e tij në politikë…
© SYRI.net