Në përmbyllje të protestës së ditës së 29-të përpara Kryeministrisë, organizatorët njoftuan se tubimi i së hënës pritet të ketë edhe pjesëmarrjen e eurodeputetëve, ndërsa paralajmëruan një mobilizim mbarëkombëtar më 4 korrik.
Sipas njoftimit të bërë gjatë protestës, synimi është që qytetarë nga të gjitha qarqet e vendit t'i bashkohen tubimit në Tiranë, në një demonstratë që organizatorët e konsiderojnë si një moment kyç të aksionit qytetar. Ata theksuan se prania e eurodeputetëve në protestën e radhës do të përbënte një sinjal mbështetjeje dhe vëmendjeje ndërkombëtare ndaj zhvillimeve në Shqipëri.
Edhe gjatë marshimit të sotëm, protestuesit mbushën rrugët e kryeqytetit me flamuj kombëtarë dhe pankarta, duke brohoritur slogane si "Ju erdhi fundi", "Revolucion", "Shqipëri e re", "Shqipëria kërkon revolucion" dhe "Poshtë diktatura".
Marshimi u zhvillua në rrugët e Tiranës në vijim të protestës, ndërsa pjesëmarrësit deklaruan se do ta vazhdojnë aksionin e tyre edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.
© SYRI.net