Në ditën e 29-të të protestës para Kryeministrisë, një nga qytetarët që mori fjalën deklaroi se qëndresa njëmujore ka rrëzuar bindjen se shqiptarët nuk reagojnë ndaj problemeve të vendit.
Ai u bëri thirrje Policisë së Shtetit të mos provokojë protestuesit dhe qytetarëve të mos bien pre e provokimeve, duke theksuar se protesta do të vijojë në mënyrë paqësore deri në dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.
Qytetari: Kjo protestë më së fundmi u dha një përgjigje të gjithë parashikimeve, sidomos ndaj brezit të ri, gjeneratës Z. Sepse ishim mësuar që të na thoshin se ne nuk çohemi, shqiptarët nuk bashkohen, nuk ngrihen, nuk reagojnë për problemet. Por mbas kësaj qëndrese njëmujore, tashmë besimi tek njëri-tjetri është rritur dhe duket që shqiptarët e kanë ndarë mendjen për mos t'u larguar nga bulevardi derisa qeveria të japë dorëheqjen!
Para se çdo qytetar të marri fjalën për të shprehur mendimin e tij ashtu siç e ndjen, dua t'i bëj një thirrje Policisë së Shtetit si fillim. Që të mos provokojë qytetarët dhe edhe në rast se merr urdhër për t'i provokuar, të mos i zbatojë ato urdhra kundër popullit të vet! Pasi ju jeni këtu për të siguruar popullin, nuk jeni këtu për të siguruar pushtetarët!
Gjithashtu e kam një thirrje dhe për të gjithë qytetarët që ndodhen në shesh, që mos të bien pre e provokimeve. Ditët e fundit janë intensifikuar provokimet dhe mund të themi se kryeministri ka vendosur të hyjë në një luftë frontale me protestuesit. Kështu që mos bini pre e provokimeve e patronazhistëve të cilët mund të futen në turmë, të kamufluar si qytetarë, për t'ju imponuar mendimin e tyre. Veproni dhe shprehni atë që ju mendoni! Mos u ndikoni nga njerëz që nuk i njihni dhe që ju afrohen papritur.
Ne jemi të vendosur siç kemi qenë për 29 ditë që ta vazhdojmë qëndresën në mënyrë paqësore, derisa kjo qeveri të japi dorëheqjen. Kështu që se si do të vazhdojë kjo protestë, jemi po ne këtu në mënyrë të pavarur, duke shprehur mendimin tonë të lirë, që e vendosim. Kështu që gjithsecili që ka një mendim, edhe njëherë mund të vijë edhe ta shprehë këtu. Para se t'japim fjalën, dua që gjenerata Z ta thërrasë këngën më të bukur të këtyre ditëve. Gjenerata Z, a jeni sot apo jo?
© SYRI.net