VIDEO-SYRI TV/ 'Shtëpia e Lirisë', apel qytetarëve të votojnë, thirrje Komisionerëve të respektojnë ligjin

15:27, 06/03/2022
A+ Aa A-

‘Shtëpia e Lirisë’ në Shkodër u bën thirrje qytetarëve që të dalin e të votojnë.

Në një deklaratë për mediat, Imelda Kraja, zëdhënëse "Shtëpia e Lirisë" Shkodër u ka bërë thirrje edhe komisionerëve që të zbatojnë ligjin.

‘Banorë të Bashkisë Shkodër,

Dita e sotme është shumë e rëndësishme për Shkodrën por edhe Shqipërinë. Me votën tonë kemi në dorë fatin e familjeve e fëmijëve tanë. Sot, duhet të bëjmë një zgjedhje të qartë për të sotmen por edhe për të nesërmen e shtëpisë sonë të përbashkët.

Çdo votë është një gur në themelin e ëndrrës tonë të përbashkët për të rikthyer shpresën, për të sjellë ndryshimin për Shkodrën e Shqipërinë.

Kanë mbetur edhe pak orë në dispozicion për të ushtruar të drejtën tonë kushtetuese për të votuar.

“Shtëpia e Lirisë” fton të gjithë shkodranët, në qytet dhe në njesitë administrative, t’i drejtohen kutive të votimit, të shprehin vullnetin e tyre të lirë dhe të pavarur. Vetëm kështu bëhemi pjesë e vendimmarrjes, vetëm me votën tonë japim kontribut për vete, familjet tona e fëmijët tanë.

I përsërisimin thirrjen tonë jo vetëm qytetarëve por edhe administratorëve të procesit zgjedhor në të gjitha nivelet. Të garantojnë votën e shkodranëve, në zbatim të ligjeve në fuqi. Kujtojmë se Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal përcaktojnë sanksione ligjore të ashpra për të gjithë shkelësit.

Edhe njëherë, “Shtëpia e Lirisë” i bën thirrje shkodranëve t’i drejtohen masivisht kutive të votimit, të vendosin me votën e tyre për të ardhmen për shpresë e ndryshim’, - thuhet në deklaratën e ‘Shtëpisë së Lirisë’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco