Analiza e Manjanit: Zgjedhjet nuk mbahen bazuar vetëm në një parim

Analiza e Manjanit: Zgjedhjet nuk mbahen bazuar vetëm në një parim

09:56, 18/01/2022
A+ Aa A-

Nga Ylli Manjani

Në Amerikë vijon debati mbi votimin në avancë dhe me postë. Përtej detajeve që lidhen me debatin e brendshëm amerikan, çështjet që krijojnë problem me këtë mënyrë votimi janë dy:

1. Si garantohet parimi i votës së fshehtë?
2. Si garantohet parimi një zgjedhës një votë? Pra si shmanget votimi familjar ose votimi i dikujt për dikë tjetër?!

Amerika, shtetet që e aplikojnë këtë mënyrë votimi, nuk i jep zgjidhje shterruese këtyre dy çështjeve. Mbrojtësit e kësaj proçedure mjaftohen me parimin e garantimit të pjesmarrjes në votime, nisur dhe nga situata pandemike.

Mirëpo zgjedhjet nuk mbahen bazuar vetëm në një parim. Janë disa. Fshehtësia dhe e drejta për të zgjedhur vetë lirisht nuk garantohen në procese votimi jashtë qendrave të votimit.

****

Merreni tani këtë debat dhe këto shqetësime serioze që ka procesi i votimit në Amerikë dhe vendoseni në kontekstin shqiptar.
Në konktekstin ku vota shitet lirisht;
-ku karta e identitetit i jepen kujdo në këmbim të parasë;
-ku informacionin biometrik e përdor pushteti me lehtësi të madhe;
-ku votat i bëjnë trafikantët;
-ku trashëgimia e votimit familjar është ende prezente;
-ku shtetasit nuk kanë e as denjojnë të deklarojnë një adresë të saktë;
-ku gjysma e popullsisë jeton jashtë kufinjve;

Për mua është mënyrë votimi e pabëshme. Do të cenonte rëndë dhe shumë rëndë çdo proces zgjedhor.

Nëse do zbatohej praktika e disa shteteve amerikane të votimit në distancë me postë, e imagjinoj se si trafikantët do të mbushnin zarfet e koduara me vota në emër të kush e di sa njerëzve që nuk jetojnë në Shqipëri… njerëz të cilët e shesin votën.

Nuk di mënyrë më të sigurtë sesa zgjedhësi të paraqitet në qendrën e votimit dhe të votojë. Kjo vlen edhe për ata që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe, që shprehin paraprakisht dëshirën për të votuar.

*****
Po të kishte OSBE/ODIHR në Amerikë votimet presidenciale do t'i bënte copë… 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco