VIDEO/ Qyteti-simbol ku Berisha do të përmbyllë Foltoren, si dhe pse u përzgjodh

VIDEO/ Qyteti-simbol ku Berisha do të përmbyllë Foltoren, si dhe pse u përzgjodh

14:47, 26/11/2021
A+ Aa A-

Foltorja e fundit e z. Sali Berisha, që do të përmbyllë turin e tij me demokratët në të gjithë Shqipërinë për të kulmuar në Kuvendin e 11 Dhjetorit, do të mbahet në qytetin e Lezhës. Lezha është përzgjedhur për t’i vënë kurorën kësaj lëvizjeje të demokratëve, e para në historinë politike të vendit në pluralizëm, pasi përmban një simbolikë të veçantë për Partinë Demokratike dhe liderin historik të saj, Sali Berisha.

Gazetari Elkier Bushkolaj i SYRI TV, ka treguar sot në emisionin “Kafe Shqeto” përsë është zgjedhur Lezha për mbylljen e Foltores.

“Foltorja ka shkuar në të gjithë Shqipërinë dhe përzgjedhja e qyteteve ka qenë dhe e rastësishme: pas Tiranës, shkoi në Fier, një bastion i së majtës. Përgjithësisht, propozimet vijnë nga degët, - rrëfeu Bushkolaj . - Sigurisht që ka një farë përzgjedhjeje. Për shembull, për mbylljen e Foltores nëpër qarqe u zgjodh pikërisht Lezha, duke qenë se Lezha është një nga qarqet që ka disa prej krahinave më të përndjekura në Shqipëri siç është Mirdita e Kurbini dhe ka një bazë shumë të madhe të votuesve potencialë të djathtë, të cilët ndër vite e kanë votuar Partinë Demokratike. PD, historikisht në qarkun e Lezhës ka dalë parti e parë, si në zgjedhje për deputetët, ashtu edhe për sa i përket bashkive, ku ka fituar gjithmonë nga 2 -3 bashki. Dhe ditën e sotme, një nga Foltoret përmbyllëse në dijeninë time është Kurbini, edhe ai pjesë e qarkut të Lezhës.”

Bushkolaj solli në vëmendje më tej disa fakte, që e kanë bërë unike Foltoren si lëvizje jo vetëm brenda PD-së, po për të gjithë politikën shqiptare :

“Foltorja kam përshtypjen se  ka rritur pritshmëritë e zotit Berisha dhe i ka kapur në befasi edhe ndërkombëtarët dhe të gjithë ata që menduan për shpalljen “non grata”, - vërejti gazetari. - Diplomatët, duke njohur klasën politike shqiptare kanë bindjen se edhe populli shqiptar është i tillë, por në realitet kjo klasë politike shqiptare ose të paktën kjo legjislaturë që ka qenë tetë vitet e e fundit e që do të jetë edhe për katër vitet e ardhshme nuk është përfaqësim real i popullit shqiptar, në të gjitha nocionet që duhet të përfshijë një përfaqësim real. Dhe me sa duket ata nuk e kanë pritur që Foltorja do të shndërrohej në një lëvizje masive dhe zoti Berisha do të kishte të njëjtën mbështetje siç ka pasur para vitit 2013 në radhët e demokratëve. Kujtojmë që ai ka qenë për tetë vite në opozitë dhe ka mbajtur rolin e thjeshtë të një deputeti.

Ne kujtojmë që zoti Berisha dhe në fushata elektorale e kemi parë agresiv thjesht në daljet televizive në periudhën e fushatës, nuk e kemi parë që gjatë fushatës së fundit elektorale të dalë dhe të organizojë takime në të gjithë Shqipërinë. Në dijeninë time, në fushatën e fundit, maksimumi ka realizuar disa takime në zyrë me përfaqësues të zonave të ndryshme të Shqipërisë dhe me përfaqësues nga Kavaja ku supozohej se ishte zona e tij politike dhe në rajone të ndryshme të Tiranës, por nuk e kemi parë zotin Berisha që të shkojë nga Kukësi deri në Sarandë, nga Dibra në Durrës që të bëjë takime me gjithë Shqipërinë,” theksoi Bushkolaj.

Ndiqni intervistën e plotë në “Kafe Shqeto” me gazetarët Dori Daka dhe Flavio Qarri./ar.sh/SYRI.NET  

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco