VIDEO/ Diku: Pyjet tona, mall pa zot! Të parët në Europë për shpyllëzim, tani po ia kalojmë edhe vendeve aziatike'

VIDEO/ Diku: Pyjet tona, mall pa zot! Të parët në Europë për shpyllëzim, tani po ia kalojmë edhe vendeve aziatike'

13:17, 04/11/2021
A+ Aa A-

“Thënia e Kryeministrit që në 2030-ën nuk do të presë njeri pyje, mbase është që në kuadrin e kësaj krize, njerëzit do të presin dhe ato pak pyje që kanë deri në vitin 2030 dhe, në vitin 2030 nuk do të kemi më çfarë të presim. Me këto ritme ne po ia kalojmë edhe vendeve aziatike për shpyllëzimin, në një kohë kur Shqipëria është vendi me ritmin më të lartë për shpyllëzim në Evropë. Aktualisht ne presim 3 herë më shumë nga sa rriten pyjet”

Këtë deklaratë me mesazh të qartë dhe me një sensibilizim të mprehtë, e ka bërë sot pedagogu i njohur i Universitetit Bujqësor, Dr. Abdulla Diku, një adhurues i natyrës në veçanti, në një intervistë për emisionin “Kafe Shqeto” të SYRI TV.

Në një kohë kur vendi ynë po përballet edhe me një krizën e druve të zjarrit në prag të dimrit, si rritjen e çmimit, ashtu edhe me mungesën, siç i diskutua sot në emision, paralelisht po shpaloset një problem tjetër madhor që ka të bëjë me shfarosjen e 30% të të gjithë fondit pyjor të Shqipërisë në dy dekadat e fundit.

"Kemi gjithë basenin e Drinit, që fillon që nga Bulqiza e përfundon në Shkodër. Kryesisht më e dëmtuar është zona e Pukës dhe e Fushë Arrëzit, po ashtu edhe Kukësi. Kemi vargmalin e Skënderbeut që fillon në Milot dhe përfundon në Qafë Shtamë; kemi masivin në Ersekë, kemi Lurën e shkatërruar pothuajse totalisht..." tregoi studiuesi. 

Dr. Diku e ka përmbledhur mungesën totale të vëmendjes së shtetit ndaj kësaj pasurie natyrore me shprehjen “mall pa zot” dhe ka sjellë ndër të tjera edhe një detaj domethenës për të ilustruar të ashtuquajturën luftë të shtetit kundër krimit mjedisor: Ndëshkimi në gjithë Shqipërinë nuk është as sa jep një komunë e vetme në Kosovë për prerjen e pyjeve.

Intervista:

Dori: Z. Diku, ngrohja është parësore, por nuk mund ta anashkalojmë edhe gjendjen e parqeve kombëtare. A kemi një panoramë të përgjithshme të dëmtimit të pyjeve edhe për shkak të rritjes së çmimit të druve të zjarrit në të gjithë vendin aktualisht?

Abdulla Diku: Rritja e çmimit të druve të zjarrit është diçka krejt normale, madje është disi e pandjeshme në raport me atë që duhet të ndihet. Faktikisht, një metër kub dru zjarri apo e njëjta sasi energjie  që përftohet nga burime të tjera energjie, nga drutë e zjarrit është 4-5 herë më e lirë. Një metër kub dru zjarri prodhon rreth 2300 kilovatorë energji. Ekuivalenti i saj është rreth 220 mijë lekë të tjera ndërkohë që në rastin më ekstrem, një metër kub dru zjarri shitet me 50 mijë lekë të vjetra. Pra, çmimi i druve të zjarrit është më i ulëti në rajon dhe kjo ka bërë që sytë e shumë përdoruesve të jenë tek pyjet e jo tek burimet e tjera të energjisë. Pra ka një presion të shtuar mbi pyjet për shkak të këtij disbalancimi në çmim.  Nëse çmimet do të ishin më të larta, sigurisht që pyjet do t’i kishim më të mira.

Nga ana tjetër, bashkitë nuk duhet të mendojnë për çmimin e druve të zjarrit tani në prag të dimrit. Nuk mund të shpenzojnë lekë, miliona euro për të lyer fasada, por duhet t’i kushtojnë kujdes edhe pyjeve me plane mbarështimi, me aktivitete për shtimin e sipërfaqes së fondit pyjor etj. sepse kështu siç e kemi nisur, 20 vitet e fundit kemi humbur 30% të fondit pyjor. Është zhdukur nga harta pyjore 30% e fondit pikërisht nga keqpërdorimet tij.

Flavio: A ka ndonjë zonë që është më e dëmtuar dhe e rrezikuar pikërisht nga pakësimi i këtij fondi pyjor?

Abdulla Diku: Kemi gjithë basenin e Drinit, që fillon që nga Bulqiza e përfundon në Shkodër. Kryesisht më e dëmtuar është zona e Pukës dhe e Fushë Arrëzit, po ashtu edhe Kukësi. Kemi vargmalin e Skënderbeut që fillon në Milot dhe përfundon në Qafë Shtamë; kemi masivin në Ersekë, kemi Lurën e shkatërruar pothuajse totalisht, kemi të gjitha parqet kombëtare të prekura nga ky fenomen dhe kjo e ka vënë fondin pyjor në vështirësi ekstreme. Nuk ka vëmendje politike. Shërbimi Pyjor nuk ka mbështetje logjistike, mbështetje financiare. Edhe ato arrestime që thuhen se bëhen për prerje në Shqipëri janë inekzistente, pra po të krahasojmë ndëshkimin e krimit mjedisor të Shqipërisë me Kosovën, Shqipëria nuk kap dot ndëshkimin që bëhet në një komunë të vetme në Kosovë. Pra, zbatimi i ligjshmërisë është inekzistent. Kjo vjen nga mungesa e kontrollit mbi territorin që kemi.

Vetëm zjarret në pyje për vitin 2020 kanë djegur gati 20 mijë ha pyje. Fondi për t’i ripyllëzuar këto sipërfaqe është rreth 100 milionë euro. Humbjet që na ka shkaktuar zjarri janë në këto përmasa.

Në Shqipëri çdo vit priten rreth 2 milionë -  2 milionë e gjysëm metër kub lëndë drusore për përdorim nga familjet dhe bizneset. Vetëm në tarifë që duhet paguar për bashkitë është rreth 10-15 milionë euro. Nëse ju hapin bilancet këtyre bashkive për të parë se sa janë paguar, do të shikojmë se as 5% e kësaj shume nuk është paguar. Kështu që është probem i madh në menaxhimin e burimit natyror më të rëndësishëm që kemi, pyjet. Bashkitë janë tërësisht të pavëmendshme ndaj menaxhimit të kësaj pasurie, Ministria e Mjedisit dhe e Turizmit po ashtu, kështu që pyjet për momentin janë mall pa zot. Si me moratorium, si pa moratorium, ato thjesht po priten.

Flavio: Z. Diku, në 2030-ën tha kryeministri ynë, nuk do të ketë më asnjë lloj prerje pyjesh, do të reshtë plotësisht kjo veprimtari. A është e arritshme kjo, është e realizueshme apo është shashkë?

Abdulla Diku: Mendoj se nuk ka asnjë të vërtetë në atë deklaratë. Praktikisht edhe sot që flasim që ka moratorium, pyjet priten në po ato përmasa që priteshin më parë. E vetmja gjë që ka ndryshuar është pakësimi i sasisë së druve të zjarrit që ne eksportonim.

Edhe tani eksportojmë, pavarësisht se jemi një vend me bilanc të tmerrshëm negativ midis prerjes dhe rritjes. Pra presim më shumë sesa rritim. Edhe sot eksportojmë, por i gjithë ky ligj i madh që quhet “Moratorium” ka sjellë efekte në pakësimin e disa qindra apo mijëra metra kubëve që eksportonim drejt Italisë dhe Greqisë. Kështu që edhe thënia e Kryeministrit që në 2030-ën nuk do të presë njeri pyje, mbase e ka që në kuadrin e kësaj krize, njerëzit do të presin dhe ato pak pyje që kanë deri në vitin 2030 dhe në 2030 nuk do të kemi çfarë të presim më. Me këto ritme ne po ia kalojmë edhe vendeve aziatike për shpyllëzimin. Shqipëria është vendi me ritmin më të lartë për shpyllëzim në Evropë.

Aktualisht ne presim 3 herë më shumë nga sa rriten pyjet. I kemi vënë pyjet në një presion të jashtëzakonshëm dhe të kemi parasysh që cikli jetësor i pyjeve është shekullor. Në rast se i presim sot, do t’i kemi pas një shekulli. Nuk mund t’i kemi pas një viti. Kështu që është një problem shumë i rëndësishëm, shumë strategjik dhe që nuk ka asnjë lloj vizioni nga qeveria për këtë problem; nga ana tjetër edhe bashkitë nuk shohin mundësi apo nuk kanë mundësi të investojnë mjaftueshëm për të përballuar këtë situatë. Mund t’ju them se asnjë bashki me fondet e veta nuk ka hartuar një plan për të mbarështuar pyjet. Pyjet vashdojnë të mbarështohen me planet e para 35-36 viteve.

Flavio: As ky Orbitali nuk është ndonjë gjë e re?

Abdulla Diku: Jo, jo. Orbitali është... që do të kemi atë hartën e thjesht do ta ngjyejmë një çikë me ngjyrë të gjelbër rreth e qark dhe do ta kemi në letër atë, sepse praktikisht është i pamundur edhe Orbitali për shkak të problemeve të pronësisë, investimeve të mëdha që kërkohen etj.

Pyjet nuk bëhen duke mbjellë fidanë  për të dalë në televizor nga 3-4 metër të lartë, por pyjet bëhen duke  mbjellë ato fidanët e vegjël masivisht, duke mbjellë me dhjetra milionë fidanë në vit, ndërkohë që ne ka 30 vjet që nuk mbjellim por vetëm presim. Pra jemi 30 vjet me vonesë në çdo lloj drejtimi lidhur me menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco