Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Kush qëndron pas mbrojtjes së Irena Gjokës?

'Albin Kurti nuk pritet ta ndjekë shembullin e Zaevit' - Analistët flasin për Syri.net Vetëvendosja në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 2021

'Albin Kurti nuk pritet ta ndjekë shembullin e Zaevit' - Analistët flasin për Syri.net

14:47, 01/11/2021 Nga A.ZH
A+ Aa A-

Zoran Zaev ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, pasi, partia që ai drejton nuk arriti të dal triumfuese në zgjedhjet lokale atje. Rezultat të dobët në betejën elektorale për kreun e komunave ka edhe Vetëvendosje me krye Albin Kurtin. Ky i fundit nuk pritet ta ndjekë shembullin e homologut të tij, Zaev, në rast që pas balotazhit VV-ja nuk arrin të triumfojë në bashkësitë lokale – shkruan Syri.net Kosova


Kosova dhe Maqedonia e Veriut në të njëjtën ditë mbajtën raundin e parë zgjedhjeve lokale, por, për dallim nga Prishtina, që ka më shumë se 10 ditë kohë për një përballje tjetër elektorale, Shkupi zyrtar mori dje përfundimisht përgjigjen e qytetarëve.

Lidhja Social-Demokrate (LSDM) e drejtuar nga kryeministri maqedon, Zoran Zaev, pësoi disfatë të thellë në zgjedhjet lokale. Andaj, si akt moral politik, Zaev dha dorëheqje nga drejtimi i partisë, por, edhe ekzekutivit.

Ndryshe nga homlogu tij maqedon, kryeministri kosovar, Albin Kurti, nuk pritet të jap dorëheqje, në rast që nuk arrin të triumfojë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Kështu të paktën po e vlerësojnë njohësit e politikës.

Opinionisti Blerim Haxhiaj, nuk pret që shembullin e kryeministrit maqedon ta ndjek Kurti, edhepse beson që do të duhej të ndodhte një akt i tillë.  Ai shton tutje se nëse VV-ja nuk fiton asnjë komunë të madhe, do të ketë problem me legjitimitetin e pushtetit actual.

“Dorëheqja e kryeministrit maqedonas është akt moral, pas humbjes së rëndë të partisë së tij në zgjedhjet lokale. Kjo është mënyra më e ndershme e të vepruarit, diçka jo e zakonshme në politikën ballkanike. Krahasimi me Kosovën, besoj duhet të bëhet pas balotazhit. Nëse partia në pushtet, Vetëvendosje humbet dhe nuk fiton asnjë komunë të madhe, atëherë ka krizë legjitimiteti pushteti aktual. Një akt dorëheqje do të ishte veprimi i pritshëm, por se besoj që ndodh. Vetëvendosje thotë se janë partia e parë edhe pas këtyre zgjedhjeve duke mbledhur votat për kandidatët për kryetarë komunash, kurse LDK thotë gjithashtu se janë të parët duke iu referuar votave për asambletë komunale” shprehet Haxhiaj për Syri.net Kosova.

Për opinionistin Haxhiaj, VV-ja po tenton të bëjë një reformim brenda qeverisë, në mënyrë që në zgjedhjet e radhës parlamentare të mos ketë rezultatet e 17 tetorit.

“VV e krahason rezultatin me zgjedhjet lokale te vitit 2017 dhe i rezulton rritje, por kur krahasohet me 14 shkurtin ka pergjysmim. Sigurisht ka dallim mes fuqise parlamentare qe ka kryeministri i Kosoves dhe brishtesise se qeverise se Maqedonise se Veriut. Kurti megjithate eshte komod sepse me 14 shkurt i mori krejt dhe opozita pavaresisht rezultatit ne zgjedhjet lokale, eshte e interesuar te reformohet per te shpresuar permbysjen e Vetevendosjes ne zgjedhjet parlamentare te radhes” thotë opinonisti.

Ndër të tjera, Haxhiaj nga dorëheqja e Zaev e sheh një të mirë karshi Kosovës.

“Përtej veprimit të dorëheqjes kur opozita e dërrmon partinë që qeveris, vlerësoj se është lajm i mirë që shkoi kryeministri maqedonas, pjesë e treshes Rama-Vuciq-Zaev që po mundohen ta bëjnë Ballkanin e Hapur, një nismë e dështuar pa partneritetin e vendve etë tjera dhe e dëmshme në formën e nisur, për Kosovën. Opozita maqedonase është deklaruar kundër Ballkanit të Hapur, kështu që nëse edhe Maqedonia tërhiqet, Serbisë i mbetet vetëm një aleat, Edi Rama” përfundon Haxhiaj.

Se në Kosovë nuk ka kulturë politike që në vete ka dhe aktin e dorëheqjes morale, po e thotë edhe analisti Blerim Burjani.

 “Tek ne nuk ka sens demokratik ku merret përgjegjësia politike qoftë edhe përmes një akti moral, siç është dorëheqja. Nuk janë fare korrekt me votuesin e as partinë, thjeshte janë liderë edhe nëse pësojnë debakël ata nuk e bëjnë këtë akt. Kosova nuk ka alternative normale demokratike pra ne duhet të punojmë shumë për të gjetur si qytetarë një alternativë sepse këto që kemi nuk janë të dobishme për askënd, përjashtimisht vetës së tyre që politikën e shohin si biznes. Por, kurrë si shërbim për qytetarët. Këto parti janë lypës klasik që marrin votën e qytetarëve me premtimet për punësim. Në anën tjetër nëse humbin rreth 40% të elektoratit zgjedhor do të duhej të kishte reflektim dhe dorëheqje që të shohin ku kanë gabuar” tha Burjani.

Burjani duke folur për Syri Kosova, shton se aktualisht si qeveria po ashtu edhe VV-ja ka mungesë të kuadrove dhe si pasojë kemi këto rezultate të zgjedhjeve lokale.

“Qeveria aktuale po si lideri i VV-së ka problem me kuadro të njerëzve, në këtë parti më shumë ka persona që shquhen për një çështje por që nuk kanë sjell ndonjë rezultat konkret. Nëse bëjmë krahasim me liderët e tjerë kosovar, as Kurti nuk dallon shumë nga Thaçi e Haradinaj që vendosnin kandidat me emër por që nuk sjellin vota, sic kemi rastin në Podujevë. Kurti nuk po bashkëpunon me elitën e njerëzve që njihen për kredibilitet andaj dhe rezultati ka qenë i pritshëm” përfundon Blerim Burjani.

Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) doli e para për nga numri i votave (të rregullta, me kusht dhe me post), me gjithsej 170 mijë e 177 vota.

E dyta, doli Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me gjithsej 167 mijë e 519 vota, ndërsa, e treta doli Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 161 mijë e 283 vota.

Kurse, vendin e katërt e zuri Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me 90 mijë e 708 vota.

Po ashtu, gara më e ngushtë me votat e Diasporës ka qenë mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas rezultateve të KQZ-së, së paku në 19 komuna janë shënuar fitore të partive politike që në raundin e parë, ndërsa, 19 komuna tjera shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen me 14 nëntor.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve,  konkurrente në balotazh do të jenë: Gjakova (AAK-LVV), Rahoveci (AAK-LVV), Gjilani (LVV-LDK), Dragashi (PDK-LDK), Klina (AAK-PDK), Kamenica (PSD-LVV), Podujeva (LVV-LDK), Prishtina (LVV-LDK), Prizreni (LVV-PDK), Vitia (LDK-LVV), Vushtrria (PDK-LDK), Malisheva (Nisma-PDK), Juniku (AAK-LDK), Mamusha (KDTP-KATP), Gllogovc (PDK-DD), Kllokot (Lista Serbe-GI SNS), Istog (LDK-AAK) dhe Shtime (PDK-LVV)./Syri Kosova

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco