Flagranca e pakapur e ‘parvenuve’ të Tiranës

Flagranca e pakapur e ‘parvenuve’ të Tiranës

15:10, 10/10/2021
A+ Aa A-

Ata që duhet të kontrollojnë ishin duke u argëtuar me ata që duhet të kontrollohen, kryeprokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK ishin duke u ngazëllyer me objektet e punës së tyre...

Nga Dosja.al

Nga mbrëmë, Facebook dhe portalet janë mbushur me fotot e premierës së filmit të fundit të agjentit 007 ‘No time to die’. Figurat kryesore të pushtetit me pak garniturë opozitare, ambasadorët e huaj në Tiranë, por edhe prokurorë dhe gazetarë kishin nxjerrë ajkën e gardërobës për ta shpalosur në pasarelën e ngjarjes mondane, ku konkurrenca po bëhet gjithmonë e më e fortë.

Përveç organizatorëve, kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe ambasadorit britanik të veshur si James Bond, të ftuarit e tjerë, që e kishin më të lirshme zgjedhjen, arritën të tërhiqnin vëmendjen e rrjetit me veshjet e shtrenjta. Pushtetarë me rroga rreth 1500 euro nuk patën asnjë ngurrim për të treguar veshjet dhe aksesorët që e kalojnë disa herë pagën e tyre të deklaruar.

Shumë u bënë objekt humori për zgjedhjet e shtrenjta por pa shije, apo të papërshtatshme për ngjarjen, shumë u bënë meme për sjelljen. Sigurisht që kur vjen tek sjellja, Veliaj është gjithmonë i pari.

Duke i puthur dorën ambasadores amerikane, ai me siguri kishte ngatërruar Daniel Craig- un e ‘No time to die’ me Leonardo di Caprion e ‘Titanic’. Megjithëse tipike për sjelljen e tij politike, përkulja servile nuk i shkonte tuxedos së MI6 më të famshëm ndër heronjtë imagjinarë, por një parvenuje të fillim-shekullit të shkuar.

Përtej shoë-t vanitoz që ofrojnë parvenutë e orës së fundit, ose shqip ‘zengjinët e rinj’, të pasuruar pa limit dhe pa ligj në kurriz të njerëzve më të varfër të kontinentit, përtej memeve dhe humorit, përtej ndjesisë së të vjellës që shpërnante si virus shtirja disafishe e injorantëve me pushtet, ngjarja e mbrëshme është një shenjë e rrezikshme e shpalosjes së abuzimit si modë.

Nis me faktin se nuk ndodh askund që përfaqësuesit politikë të vendit, në një ditë të rëndësishme për futbollin kombëtar, zgjedhin të nderojnë një shfaqje private që nuk bëhet event kombëtar as në Britani. Vazhdon me faktin se njerëz të lidhur me njëri-tjetrin në rrugë institucionale, pra njerëz që bashkëpunojnë dhe kontrollojnë njëri- tjetrin, që duhet të ruajnë ekuilibrin e brishtë të afërsisë dhe largësisë, bashkohen në një event më shumë privat se institucional dhe shpalosin aty prenë e gjuetisë së paligjshme të trafikut të influencës, apo abuzimit me pushtetin.

Ata që duhet të kontrollojnë ishin duke u argëtuar me ata që duhet të kontrollohen, kryeprokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK ishin duke u ngazëllyer me objektet e punës së tyre, politikanët, në një event që kishte në thelb vetëm dëshpërimin e Erjon Veliajt për vëmendje tani që Rama nuk i hedh më sytë.

Dhe aty, në prani të hetuesve potencialë, i gjithë pushteti shpaloste luksin e pajustifikuar, pa asnjë frikë, pa u druajtur nga pushteti i Drejtësisë, që pas Reformës pretendon të jetë i pavarur. Pikërisht në ditën kur Kryeministri mban një fjalë të jashtëzakonshme para popullit, ku paralajmëroi dimër të vështirë dhe masa të jashtëzakonshme, njerëzit e tij kishin vendosur të llastoheshin me një faturë të papërcaktuar.

Aty ishte pasuesja e Donald Lu-së që mbahet mend për shprehjen e tij për orat e shtrenjta të politikanëve, ambasadorja Kim që vazhdimisht e ka treguar mungesën e neglizhencës ndaj ftesave luksoze që i bëhen dimër-verë.

Mbi të gjitha, ajo është shfaqja e vanitetit të një klike pushtetarësh që ka pushtuar të gjitha institucionet ekzekutive dhe gjyqësore, abuzimin dhe kontrollin, politikën dhe diplomacinë. Te tejngopur nga pushteti dhe përfitimet e ligjshme dhe të paligjshme të tij, të patrembur nga institucionet që duhet t’i kontrollojnë, prokurori, polici, opozitë dhe media, ata tani duan ta tregojnë. Ndryshe vaniteti mbetet brenda tyre i pashpalosur dhe i streson.

Ata tani duan të mësojnë edhe popullin me idenë që janë të privilegjuarit, të përcaktuarit për të patur para dhe pushtet. Publiku i tulatur që vuan për bukë dhe i rriten çmimet, nëpërmjet shfaqjeve të tilla duhet ta pranojë si një destin, si ligj të natyrës fatkeqësinë e grabitjes nga çdo bandit që gjen pak pushtet për të shëruar grykësinë.

Në këtë kontekst mbrëmja e djeshme ishte legjitimimi i banditizmit politik të klikës në pushtet, konfirmimi i dorëzimit të shoqërisë ndaj keqbërësve që nuk kanë as shijen e sjelljes mondane as kujdesin e hajdutit për të mos e nxjerrë në shesh mallin e vjedhur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Xhoni English 10/10/2021 19:47

Eshte me zbavites Johnny English

Shofin filmin 007 si gjimnazistet10/10/2021 19:35

Heretn tjeter do i ftoje rama te shofin Narkos!?

Vk10/10/2021 19:21

Qenkan veshur me stil.... Zgropsat

Vzhguesi10/10/2021 17:37

Një shkrimtar i shquar Francez dhe kundërshtar i zjarrtë kundër ndërtimit të kullës Eifel e pinte kafen në lokalin brenda saj. Një ditë kamarieri guxoi dhe e pyeti: si shpjegohet që e pini këtu kafen?. Dhe ai i'a kthen: është i vetmi vend ku nuk shifet kulla Dhe këta mënxyrat tanë festojnë dhe hargalisen brënda së keqës, për rrjedhojë nuk e shohin atë, siç shkrimtari kullën.

Emri 10/10/2021 16:52

Jane mbledh bashk Sorosjanet e Shqiperis

Skrapari10/10/2021 16:04

Edhe pak le te qeftosen sa te vije Komandanti ne krye te opozites se vrime ku te futen nuk do te gjejne funderinat, injorante qe skane haber nga lidhet gomari jo me qe skuptojne asgje nga arti dhe kultura.

Shto koment

Denonco