VIDEO- SYRI TV/ Misteri i projektit për ‘portin e ri të jahteve’ në Durrës

VIDEO- SYRI TV/ Misteri i projektit për ‘portin e ri të jahteve’ në Durrës

11:39, 30/09/2021
A+ Aa A-

Edhe pse ka përfunduar afati zyrtar, projekti për ndërtimin e Portit të Jahteve në Durrës mbetet ende një mister. Autoriteti Portual i Durrësit nuk ka dhënë asnjë informacion mbi projektin e tenderit 10 mln euro, ndërsa kryeministri Edi Rama nuk e ka përmendur më në diskursin e tij politik këtë projekt me investues arab, që pas përfundimit të zgjedhjeve të 25 prillit, duke hedhur dyshime për ekzistencën e tij

SYRI TV

Pasi kanë kaluar më shumë se 10 ditë nga përfundimi i afatit zyrtar, Autoriteti Portual i Durrësit nuk ka dhënë asnjë informacion mbi tenderin rreth 10 milionë euro për hartimin e projektit që, siç thuhet, do të zhvendosë Portin e Durrësit drejt Porto Romanos.

Autoriteti Portual i Durrësit, i drejtuar nga Pirro Vëngu, shpalli në qershor 2021 tenderin “Hartimi i Projektit të detajuar teknik të Portit të ri tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano”, me fond limit mbi 11.5 miliardë lekë të vjetra pa TVSH.

Ky tender u shpall pasi kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, se kishte arritur një marrëveshje me grupin financiar nga Dubai, “Emmar”, për të ndërtuar një port të madh jahtesh në territorin ku gjendet aktualisht Porti i Durrësit.

Sipas të dhënave zyrtare, tenderi për hartimin e projektit të portit të ri duhej të mbyllej më 20 shtator 2021, ku do të shpalleshin edhe fituesit. Ndërkohë që shtatorit i erdhi fundi, Autoriteti Portual i Durrësit nuk ka publikuar asnjë zhvillim mbi procedurën.

SYRI TV verifikoi të dhënat në Agjencinë e Prokurimit Publik dhe në Komisionin e Prokurimit Publik, për ndonjë ankesë të mundshme. Deri më tani, informacioni është zero dhe nuk dihet nëse tenderi është ende në fuqi apo është anuluar. Fillimisht, opozita e djathtë e kritikoi projektin e prezantuar në tetor 2020 nga Rama dhe biznesmeni arab Mohamad El Alabar, duke e konsideruar si klientelist dhe të dyshimtë.

Por, me përfundimin e fushatës elektorale, çështja e “Portit të Jahteve” nuk ishte më pjesë e diskursit politik. Nga ana tjetër, të dhëna mediatike hodhën dyshime se investitori i projektit “2 miliardë dollarë” nuk ishte kompania “Emmar”, por një konsorcium me pronarë të panjohur, i regjistruar në ishujt Cayman, të njohura si parajsë fiskale.

Qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë koment, mbi atë që në media konsiderohet si skandali i radhës me shoqëritë “off-shore”, duke lënë të kuptohet se projekti “2 miliardë dollarë” vijon rrugën që ka nisur.

Megjithatë, kryeministri Rama nuk e ka përmendur më ndërtimin e portit të jahteve në Durrës pas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit 2021. Ndërsa biznesmeni Mohamad Alabar, i cili në muajt para zgjedhjeve u shfaq dy herë në Shqipëri dhe mirëpriti disa anëtarë të kabinetit qeveritar në Dubai, nuk ka dhënë ndonjë sinjal të ri për projektin e tij në Shqipëri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

soza30/09/2021 13:07

Porti i jahteve në Durrës i është bashkuar portit të Karpenit. Kujtohuni dhe do të ftilloheni.

Shto koment

Denonco