Kurti për shtypin kroat: Pikat kufitare në krizë për shkak të Presidentit të Serbisë!

Kurti për shtypin kroat: Pikat kufitare në krizë për shkak të Presidentit të Serbisë!

07:48, 30/09/2021
A+ Aa A-

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk është arsye e problemeve aktuale, por është Serbia dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiq.

Kurti në një intervistë për televizonin kroat HRT ka thënë se Vuçiq ende mendon dhe flet si të jetë në vitet 1990-ta.

“Ne ende kemi probleme me Serbinë. Kosova nuk është problemi këtu, është Serbia, veçanërisht presidenti i atij vendi, që mendon e flet si në vitet 90-ta të shekullit të kaluar. Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak janë në krizë jo për shkak të serbëve, por për shkak të presidentit të Serbisë”, ka thënë Kurti, sipas RTK.

Ai ka thënë se mbi 11 mijë automjete kanë marrë targat e përkohshme të Kosovës që kur është vendosur reciprociteti me targa ndaj Serbisë dhjetë ditë më parë.

Kurti ka thënë se qytetarët serbë që janë vendosur në barrikada në Jarinjë e Bërnjak paguhen nga Serbia.

“Disa prej tyre gjithashtu morën pjesë në tentim grusht-shteti në Mal të Zi pesë vjet më parë”, thotë Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka shtuar se nuk mund të mendojë ndryshe, pos që Vuçiq synon të nxisë një konflikt ndërkombëtar.

“Sjellet ministri i Mbrojtjes në kufi me Kosovën, së bashku me ambasadorin rus në Serbi dhe me atasheun e Mbrojtjes së Rusisë në Beograd. Në të njëjtën kohë i vihet zjarri një ndërtese në Zubin Potok. Aeroplanët MIg-29 sillen rreth Kopsovës, po ashtu helikopterë e automjete të blinduara e prodhuara në Rusi i afrohen kufirit. Ata erdhën me një arsenal ushtarak në kufijtë tanë. Forca tona speciale janë atje, si në Bërnjak ashtu edhe Jarinjë. Mos harroni se në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, ata dogjën pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se Kosova e Shqipëria ndonëse janë dy shtete, janë një komb i vetëm. Kufiri ka thënë se nuk është as shqiptar e as i Kosovës, por ishte jugosllav.

“Si Prishtina ashtu edhe Tirana duam të bashkëpunojmë sa më ngushtë, e të integrohemi dhe ndihmojmë njëri-tjetrin”, ka thënë Kurti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco