VIDEO/ Mbyllet tenderi 'fasadë', plehrat e Durrësit depozitohen te Zoto

VIDEO/ Mbyllet tenderi 'fasadë', plehrat e Durrësit depozitohen te Zoto

12:10, 29/09/2021
A+ Aa A-

Bashkia e Durrësit ka mbyllur tenderin fasadë për t’i dhënë 10 milionë euro Klodian Zotos për menaxhimin e mbetjeve të qytetit bregdetar. Edhe pse çdo gjë ka qenë e paracaktuar, bashkia e ka mbyllur procedurën ligjore me një tender duke i dhënë Klodian Zotos 50 milionë euro për 10 vitet e ardhshme

SYRI TV

Bashkia e Durrësit ka mbyllur tenderin fasadë, në bazë të të cilit kompania koncensionare e landfillit të Sharrës do të arkëtojë plot 10 milionë euro për 4 vitet e ardhshme, me qëllim depozitimin e mbetjeve urbane të qytetit bregdetar.

Administrata e drejtuar nga Emirjona Sako ka shpallur së fundi rezultatin e tenderit të zhvilluar pa garë, nëpërmjet procedurës së “negocimit, pa shpallje paraprake”.

Ky tender ishte paravendosur me një vendim të Këshillit Bashkiak, i cili ngarkoi bashkinë e Durrësit në gusht të këtij viti që të nënshkruajë një kontratë me “Integrated Energy BV”, me administrator të parë Klodian Zoto.

Sipas të dhënave të tenderit, në procedurë ka marrë pjesë vetëm kompania koncensionare e Sharrës, e cila natyrisht ka paraqitur formalisht ofertën ekonomike me vlerë më shumë se 1.1 miliardë lekë të reja.

Durrësi prej më se dy vitesh është në emergjencë mjedisore, pasi kabineti i Edi Ramës vendosi të mbyllë landfillin e Porto Romanos, pa u gjetur një zgjidhje për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane të qytetit.

Më pas, në pranverën e këtij viti, qeveria refuzoi në heshtje një propozim të bashkisë së Durrësit për të ndërtuar një landfill të ri në territorin e qytetit.

Dhe, në fund, bashkia e Durrësit u detyrua të pranojë variantin e paraqitur nga Agjencia Kombëtare e Mbetjeve, e cila detyron qytetin bregdetar të dorëzojë mbetjet në landfillin e Sharrës, në Tiranë, një projekt që përllogaritet rreth 50 milionë euro për 10 vitet e ardhshme.

Qeveria, nën drejtimin e ish-zëvendëskryeministrit Erio Braçe, miratoi në fund të Korrikut 2021, vendimin për të mbështetur financiarisht Bashkinë e Durrësit për menaxhimin e mbetjeve urbane.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 438, datë 15 Korrik 2021, thuhet se bashkitë e qarkut të Durrësit duhet të marrin masa të menjëhershme për të gjetur zgjidhje dhe, në rast se nuk kanë fonde të mjaftueshme, t’i drejtohen Ministrisë së Financave për mbështetje financiare.

Por, megjithëse në vendim e qeverisë flitet për plane e strategji që mund të hartohen në të ardhmen, në fakt bashkia e Durrësit e ka miratuar variantin e saj dhe ia ka dorëzuar qeverisë që në mesin e Qershorit 2021.

Pra, duket se gjithçka ishte e zgjidhur, pavarësisht se vendimi i nënshkruar nga Braçe rrekej të krijonte përshtypjen se nuk ekziston një plan paraprak.

Në 10 Qershor 2021, Këshilli Bashkiak i Durrësit shqyrtoi tre variante për menaxhimin e mbetjeve dhe arriti në përfundimin që të mbështeste dërgimin e plehrave të qytetit në landfillin e “Integrated Energy BV”.

Këshilli Bashkiak, më herët, kishte marrë një “Opinion” nga Agjencia e Mbetjeve, e drejtuar në atë kohë nga deputeti më i ri socialist, Alqi Bllako, në të cilin sugjerohej pikërisht “varianti Zoto”.

Bllako është një prej emrave të kallëzuar penalisht pranë prokurorisë SPAK, si i dyshuar për favorizimin e kompanisë “Integrated Energy BV” lidhur me kontratat koncensionare të impianteve të përpunimit të mbetjeve.

Këshilli Bashkiak i Durrësit e shndërroi në vendim atë opinion të Alqi Bllakos dhe ngarkoi kryetaren në detyrë të bashkisë, Emirjona Sako, që të diskutonte me qeverinë për mbështetjen financiare të projektit të miratuar, pra “variantit Zoto”.

E gjithë skema përfundoi me këtë kontratë të nënshkruar së fundmi ndërmjet bashkisë së Durrësit dhe “Integrated Energy BV”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco