VIDEO/ 'S'ka transparencë për fondet e Rindërtimit', eksperti: Shih shkollat e reja, s'ka shifër të saktë sa janë

VIDEO/ 'S'ka transparencë për fondet e Rindërtimit', eksperti: Shih shkollat e reja, s'ka shifër të saktë sa janë

12:36, 28/09/2021
A+ Aa A-

Eksperti i ekonomisë Akil Kraja ka argumentuar sot se pse qeveria po akuzohet për mungesë transparence në fondet e rindërtimit, që janë një vlerë e jashtëzakonshme për vendin tonë, rreth 1,1 miliardë euro.

Kraja ka marrë një shembull të thjeshtë: amullinë me numrin e shkollave që po ndërtohen ose rikonstruktohen pas tërmetit të vetë institucioneve shtetërore që po merren me to: Janë 143 shkolla siç njofton Ministria e Arsimit apo janë 171 shkolla siç njofton Bashkia e Tiranës? Apo mos janë 321 shkolla sipas njoftimit shtetëror pas tërmetit?!

Drejtuesit e emisionit 'Kafe Shqeto" në SYRI TV, Dori Daka dhe Flavio Qarri, dëgjuan së pari kryetarin e bashkisë së Shijakut, z. Elton Arbana, që tha se procesi i rindërtimit në Shijak i kishte kapërcyer pritshmëritë e qytetarëve dhe më pas, gjykimin e ekspertit Kraja, që e vlerësoi këtë fakt, por theksoi se ishte domosdoshmëri, “qasja kritike” në aspektin e përgjegjshmërisë lidhur me 1,1 miliardë eurot e dhëna.     

Kryebashkiaku Arbana tha: “Çështja e rindërtimit në bashkinë e Shijakut ka ecur përtej pritshmërie. Në bashkinë e Shijakut mund të vijë  kush të dojë dhe të shikojë se falë mbështetjes së Qeverisë, Kryeministrit Edi Rama, kanë mbaruar 800 banesa individuale, 4 shkolla - objekte arsimore dhe një kopsht.

Pra, çështja e rindërtimit në Shijakut mund të quhet e përfunduar sepse edhe ngritja e 30 pallateve ka nisur dhe ka mbaruar faza e karabinasë, muraturës, suvatimet e pritet të arredohen nga brenda. Kështu që jemi në kohën e duhur që të mbarohen brenda afateve që jemi zotuar.”

Kurse eksperti Akil Kraja veçoi: Duhet të na gëzojë fakti që ka përparim në procesin e rindërtimit. Flasim për 17 mijë shqiptarë, familje në kushte shumë vulnerabël,  të cilët shpeshherë janë të ekspozuar ndaj sëmundjeve të ndryshme, problematikave sociale nga më të ndryshmet dhe sa më shpejt të ecë ky proces, sa më me sukses, është një lajm i mirë për qindra e mijëra shqiptarë që u goditënnga tërmeti si dhe nga kushtet sociale të reja që ato u gjendën.

Në vetvete të kuptohemi drejt që ne kërkojmë që ky proces të ecë sa më shpejt. Thënë kjo që në dimensionin ekonomik, përveç atij social që është më se i mirëpritur dhe këtu flasim për paratë e taksapaguesve: jo të gjitha janë grante, po janë para që paguhen nga shqiptarë nga biznese të Shijakut, Tiranës , nga çdo profesionist në Shqipëri,  pra para publike, një investim kolektiv.

Si e tillë, kjo duhet parë në qasje kritike në sensin e përgjegjshmërisë që zbatuesit e këtyre fondeve duhet të paraqesin karshi taksapaguesve. Pra, është e rëndësishme të jetë në vëmendje ky filtër, sepse pastaj do të përfundojmë në një bisedë të vakët politike partiake e nuk është ky qëllimi.

Qëllimi është që realisht të kuptojmë që flasim për një vlerë prej 1,1 miliardë eurosh, një shumë e jashtëzakonshme që duhet të konsumohet në një mënyrë sa më transparente.

Meqenëse dje ishte dita e parë e shkollës, le ta zhvillojmë paksa përsa i përket kritereve se si po harxhohen këto para.

Një portal investigativ i financuar nga BE, “Porta vendore”, ka publikuar para disa ditësh një analizë të detajuar të kritereve dhe shkollave që po ndërtohen në Tiranë dhe çuditërisht, fatkeqësisht duhet ta themi, këtu rezulton mungesë transparence e madhe.

Në një komunikim më vete, Ministria e Arsimit thotë që në Tiranë janë 11 shkolla që po ndërtohen a rikonstrukohen !

Në një komunikim tjetër, bashkia e Tiranës thotë që janë 13 shkolla!!

E në një projekt tjetër thuhet se janë 23shkolla!!!

Sot për sot pra, nuk ka ende shteti shqiptar një shifër unike.

Në total flitet që janë rreth 143 shkolla; diku tjetër që janë 171 dhe një analizë e vet posttërmetit të autoritetit publik, 321 shkolla.

Nuk ka sot ende, më besoni, është e pabesueshme dhe kjo është pasqyrë e mungesës së transparencës, një shifër unike që pasqyron sa është numri total i shkollave”, nënvizoi Kraja.

Ndiqni në vijim të tjera argumente./ar.sh/SYRI TV

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco