Skandali me përzgjedhjen/ Pse u paditën kreu i SPAK dhe i BKH

Skandali me përzgjedhjen/ Pse u paditën kreu i SPAK dhe i BKH

08:50, 28/10/2020
A+ Aa A-

Pas padisë së dy ditëve më parë në Gjykatën Administrative, dje, 7 nga kandidatët për hetues të BKH-së që u skualifikuan nga gara, pasi nuk arritën të merrnin pikët e nevojshme në testin fizik, kanë kallëzuar për shpërdorim detyre dhe manipulim të rezultateve Komisionin e Përzgjedhjes së Vlerësimit. Gjithashtu ata kanë kallëzuar edhe drejtuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj dhe kryeprokurorin e SPAK-ut, Arben Kraja.

Ata pretendojnë se është shpërdoruar detyra, pasi sipas tyre nuk kishte rregulla të qarta e po ashtu nuk kishte as një prag minimal apo maksimal të pikëve që ata duhej të grumbullonin për t’u kualifikuar, shkruan Panorama.

Nga ana tjetër, Byroja Kombëtare e Hetimit, edhe në formë zyrtare këmbëngul se ka pasur kritere të qarta dhe transparencë, madje ky proces është monitoruar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, që po ndjekin të gjitha hapat e garës për hetues në BKH. Në lidhje me padinë e dy ditëve më parë, që u dorëzua në Gjykatën Administrative, dje është hedhur shorti, që i ka rënë gjyqtares Elda Vrioni.

Ajo tashmë ka 7 ditë afat për të përcaktuar datën se kur do të shqyrtojë padinë administrative të kandidatit të skualifikuar që kërkon pezullim të procesit. Dy ditë më parë është zhvilluar faza tjetër e konkursit për hetues në BKH, eseja me temë: “Çfarë shkakton një gjyqtar i korruptuar në një sistem demokratik”. Kjo temë është zhvilluar të hënën nga 103 kandidatët që kaluan me sukses testin fizik që u zhvillua javën e kaluar në repartin e forcave speciale RENEA.

Në kallëzimin e depozituar në prokurori nga 7 kandidatët për hetues të BKH-së, thuhet se procedura gjatë ditës së testimit fizik, ka qenë totalisht jotransparente, e fshehtë, e manipuluar, jo e drejtë. Sipas tyre, ajo vazhdon të jetë edhe sot e tillë. “Ndryshe nga testi logjik, për të cilin ishte publikuar kufiri minimal kalues (sepse vlerësimi përmes ‘scan’ është i pamanipulueshëm), në fazën e testimit fizik nuk është bërë asnjë transparencë, nuk është thënë asnjë e dhënë, asnjë kriter vlerësimi, asnjë kufi minimal kalues, etj.

Sikurse në testin logjik, përgjegjësia për sanksionimin e kritereve të konkurrimit ka qenë dhe është mbi drejtuesin e SPAK-ut, Arben Kraja, mbi anëtarët e vlerësimit Dritan Prençi, Vladimir Mara, Enkelejda Millonai dhe drejtuesen e BKH-së, Aida Hajnaj, të cilët në bashkëpunim kanë manipuluar konkurrimin, kanë shkatërruar garën, kanë thyer të gjitha rregullat morale dhe etike mbi të cilat ishte ngritur iluzioni jonë për një konkurs të pavarur, nën garancinë ndërkombëtare”, thuhet në kallëzim.

Gjithashtu, 7 kallëzuesit pretendojnë se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit, Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Enkelejda Millonai, kanë pasur detyrim që të jenë prezent gjatë gjithë fazës së konkurrimit, me qëllim vlerësimin e çdo kandidati. “Por nën përgjegjësinë tonë të plotë sqarojmë se këta anëtarë komisioni, në periudha të gjata kohore, nuk kanë qenë pjesëmarrës fare në këtë konkurrim, prandaj nuk e dimë se mbi çfarë të dhënash na kanë vlerësuar. Anëtarja, Enkelejda Millonai, nuk ka qenë prezente asnjë minutë gjatë zhvillimit të këtij konkursi, madje përveç mediave dhe kërkimit në ‘google’, edhe sot nuk e njohim si fytyrë këtë vlerësuese”, shprehen kandidatët e skualifikuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Raimonda28/10/2020 12:48

Komisioni i përzgjedhjes për BKH çfarë i di konkurruesit që u skualifikuan pa të drejtë i di dele.Mos kujtoni se janë dele por janë intelektualët të rinjtë më të zotë se ju prandaj lironi vendet për njerëz më të zotë se ju.Cfarë do të presë populli nga ju.Kështu është drejtësia.Ju ju ka parë shkolla që keni marrë me hatërllëqe.Po avokat Ngjela pse po hesht kur mezi po e priste këtë BKH.Njerëz që ngelën në mes të fushës që nuk vraponin dot u kualifikuan pra dolën fitues.Në BKH duhet të jenë juristët dhe ekonomistët më të zotë që ka ky vend e jo policë e gardianë.

arqile28/10/2020 12:28

Sepse keta qelbesira jane zora e trashe e Rame rugacit turp per kombin .

Lali28/10/2020 10:25

Konkluzioni i situates: - Nese jane perfshire nderkombetaret, atehere ne rastin me te keq, edhe ata jane pjese e farses se krijimit te organit me te rendesishem te drejtesise! Nese pretendohet se jane te perfshire ky eshte nje mashtrim pasi ata nuk kane asnje lloj informacioni per cfare po ndodh dhe me dashje lejojne shkaterrimin perfundimtar, pa u krijuar akoma, te ketij organi. - E gjithe kjo situate eshte krijuar me qellimin e vetem qe, te krijohen probleme perzgjedhjes, qe te mos krijohet plotesisht dhe te jete eficent ky organ, njesoj si SPAK, rezultatet e te cilit po shihen, FJASKO te gjitha, PA ASNJE VLERE. - Ne te dy rastet Nderkombetaret si flamurtare te kesaj reforme ose kane DESHTUAR ose JANE PJESE E DESHTIMIT me dashje. Dhe kjo ne kurriz te shqiptareve. Perfundimisht te mos na bejne rolin e diplomatit kur flasin, por te dalin dhe te tregojne me gisht kush jane shkaktaret reale te kesaj situate katastrofike

Shto koment

Denonco