Lajmi i fundit

Analiza e institutit të njohur amerikan: Rama është Erdogani i ri, po përdor drejtësinë për të goditur opozitën

12 vjet qeverisje me Merkel në 27 vjetorin e Unitetit

12 vjet qeverisje me Merkel në 27 vjetorin e Unitetit

Nga Kastriot Islami - 02/10/2017

Në 3 tetor Gjermania feston 27 vjetorin e Unitetit, ndërkohë që në 24 shtator 2017 Merkel mori mandatin e katërt për të drejtuar vendin si kancelare e Gjermanisë. Lajmi për rezultatin e zgjedhjeve në Gjermani u pritën me shumë interes në të gjithë planetin, ndërkohë që media botërore në analizat e saj i bëri me dije publikut shumë nga mesazhet dhe sfidat që qëndrojnë përballë Gjermanisë dhe kancelares Merkel.

***

Lajmi kryesor është se Merkel zgjidhet për herë të katërt kancelare e Gjermanisë, me një pjesëmarrje në votime prej 76,2 % duke evidentuar përgjegjshmërinë e votuesve gjermanë dhe ruajtur stabilitetin e vendit më të rëndësishëm të Bashkimit Europian dhe një nga më të fuqishmit e vendeve perëndimore.

Lajmi i dytë është se partitë qeverisëse të mandatit 2013-2017, CDU/CSU dhe SPD, të dyja janë “rrudhur” ndjeshëm. Konkretisht krahasuar me 2013, partia e Merkelit, CDU-CSU është zvogëluar me 8,6 %, duke pasur rezultatin më të dobët që nga viti 1949. Partia social-demokrate, SPD me kandidatin për kancelar Martin Schulz po ashtu është rrudhur me 5,2% duke rënë në rezultatin më të dobët që pas luftës së dytë botërore.

Thënë ndryshe dy partitë e koalicionit të madh, CDU/CSU e SPD, së bashku, janë rrudhur me 13,8% ose me rreth 4,5 milion vota, të cilat janë orientuar drejt ekstremit të majtë e të djathtë. Pra peizazhi politik humbet peshë në qendër, dhe kaluar drejt ekstremeve e duke u bërë kështu më pak stabël.

Lajmi i tretë është se në parlament futet për herë të parë një parti e djathtë AfD, të cilën e etiketojnë si parti populiste të ekstremit të djathtë. Si dhe rifutet partia Liberale, FDP e cila ishte larguar në 2013 nga parlamenti si pasojë (kështu gjykojnë disa nga analistët) e qënies në qeveri me CDU/CSU. Këto dy parti rriten ndjeshëm krahasuar me 2013. Konkretisht Partia Liberale FDP ka grumbulluar 10,7 % të votave nga 4,7 % që kishte pasur në 2013 pa mundur në atë kohë të kalonte pragun e 5 %. Kurse partia e djathtë, Alternativa për Gjermaninë, AfD që shndërrohet në partinë e tretë parlamentare duke grumbulluar me 12,6 % të votave nga 4,7 për qind në 2013.

Image

Lajmi i katërt është se edhe dy partitë e tjera tashmë tradicionale e opozitare në mandatin 2013-2017, e Majta ekstreme-Die Linke dhe Ekologjistët-Grune rriten por nga pak. Konkretisht E Majta, Die Linke, rritet me vetëm 0,6 përqind duke arritur të ketë 9,2 për qind të votave.

Kurse Ekologjistët rriten me 0,5 për qind të votave duke arritur 8,9 për qind të votave në 2017.

Mesazhi i parë dhe i rëndësishëm është se përsëri shumica e gjermanëve i besojnë Merkelit drejtimin e vendit e për rrjedhojë edhe të Bashkimit Europian, por duke ja dobësuar mbështetjen dhe vendosur atë në përballje me një opozitë shumë më të fortë.

Mesazhi i dytë i rëndësishëm është se rreth 13,8 për qind e gjermanëve, ose 4,5 milion gjermanë kanë refuzuar dy partitë kryesore CDU dhe SPD që kanë qënë në koalicionin e madh qeverisës gjatë periudhës 2013-2017. Ky është një mesazh zhgënjimi dhe mosbesimi ndaj dy partive kryesore tradicionale, por edhe sfide ndaj establishmentit por pa mundur ta përmbysin si në SHBA.

Mesazhi i tretë lidhet me rritjen me pothuajse 4 milion të një partie të re, të cilësuar “populiste” të ekstremit të djathtë por që konsiderohet edhe si një parti anti-establishment. Rreth 4 milion votuesit e shtuar të kësaj partie vijnë kryesisht nga dy partitë e mëdha, CDU-CSU dhe SPD, por një pjesë tjetër e tyre janë votues që s’kanë votuar asnjëherë më parë, duke e shprehur zhgënjimin e tyre me abstenim, por qenë 2017 kishin një Alternativë ndryshe, që ju jepte besim, prandaj dhe u angazhuan masivisht pro saj (rreth 1 milion).

Kjo parti ka rritur forcën e saj reaguese kudo përfshi edhe Gjermaninë Lindore duke ja marrë këtë rol reaktiv edhe partisë së ekstremit të majtë, që është një parti e krijuar në Gjermaninë Lindore mbi themelet e Partisë Komuniste.

Mesazhi i katërt lidhet me rifutjen e Liberalëve në parlament duke u rritur me rreth 2,9 milion vota krahasuar me 2013. Shumë analistë mendojnë se largimi i tyre nga parlamenti në 2013 ishte pasojë e qeverisjes me CDU në periudhën 2009-2013 ndërkohë që ngritja dhe rifutja në parlament shpjegohet me opozitën e tyre ndaj qeverisjes CDU-SPD.

Mesazhi i pestë lidhet me rritjen e lehtë të partisë së ekstremit të majtë, Die Linke, e cila vazhdon të rritet në mënyrë konsekuente, këtë radhë është rritur me rreth 550 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e 2017, ndërkohë që ka humbur terren përballë AfD.

Mesazhi i gjashtë është se dy partitë tradicionale, CDU dhe SPD, së bashku janë rrudhur me rreth 4,5 milion vota ndërkohë që dy partitë e ekstremit të Majtë, Die Linke dhe ekstremit të djathtë AfD, janë rritur së bashku me 4,6 milion vota. Kjo tregon se një pjesë jo e vogël e votuesve gjermanë janë në një masë të shënueshme të zhgënjyer me qeverisjen tradicionale. Disa nga çështjet që i shqetësojnë më shumë ata janë i)emigrimi; ii) zgjerimi i BE, iii) integrimi i emigrantëve me rregullat e vendit të tyre, e tjerë.

***

Sfida më e madhe është për Merkel, nëse do të arrijë përmes ndërtimit të koalicionit qeverisës të realizojë një qeverisje të qëndrueshme dhe të suksesshme. Merkel nuk ka shumë opsione për ndërtimin e koalicionit qeverisës, sidomos pasi Martin Schulz ka deklaruar se SPD do të jetë në opozitë. Mbetet që CDU të formojë shumicën qeverisëse me liberalët e FDP dhe ekoligjistët e Grune, duke formuar koalicionin të quajtur Xhamajka ose me tri ngjyrat “e zezë, jeshile dhe e verdhë”. Dallimet me ekologjistët janë jo të vogla, kurse FDP do të jetë shumë e kujdesshme sepse në 2013 u largua nga parlamenti dhe gati u shpërbë për shkak të futjes në qeverisje me CDU-CSU. Madje disa analistë i kanë sugjeruar liberalëve të mos futen në koalicion me CDU.

Sfida tjetër shkon për opozitën. Në parlament do të ketë tri forca opozitare, SPD, AfD dhe Die Linke. AfD që ndodhet për herë të parë në parlament dhe që do të kërkojë të rritet duke kritikuar ashpërsisht qeverisjen Merkel; parashikohet që opozita e AfD të jetë shumë agresive ndaj Merkel. Ndërkohë që SPD vjen në opozitë pas një humbjeje historike, edhe për shkak të koalicionit me Merkel e për rrjedhojë mendohet do ta ketë jo të lehtë të bëjë opozitë të suksesshme aq më tepër që do të vazhdojë të gërryhet nga problemet e brendshme. Die Linke do të vazhdojë të jetë një opozitë relativisht e fortë ndonëse përballë AfD do të duket më pak e besueshme.

Sfida tjetër është për aleaten e CDU partinë e Bavarisë, CSU e cila është gërryer në Bavari nga AfD. CSU duke ndjerë që pozicionet konservatore të djathta po ja merr AfD do të shtyhet më shumë djathtas duke e bërë më të brishtë marrëveshjen me Merkel dhe koalicionin qeverisës. Aq më tepër që në 2018, CSU ka zgjedhjet për parlamentin e Bavarisë ku ka qenë gjithnjë forcë dominuese, ndërkohë që në 2017 ka pasur rezultatin historik më të dobët me 38,5 % të votave dhe rrudhur krahasuar me 10,8 % të votave krahasuar me 2013.

***

Gjermania me në krye Merkel mbetet lokomotiva e Europës në shumë aspekte por edhe shumë sfida janë përballë saj. Ajo është kancelare për herë të katërt, një rekord në Gjermani e Europë, por ajo konsiderohet më e dobët, dhe koalicioni i saj më i brishtë. Ndërkohë që Merkel është për të katërtën herë në të njëjtën zyrë, me një parti të rrudhur në nivelet e para 6 dekadave, opozita e re do të jetë shumë agresive, për më tepër që një pjesë e saj, AfD, e ka për herë të parë betejën në parlament kundër një qeverisje që drejton vendin prej katër mandatesh ndërkohë që nga fushatën e fundit elektorale ka qenë e suksesshme duke i rrëmbyer CDU votuesit e saj përmes një opozite të fortë. Por edhe vetë AfD do të përballet me disa sfida, së pari do t’i duhet të mbrojë dhe të japë zgjidhje për çështjet elektorale të emigracionit, të zonës euro, të zgjerimit me të cilat grumbulloi vota por ndërkohë do të përballet edhe me sfidat e brendshme të bashkë ekzistencës së rrymave nga të moderuarat deri radikale e ekstremiste, për të shmangur shndërrimin në një forcë politike që do të ngjallte remineshencat e vjetra; çarjet e para sapo kanë ndodhur.

Shkruar për SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco