Ai tani është lakuriq, vërtetë

Ai tani është lakuriq, vërtetë

Nga Hysni Gurra - 25/04/2024

Njeriu që erdhi në pushtet si “e reja” kundër së vjetrës, po i vjen radha të ‘ikë’ si më i vjetri e më shëmtuari kryeministër që ka pasur ndonjëherë ky vend.

Edi Rama është ndër të paktët kryeministra në Europë, i vetmi në Shqipëri, që është bërë politikan dhe kryeministër vetëm falë propagandës së gënjeshtërt, perfekte, që ka ndërtuar për veten.

Hyri në politikë si e reja, si politikani ndryshe që theu ca tabu.

Si njeriu që zhveshi imazhin e politikanit tradicional me kostum e kollare dhe futi ekstravagancën, çorapet e kuqe, kravata shumëngjyrëshe, kostumin, edhe kur e veshi, e veshi me atlete…

Mashtroi shqiptarët me propagandë perfekte duke u thënë se po vjen diçka e re, iku koha e Nanos, Berishës, Metës, politikanë që rrinin mbërthyer brenda kostumit klasik…madje doli edhe lakuriq me allatet përjashta. (Edhe pse u mbrojt se ia nxorën kundërshtarët foton lakuriq, koha tregoi se ishte e gjitha inskenim dhe personi më i intetesuar që të dilte ajo foto ka qenë vetë Edi Rama).

Por, gjithësesi, ajo ka qenë nuditet, jo lakuriqësi, lakuriqësi është kjo që po i ndodh tani, rënia e propagandës dhe dalja në dritë e fytyrës dhe shpirtit të tij të vërtetë.

Ky politikani ndryshe, i riu, trendi që shqiptarët i ngopi me mashtrime e gënjeshtra që nga 1998 e deri më sot, të huajt i bleu me para, u bleu heshtjen me paratë që u vodhi shqiptarëve, por ai sot po sheh t’i rrëzohet para syve imazhi i gënjeshtërt që ka ndërtuar për veten në këto 26 vite në politikë.

Dhe kush po ia rrëzon?

Po ia rrëzojnë mediat italiane, ironikisht, media me prirje të forta të majta, pra, të vetët.

Por jo të vetët në Shqipëri, të cilëve u ka marrë peng partinë dhe me partinë e tyre vjedh ata, e gjithë Shqipërinë, prej mëse dy dekadash.

Me partinë e tyre shiti gjithë pasuritë e Shqipërisë dhe u kap në çark nga po të majtët (vetëm se italianë) duke shitur Shqipërinë, duke i dhënë ekstraterritorialitet Italisë për refugjatët.

Është kapur e demaskuar duke shitur tokë shqiptare me miratim të një Parlamenti njerëzish të blerë e nga një Gjykatë Kushtetuese tërësisht notere tradhëtish kombëtare. Është bërë vetë pronar tokash e resuersesh të tjera duke u kamufluar pas strategjikësh fallco.

Mirëpo, kalaja e ngritur në rërë rrëzohet shpejt.

Sot, ajo që mundohej të thoshte opozita shqiptare dhe pak media të mbetura opozitare si Syri, Lapsi, Cna…se Shqipëria është një narkoshtet, se Shqipëria po sundohej nga një familje mafioze e lidhur me krimin e organizuar e bandat, nuk dilte kollaj tej kufinjve të Shqipërisë.

Nuk dilte sepse pushtetit mafioz i Rilindjes bllokonte të vërtetën të dilte jashtë kufinjve me para.

U desh akti tradhëtisë në marrëveshjen e tij personale me një politikane ultra të djathtë që shqiptarët të kuptonin se akuzat për Engjëll Agaçin, si dora e zgjatur e kryeministrit në afera nga më të errëtat, ishin të vërteta.

U desh kjo marrëveshje që shqiptarët të kuptonin se kur Sali Berisha akuzonte Olsi Ramën për laboratorin e kokainës në Xibrrakë nuk ishin akuza thjeshtë politike, por fakte, siç edhe media prestigjoze italiane vërtetoi.

Edi Rama po përpiqet të mbulohet me gjethe fiku pasi dokumentari i Rai-t e zhveshi lakuriq, thënë ndryshe, po përpiqet t’u gjejë anën për t’u blerë heshtjen, siç ka bërë edhe më parë.

Po përpiqet të tregojë përralla me gjyshen e tij, të cilën kërkon t’ua shesë shqiptarëve si filozofe sa herë është në hall.

Njeriu që ndërtoi për veten, me para, një imazh të një artisti, të një politikani të emancipuar, ndryshe nga të tjerët, klasikët, po shfaqet së fundi si një anadollak, si një gërdallë politike që stërmundohet të kapet pas “filozofisë” së gjyshes. Ndërton narrativa amatoreske, që shpesh të çudit, si mund të bëhet kaq amator një mjeshtër i propagandës.

Por, mesa duket, ky është fati i çdo mashtruesi, sado profesionist që të jetë në ndërtimin e imazhit të tij të rremë e sado para korrupsioni e trafiku të ketë akumuluar. Fundi qenka shkërmoqje në atë që konsiderohej si pika e tij më e fortë - media.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco