Lajmi i fundit

EMRI/ Vrau çiftin e të moshuarve, policia identifikon autorin e krimit…

Telefonata e Edi Ramës me drejtuesit e RAI-t, si thirrja e një kapo bande

Telefonata e Edi Ramës me drejtuesit e RAI-t, si thirrja e një kapo bande

Nga Andi Bushati - 25/04/2024

Skandali i shumëfishtë i telenovelës mes Edi Ramës dhe televizionit publik italian, po shpërfaq në perëndim një anë të panjohur të kryeministrit tonë në marrëdhëniet me mediat. Mënyra se si ai ka reaguar, telefonata arrogante që i ka bërë drejtuesit të RAI-t, përpjekja për të manipuluar opinionet e dy vendeve apo qoftë edhe vënia e vetes në linjën e parë të sulmit kundër programit investigativ “Report”, ka pataksur shumëkënd në Itali. 

Disa të zgjedhur të vendit fqinjë, senatorë apo deputetë të komisionit të mediave, kanë folur publikisht për këtë ndërhyrje brutale ndaj një enti publik.

Edhe vetë autorët e emisionit vazhdojnë të deklarohen të tronditur nga sjellja e “nipit” që pavarësisht nga respekti për gjyshen e vet të ndierë, nuk e mirëkuptojnë dot.

Për të gjitha palët qasja e Edi Ramës është e denjë për një botë tjetër, që nuk ka lidhje me atë demokratike. Ajo është e papranueshme qoftë në formë edhe qoftë në përmbajtje. 

Le t'i marrim me radhë…

Në formë, asnjë kryeministër i një vendi normal, nuk e ngre telefonin të ndërhyjë te shefat, për punën e gazetarëve që veprojnë në liri dhe pavarësi të plotë. Natyrisht dhe në shtetet demokratike, yshtja për të ndikuar është e madhe. Por ajo bëhet në mënyra më të rafinuara, përmes personash të tretë, përmes kompanive apo kontakteve të “PR”, që nuk lënë gjurmë direkte dhe jo nga vetë personazhet kryesore politike. Pikërisht për këtë, telefonatën impulsive të Ramës, zv drejtori i RAI-t dhe autori i programit, Sigfrido Ranucci, e krahasoi me ato të ministrit të jashtëm të Putinit, Lavrov, gjatë një interviste me Armela Ferkon.

Kjo tentativë sa arrogante aq dhe pasojë e instikteve të pa kontrolluara, është shokuese për cilindo që i njeh marëdhëniet e komplikuara mes medias dhe politikës. Të gjithë e dinë se jo më një qeveritar, por edhe një padron ndërmmarrjeje me më shumë se 20 apo 30 rogëtarë, ia lë këtë punë në dorë zyrës së tij të mardhënieve me publikun. Mungesa e skrupujve për ta kthyer sherrin në personal, është ose karakteristikë e diktatorëve të tipit Erdogan, ose më keq akoma, veti e bosëve mafiozë. Duke e kapur vetë telefonin, Edi Rama, zgjodhi të bëjë në gjaknxehtësi e sipër rolin e një kapobande. 

Komportimi i tij është atipik edhe në përmbajtje. Shumë gazetarë italianë i ka bërë të qeshin, mendësia autoktatike për të barazuar kritikën ndaj një grupi qeveritarësh, ose edhe ndaj vetë kryeministrit me sterrosjen e imazhit të shqiptarëve. Ata janë tallur me manipulimin foshnjor të Edi Ramës, për ta reduktuar autopsinë e një shteti të kriminalizuar, në debatin nëse iu dha apo jo mundësia Engjëll Agaçit për t’u përgjigjur. Ata kanë qeshur me akuzat për tendenciozitet dhe njëanshmëri, pasi janë rrefuzuar për intervista pikërisht nga njeriu që i anatemon sot.

Po pse rrëshkiti Edi Rama deri në këtë pikë? Pse cedoi ai, qoftë duke e personalizuar mënyrën e komunikimit, apo qoftë duke i banalizuar alibitë që tentoi të ngrinte? 

Shpjegimi më i thjeshtë për këtë gjendet në batakun autokratik ku po vegjeton prej një dekade. Duke u sjellë si padroni real i shtypit në vend, duke paracaktuar vijën editoriale të TV ve kryesore, siç e dëshmuan edhe në rastin e emisionit “Report”, lajmet e Top Channel dhe Klan, duke vendosur temat tabu që nuk duhet të prekin emisionet politike të mbrëmjes, duke përjashtuar nga konferencat e shtypit gazetarë si Klevi Muka apo çuar për “riedukim” Ambrozia Metën, duke mbyllur Agon Channel apo duke shembur me tritol investimet e pronarit të News 24, ai e ka humbur sensin e realitetit. Ai kujton se marrëdhënia e një shtetari me median është raporti që ai ka vendosur me Vjollcën e Lori Kafesë apo të bijën që e percepton politikën si Big Brother, me ish-Sandrin e Saliut, apo me të njëjtin Karlo që e trajton prej kohësh si pronë 1 euroshe.

Ambientimi me këtë perversitet, reflekset e kushtëzuara nga këto raporte të sëmura, e kanë bërë Ramën të mendojë se gjërat zgjidhen me një urdhër në telefon. Se mjafton të flasësh me shefin, të shpikësh alibi foshnjore dhe realiteti mer ngjyrat dhe format që do ti. Prandaj ai i ra celularit për të komunikuar personalisht me shefin e RAI–t. Prandaj ai i’u drejtua në italisht publikut të vendit fqinjë me përralla qesharake me gjyshen.

Dhe në fakt këtu duhet gjetur një tjetër lajm brenda telenovelës mes kryeministrit tonë dhe entit publik italian. Kjo fabul tregon se Edi Ramës po i humbasin me shpejtësi receptotët e sjelljes në një mjedis demokratik. As dhe sa për sy e faqe, ai nuk i mbyt dot brenda vetes instiktet prej autokrati në raport me mediat. Pikërisht për këtë sjellja e tij prej kapobande i revoltoi shumë deputetë dhe gazetarë në brigjet përballë./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco