Harron se po drejton veç një qerre!

Harron se po drejton veç një qerre!

Nga Alba Kepi - 24/04/2024

Media vendase të përdorura për megafon personal, fakteqësi humane si tërmeti, emigracioni, pandemia të instrumentalizuara për glorifikim të vetes, tallje me varfërinë dhe mizerien e popullit pa njohur realitetin, shitja e një ndryshimi të paekzistueshëm duke vetëgdhendur një piedestal për të fituar famën, për t'u ndjerë i gjithëpushtetëshëm e për të krijuar një alibi të hicit që je e që përfaqëson me të gjithë ata që ke pas. 

Sa arrogancë!

Sa mëndjemadhësi!

Sa gënjeshtra të thëna në skena internacionale me batuatat e një hokatari diletant që beson se është politikan i madh!

Sa gënjeshtra të mëdha shprehur me buzëqeshje papërgjegjësie.

Duke sulmuar pilastrin më të fortë të sistemit demokratik të një vendi themelues të Bashkimit Europian, median, lirinë e ushtrimit të profesionit e informimin e publikut, KM shqiptar rrëzoi kështjellën e rërës që kishte krijuar falë një PR ndërkombëtar, e që e ka favorizuar deri më sot për t'u shfaqur si ashtu nuk ishte.

Thënia e Pascal "Prezumimi ynë është i tillë që ne do të donim të njiheshim nga e gjithë bota... edhe kur nuk jemi më këtu. Por ne jemi aq të kotë sa na kënaq dhe na kënaq vlerësimi i pesë-gjashtë njerëzve që na rrethojnë”, i shkon aq për shtat sot.

Ndërsa quan qëllimisht transmetues paguar nga taksat e popullit, Radio Televizion Pulbik Italian, me histori 100 vjecare e një nga të paktët dritare informuese e shprese në vitet dramatike për shqiptarët të diktaturës komuniste, KM shqiptar harron e nuk përmend taksat që shqiptarët e Shqipërisë paguajnë për të ndjekur kasetat e konfeskionuar, pyetjet e parapërgatitura, temat të pilotuara e programe ekstremisht në kontroll e shërbim të qeverisë, KM shqiptar harron dhe 700 mijë shqiptarët, italo-shqiptarët, shqiptaro-italianët që jetojnë në Itali e që paguajnë po të njëjta taksa si italiani dok për t'u informuar nga ky televizion tradicional, publik e informativ që për italianët, italo shqiptarët, e shqiptarët e Italisë quhet shtëpi.

Në reagimin etik e profesional që gazetarët e RAI bëjnë për sulmin e akuzat nga një KM që i quan "shpifës skandalozë", kupton se sa fodullëk, përbuzje,  mëndjemadhësi ka ndjenja e tij e të qënit superior ndaj gjithckaje e ndaj të gjithëve, ndjenja e mosndëshkimit, e mospranimit të kritikës dhe së vërtetës.

Ndërsa nga komentet e lexuesve të publikut universal pa dallim kombësie e vendodhje taksash, nën postimin e gazetarëve të RAI, mendon se kjo arrogancë është si ajo e një shoferi në auotostradë që fyen e ofendon këdo e pretendon precendencë duke harruar se po drejton vec një karrocë që e bëre qerre, e që deri sot e ke aq keqtrajtuar sa nuk ka rrugë e takat të ecë vetë.

Është thjesht një qerre!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco